Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku kritikon draftin socialist për hartën e re territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se një reformë e vërtetë administrativo-territoriale duhet të nisë nga një analizë e plotë e rezultateve të reformës së miratuar në vitin 2014.

Gjatë fjalës së saj në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku argumentoi se ndarja aktuale territoriale nuk solli uljen e kostove dhe rritjen e eficiencës së premtuar. Ajo evidentoi shtimin e numrit të punonjësve në 61 bashkitë dhe faktin se shpenzimet për personelin arrijnë deri në 50% të shpenzimeve të përgjithshme.

Tabaku solli edhe shembullin e bashkive që kanë pasuri të shumta natyrore, por që përfitojnë shumë pak nga shfrytëzimi i këtyre burimeve. Sipas saj, të ardhurat dhe vendimmarrja mbeten të centralizuara në duart e qeverisë dhe të kryeministrit, ndërsa komunitetet ku ndodhen këto pasuri nuk marrin përfitimet dhe investimet që u takojnë. Ajo paralajmëroi se propozimi i ri socialist synon ta thellojë më tej këtë centralizim.

Duke u ndalur te Bashkia e Tiranës, Tabaku denoncoi mungesën e decentralizimit real dhe përdorimin e burimeve publike për çështje që, sipas saj, nuk lidhen me nevojat e qytetarëve. Ajo përmendi çështjen e inceneratorëve, shembjen e Teatrit Kombëtar dhe mungesën e investimeve në zonat rurale të kryeqytetit.

Tabaku solli si shembull edhe Astirin, ku, sipas saj, vetëm në vitin 2026 u ndërtua një shkollë, megjithëse zona është zhvilluar prej vitesh dhe ka një numër të lartë banorësh.

“Ndërsa qytetarët prisnin shkolla dhe shërbime, pushteti vendor është marrë me afera korruptive”, u shpreh ajo.

“Kryetarët e bashkive, të përdorur për interesat e pushtetit”, vijoi Tabaku.

Deputetja demokrate akuzoi shumicën socialiste dhe kryeministrin se i kanë përdorur kryetarët e bashkive për të avancuar interesa politike dhe ekonomike të pushtetit qendror. Ajo kujtoi se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, si edhe nisma e njohur si “Paketa e Maleve”, janë justifikuar përmes kërkesave të ardhura nga kryetarët e bashkive. Sipas Tabakut, kjo tregon se drejtuesit vendorë veprojnë si të emëruar të kryeministrit dhe jo si përfaqësues të interesave të komuniteteve.

Tabaku theksoi se pa një analizë të plotë të pasojave të reformës së vitit 2015 nuk mund të hartohet një propozim serioz për një ndarje të re territoriale. Sipas saj, propozimi socialist nuk u jep përgjigje problemeve të ngritura nga qytetarët, por rrezikon të përsërisë dhe të thellojë pasojat e reformës së mëparshme: më pak transparencë, më pak llogaridhënie dhe një hartë të ndërtuar mbi interesa elektorale.

“Qeveria kërkon të centralizojë edhe më shumë pushtetin, duke përqendruar pushtetin ekonomik, politik dhe social në gjithnjë e më pak duar. Në fund të ditës, kush mendoi për qytetarin?”, deklaroi Tabaku.

Ajo paralajmëroi se komunitetet që humbasin përfaqësimin do të kenë edhe më pak mundësi për të kërkuar shërbime dhe investime nga pushteti vendor.

Tabaku: Shpopullimi ishte pasoja e parë e reformës

Tabaku e lidhi reformën territoriale edhe me shpopullimin e vendit. Ajo iu referua të dhënave të Censit, sipas të cilave popullsia e Shqipërisë ka rënë nga rreth 2.8 milionë në afërsisht 2.4 milionë banorë. Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu përdorimin e procesit të integrimit europian si justifikim për nisma që, sipas saj, bien ndesh me vetë kërkesat e Bashkimit Europian. Ajo theksoi se BE-ja kërkon decentralizim dhe fuqizim të bashkive, të cilat do të kenë përgjegjësinë për zbatimin e një pjese të konsiderueshme të reformave të lidhura me integrimin.

“Reforma e propozuar është mekanizmi perfekt për forcimin e sistemit aktual, sepse krijon mundësinë që zona më të mëdha të kontrollohen përmes përqendrimit të pushtetit. Nga të zgjedhur po kalohet te të emëruarit dhe nga përfaqësimi te vendosja e kartonëve në funksion të interesave të një pakice”, u shpreh Tabaku në videon e publikuar në rrjetet e saj sociale.

Në përfundim, Tabaku paraqiti alternativën e Partisë Demokratike që propozon shtimin e 100 bashkive dhe synon shtimin e përfaqësimit, transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë lokale.

Sipas saj, qytetarëve duhet t’u jepet mundësia të zgjedhin jo vetëm kryetarin e bashkisë, por edhe drejtuesin e njësisë administrative. Një model i tillë do të ruante identitetin e komuniteteve, do të forconte kontrollin përmes votës dhe do ta afronte pushtetin vendor me nevojat reale të qytetarëve.

“Shqipëria ka nevojë për më shumë përfaqësim, më shumë transparencë, më shumë llogaridhënie dhe më shumë demokraci lokale. Vota dhe zgjedhja e drejtpërdrejtë krijojnë një pushtet më pranë qytetarit”, përfundoi Tabaku.