Reforma në Drejtësi dhe rezultatet që ajo ka sjellë në sistemin gjyqësor, janë kthyer në objekt polemikash, me analistë që i mbështesin ndryshimet dhe të tjerë që pretendojnë se ndryshimet janë të paplota dhe nuk kanë sjellë përmirësim të sistemit.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, avokati Alban Duraj u shpreh se politika në përgjithëse nuk ka dashur një sistem të fortë gjyqësor.
Duraj ngriti shqetësimin e numrit të reduktuar të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë, të cilët po operojnë në gjykatat e vendit.
“Unë mendoj se politika në përgjithësi nuk e ka dashur një sistem gjyqësor të fortë. Dhe prandaj jemi këtu ku jemi. Kemi vende ku duhet të shtohen numri i këshilltarëve ligjorë dhe gjyqtarëve. Pra kemi gjykata apeli që kanë një numër të reduktuar gjyqtarësh, të cilat nuk kanë arritur ende numrin e gjykatës së apelit të mëparshëm që ka qenë vetëm për Tiranën”, tha mes të tjerash Duraj.
Për Durajn, është mazhoranca socialiste që ka shfaqur më shumë interes për impelemtimin e Reformës në Drejtësi, mbështetjen e gjyqësorit dhe organit të akuzës.
“Unë mendoj se jemi në kuadrin e demagogjisë. Nga njëra anë shikojmë një interes të shtuar të ekzekutivit apo edhe të shumicës qeverisëse, e cila kërkon implementimin e Reformës në Drejtësi, mbështetjen ndaj gjyqësorit dhe organit të akuzës dhe nga ana tjetër, ne shikojmë në çdo fund-viti që këto institucione kanë kërkuar rritjen e buxheteve për administrimin e këtyre institucioneve, në mënyrë që të kenë mundësi që të shtojnë ndihmësat ligjorë”, vijoi më tej Duraj.
Nga ana tjetër, avokati Zaçe Islami e cilësoi Reformën në Drejtësi të dështuar, teksa e bëri përgjegjëse edhe për stoqet e dosjeve nëpër gjykata.
Për Islamin, Reforma në Drejtësi ishte një luftë e pashpallur për pastrimin e strukturave të drejtësisë nga elementë jo-komunistë. Pra sipas tij, sot sistemin e drejtësisë në Shqipëri e zotërojnë komunistët.
“Mjerë qytetari i shkretë që shkon në dyert e drejtësisë. Ai e di ç’heq, ai e di ç’paguan. Edhe nuk merr drejtësi. Duhet të dalë përgjegjësia kush e shkaktoi këtë rrëmujë. Dhe rrëmujën e shkaktuan ata që bënë të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi. Sepse vetëm reformë nuk ishte. Kjo ishte një luftë e pashpallur, e padeklaruar, për pastrimin e strukturave të drejtësisë nga elementë që nuk kishin lidhje me Partinë Komuniste të Punës Socialiste Rilindase Demokratike të Shqipërisë. E njëjta parti është, është Partia e Punës në pushtet. Dhe partia e punës nuk i lëshon njerëzit e saj. E mbajti, i ka dhe në të gjitha strukturat e drejtësisë janë ata”, tha mes të tjerash Islami.
Ndërkohë Islami ngriti edhe shqetësimin e marrjes së vendimeve nëpër gjykata, në dhomat e këshillimit. Duke e cilësuar këtë si një praktikë komuniste, Islami tha se marrja e vendimit në dhomë këshillimi, nuk i jep mundësi avokatit të mbrojë klientin e tij.
“Këtu merren vendime në dhomë këshillimi, pa prezencën e avokatit dhe prokurorit. Dhe vendos vetë gjykatësi. Kjo është e papranueshme. Të mos vejë avokati i palës që të mbrojë palën që ka marrë në mbrojtje, do të thotë të kthehesh në vitin 1966, kur Enver Hoxha suprimoi ministrinë e Drejtësisë, hoqi avokatët nga sistemi i drejtësisë, sepse të dënonte partia. Praktikisht ajo po bëhet. Të dënon gjyqtari në dhomë këshillimi dhe merr vendimin ai. Kam rastin e një gjyqtari që ka bërë 3 seanca këtë muaj në dhomë këshillimi”, vijoi më tej Islami.
Komente










