Avokati Ermal Yzeiraj ka shpërndarë në rrjetet sociale një reagim të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili shprehet se akuza ndaj tij në procesin penal është ndryshuar jo mbi bazën e bindjes së prokurorisë, por si pasojë e një “sugjerimi” nga gjykata.
Beqaj thekson se kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi ndarjen e roleve mes organit të akuzës dhe Gjykatës. Sipas Beqajt, në seancën paraprake të datës 23.12.2024, gjyqtarja e seancës paraprake vlerësoi se cilësimi juridik i akuzës nuk ishte i saktë dhe parashtroi një cilësim tjetër, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, së bashku me elemente të rinj në arsyetim e saj.
Ish-ministri Beqaj ka ngritur shqetësimin se një praktikë e tillë cenon standardet kushtetuese dhe të procesit të rregullt ligjor.
Kujtojmë se Beqaj ndodhet në qeli në paraburgimin e Durrësit dhe po gjykohet për ‘Sterilizimin’.
Deklarata e plotë:
Në cilësinë e përfaqësuesit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:
___________________________
A mund të ngrihet një akuzë penale nga “sugjerimi” i gjykatës dhe jo nga bindja e prokurorit?
Prej më shumë se 2 vitesh po përballem me një procedim penal në GJKKO. Gjatë këtij procesi ka dalë një problem shumë serioz, që sipas meje prek jo vetëm çështjen time, por vetë standardin e KEDNJ dhe kushtetues të procesit të rregullt ligjor në Shqipëri.
Bëhet fjalë për nenin 332/d, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, dispozitë që i jep gjyqtarit të seancës paraprake të drejtën të ftojë prokurorin të korrigjojë ose saktësojë akuzën kur vlerëson se cilësimi juridik është i gabuar ose akuza nuk është formuluar qartë.
Në pamje të parë kjo mund të duket si çështje teknike procedurale. Në të vërtetë, nuk është. Është çështje themelore për ndarjen mes rolit të prokurorit dhe rolit të gjykatës.
Çfarë ka ndodhur në rastin tim?
Në procedimin penal nr. 13/2020 të SPAK, unë jam hetuar për disa vepra penale. Më 17 mars 2024 më është njoftuar me shkrim akuza për “shpërdorim detyre”.
Më pas, në seancën paraprake të datës 23.12.2024, gjyqtarja e seancës paraprake vlerësoi se cilësimi juridik i akuzës nuk ishte i saktë dhe parashtroi një cilësim tjetër: “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, së bashku me elemente të rinj në arsyetim e saj.
Ajo që e bën situatën shqetësuese është se vetë prokurorët deklaruan në sallë se:
• sipas bindjes së tyre, akuza që kishin ngritur fillimisht ishte e drejtë;
• por, për të shmangur një ngërç procedural me gjykatën, pranuan “sugjerimin” e saj.
Pra, sipas deklarimeve të vetë organit të akuzës, akuza e re nuk ishte produkt i bindjes së prokurorit, por pasojë e mekanizmit procedural të nenit 332/d, pika 3.
Ku qëndron problemi?
Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë. Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq, në emër të shtetit.
Po ashtu, neni 34 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se një person merr cilësinë e të pandehurit me aktin e njoftimit të akuzës, dhe kur akuza ndryshon, është prokurori ai që duhet të marrë vendim dhe t’ia njoftojë të pandehurit.
Edhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, kërkon që çdo i akuzuar të informohet në mënyrë të hollësishme për natyrën dhe shkakun e akuzës.
Në rastin tim, kjo nuk ka ndodhur.
Akuza e re:
• nuk më është njoftuar me një akt të ri të prokurorit;
• nuk është formuluar qartë nga prokurori në seancë;
• është referuar herë si vendim i gjyqtares së seancës paraprake, herë si procesverbal, madje deri edhe si audioregjistrim i seancës.
Pra, në thelb, unë jam vënë përballë një akuze që:
• nuk është bindja e vetë prokurorëve;
• nuk më është njoftuar me akt të rregullt të prokurorit;
• mbështetet në arsyetimin e një vendimi gjyqësor, jo në një akt të qartë akuze të organit kushtetues që ka tagrin për ta ngritur atë.
Pse kjo është e rrezikshme?
Sepse nëse pranohet kjo logjikë, atëherë kufiri mes gjykatës që gjykon dhe prokurorisë që akuzon bëhet i paqartë.
Në një proces të rregullt ligjor:
• prokurori duhet të ngrejë akuzën;
• gjykata duhet ta kontrollojë dhe ta gjykojë atë;
• i pandehuri duhet të dijë qartë dhe me shkrim për çfarë akuzohet.
Por nëse akuza del në thelb nga arsyetimi i gjykatës, ndërsa prokurori thotë se kjo nuk është bindja e tij, atëherë kemi një deformim serioz të procesit penal.
Ky nuk është më thjesht problem terminologjik apo teknik.
Ky është problem i autorësisë së akuzës, i ndarjes së funksioneve kushtetuese dhe i të drejtës së mbrojtjes.
Çfarë ngre për debat publik?
Unë mendoj se ka arsye serioze për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë së nenit 332/d, pika 3 të KPrP, të paktën në mënyrën si po interpretohet dhe zbatohet sot.
Sepse nëse kjo normë lejon që:
• gjykata të diktojë përmbajtjen reale të akuzës;
• prokurori të heqë dorë nga bindja e vet vetëm për efekt procedural;
• i pandehuri të mbrohet ndaj një akuze që nuk i është njoftuar rregullisht me akt të prokurorit;
Atëherë kemi një dispozitë të KPrP që, në praktikë, vendoset mbi Kushtetutën dhe mbi garancitë e procesit të rregullt ligjor.
Kjo nuk është vetëm çështja ime.
Ky problem nuk prek vetëm procedimin tim. Ai prek çdo qytetar dhe çdo prokuror në Shqipëri.
Nëse pranohet që akuza mund të marrë formë jashtë bindjes së prokurorit dhe jashtë aktit formal të njoftimit, atëherë cenohet një parim bazë i shtetit të së drejtës.
Prandaj, ftoj këdo që e sheh me shqetësim këtë problematikë dhe që ka tagrin për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, ta bëjë këtë.
Kontrolli kushtetues i kësaj norme nuk është interes personal.
Është nevojë për të mbrojtur ndarjen e roleve në procesin penal, të drejtën e mbrojtjes dhe vetë procesin e rregullt ligjor.
Komente










