Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po operon me proceset e saj si në kontrolle biznesesh për aksionin e informalitetit të pagave, ashtu edhe në rimbursimin e kësteve të parapaguara të tatim-fitimit nga profesionet e lira, pak pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e Qeverisë.
Administrata Tatimore njoftoi sot (27 Dhjetor) se po ‘vijon procesin e rimbursimit të kësteve të parapaguara të tatimit mbi fitimin dhe tatim-fitimit të thjeshtuar, duke synuar përmbushjen e afatit ligjor të përcaktuar në aktin normativ, 30 dhjetor 2024’.
“Aktualisht janë rimbursuar 6.1 milionë euro për 7688 tatimpagues në total. Ftojmë 449 tatimpaguesit e mbetur të deklarojnë të dhënat e llogarive të tyre bankare në një nga bankat e nivelit të dytë, në monedhën Lek, për të garantuar një proces të shpejtë dhe të saktë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Çështja e taksës së tatim-fitimit për profesionet e lira u kthye në një ‘kalë beteje’ për opozitën dhe mazhorancën, me të parën që e cilësoi si antikushtetues ligjin dhe e dyta që këmbënguli se ishte i nevojshëm.