Pak kohë më parë Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, e cila vendosi konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Urdhrit të zv. Kryetares së Bashkisë së Tiranës për lirimin e Drejtorit të Përgjithshem i Drejtorisë Juridike të Bashkisë, z. Alban Dokushi.

Në një situatë të paprecedentë juridike, në kundërshtim me çdo lloj praktike të unifikuar juridike, por dhe administrative, zv. Kryetarja e Bashkisë, e cila tanimë nuk ka asnjë autoritet apo funksion drejtues pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili nuk lejoi ndërprerjen e mandatit të Kryetarit të Bashkisë përpara afatit ligjor, refuzon zbatimin e një vendimi gjyqësor dhe nuk pranon të protokollojë asnjë shkresë të Kryetarit të zgjedhur.

Por çështja bëhet edhe më e rëndë kur kjo sjellje shtrihet jo vetëm ndaj vendimeve gjyqësore, por edhe ndaj urdhrave të kryetarit të Bashkisë, apo urdhërimeve të përmbaruesit gjyqësor, të cilat kanë për qëllim pikërisht realizimin e detyrimit të vendosur nga gjykata. Në këtë pikë lind natyrshëm pyetja:

Ku e gjen bazën ligjore dhe autoritetin funksional ky qëndrim sfidues ndaj vendimeve gjyqësore, ligjit dhe urdhrave të përmbaruesit gjyqësor?

Është e vështirë të kuptohet se ku e gjen zv. Kryetarja këtë siguri për të vepruar në kundërshtim të hapur me ligjin, përballë akteve administrative dhe, mbi të gjitha, përballë vendimeve gjyqësore që kanë karakter detyrues.Ajo që kuptohet lehtë është se, me gjasë, zonja e ka punën e parë në jetën e saj atë të zv. Kryetares, sepse përndryshe, do të duhej të ishte në dijeni, ose së paku të zotëronte njohuritë profesionale të nevojshme si “juriste”, se vendimet e gjykatës nuk diskutohen, ashtu sikurse edhe vendimet e urdhrat e një autoriteti më të lartë.

Alban Dokushi nuk ka ushtruar vetëm detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Juridike, por ka kryer njëkohësisht edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës. Pra, kemi të bëjmë me një funksionar që ka qenë pjesë e drejtimit dhe funksionimit të administratës së Bashkisë. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për të anashkaluar statusin e tij juridik dhe për të penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore për rikthimin në detyrë nuk është vetëm e pakuptimtë, por kërkon një shpjegim të qartë institucional.

Të kesh një interpretim juridik të ndryshëm është një gjë; të refuzosh zbatimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë është krejt tjetër. Të kërkosh sqarim apo interpretim institucional është një gjë; të pengosh administratën në zbatimin e një vendimi gjyqësor apo të një urdhri të ligjshëm është krejt tjetër. Në një shtet të së drejtës, ky dallim nuk është thjesht formal, por përcakton kufirin ndërmjet ushtrimit të ligjshëm të funksionit dhe arbitraritetit.

Vendimet gjyqësore nuk janë opinione, këndvështrime ose pikëpamje. Urdhrat e përmbaruesit gjyqësor nuk janë këshilla. Ligji nuk është një çështje preference personale.

Ajo që vlen të përmendet është fakti se sa individë ka në administratën shtetërore të cilët e kanë punën e parë zv. Kryetar, drejtor ose këshilltar, të cilët, mbase pa marrë ende diplomën dhe listën e notave dhe pa përpiluar një shkresë në jetë si konceptues, marrin përsipër të drejtojnë institucione ose të këshillojnë titullarë?!

Pikërisht këtu qëndron një nga kostot më të rënda të promovimit të personave pa meritë dhe pa profesionalizëm në administratë: pasojat nuk mbeten vetëm në planin personal apo politik. Ato përkthehen në vendimmarrje të gabuara, procese gjyqësore, detyrime financiare dhe, në fund, në kosto që i bart administrata dhe i paguajnë qytetarët.

Kjo është veçanërisht e dukshme në rastet e mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore, ku vonesa apo refuzimi i zbatimit të tyre mund të prodhojë detyrime të mëtejshme financiare për institucionin. Në rrethana të caktuara, një administratë mund të përfundojë edhe në situatën absurde ku, për shkak të një shkarkimi të paligjshëm dhe të moszbatimit në kohë të vendimit për rikthim në detyrë, buxheti publik detyrohet të përballojë njëkohësisht pagat apo detyrimet ndaj personit që duhej të ishte në detyrë dhe kostot e funksionarit që e ka zëvendësuar atë.

A mund të funksionojë një administratë publike nëse një funksionar zgjedh vetë se cilin vendim gjyqësor do të zbatojë, cilin urdhër të përmbaruesit do të respektojë dhe cilin urdhër të titullarit do të protokollojë?

Përgjigjja duhet të jetë e qartë: në një shtet të së drejtës, asnjë funksionar nuk është mbi ligjin dhe asnjë administratë nuk mund të zgjedhë se cilat vendime gjyqësore do të zbatojë.

Për më tepër kostoja financiare e një shkarkimi të shpallur të paligjshëm nuk mbetet një kosto abstrakte për Bashkinë e Tiranës. Çdo pasojë financiare që rrjedh nga një akt i tillë rëndon mbi buxhetin publik dhe, në fund të fundit, mbi qytetarët. Për këtë arsye, krahas konstatimit të paligjshmërisë së aktit, lind natyrshëm edhe çështja e përgjegjësisë institucionale të atyre që e kanë marrë këtë vendim dhe e kanë shkaktuar këtë pasojë financiare.

Prandaj, nuk mjafton që sot të konstatohet paligjshmëria e shkarkimit; duhet të kërkohet edhe përgjegjësia për koston që ky veprim i paligjshëm i ka shkaktuar dhe mund t’i shkaktojë Bashkisë së Tiranës, sidomos nëse pas vendimeve gjyqësore dhe urdhërimeve të përmbaruesit gjyqësor vazhdohet me pengimin e ekzekutimit të tyre.