Blegtoria në Shqipëri vijoi prirjen rënëse edhe në vitin 2025, duke zbritur në 2.1 milionë krerë, ose rreth 83 mijë më pak se në vitin 2024. Sipas INSTAT, kjo rënie u diktua nga pakësimi i tufave të imta (dele dhe dhi), ndërsa numri i gjedhëve u rrit lehtësisht.
Për shkak të reduktimit të tufave, është ulur edhe prodhimi kombëtar i qumështit, duke shënuar nivelin më të ulët të dekadës gjatë vitit 2025, me 868 mijë tonë në total, nga 1.1 milionë tonë në 2015-ën.
Por pavarësisht kësaj rënie, të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit të kaluar sasia e qumështit të grumbulluar nga subjektet përpunuese ka regjistruar rritje me 6.9% krahasuar me 2024-ën. Konkretisht u grumbullua rreth 101 mijë tonë, kryesisht qumësht lope (83.2%), ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles ra me 21.1% dhe i dhive me 4.3%.
Prej kësaj sasie të grumbulluar, rreth 15 mijë tonë u përdorën për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, ndërsa pjesa tjetër shkoi për përpunim të mëtejshëm. Kështu prodhimi i djathit arriti në 10.688 tonë ose 1.9% më shumë se në 2024-ën.
Nga totali i qumështit të prodhuar vjet, vetëm 12% e tij shkoi për përpunim për tu hedhur më pas në treg, ndërsa pjesa dërrmuese mbahet nga blegtorët për konsum vetjak.
Komente








