Profesori i biologjisë në Kosovë i përket një bote më të mirë

Profesori i biologjisë në Kosovë i përket një bote më të mirë

Profesori i biologjisë Lulzim Paci është dukshëm në një botë tjetër: në atë të haresë, mirësisë, vlerave, gëzimit, festimit. Në shtëpinë e tij të thjeshtë, nga ku ka bërë videon e valles tradicionale shqiptare, krenar për traditën dhe rrënjët që shumë prej nesh po i presin e shkulin pa mëshirë, duket tavani. Eshtë një qiell i kaltër me re puplore. Eshtë tavani i një njeriu të ëndrrave dhe të vlerësimit të natyrës.

Pastaj mësuesi i biologjisë u përball me urrejtjen pasi e shpërndau videon e tij të gëzueshme në rrjetet sociale dhe më saktë në Tik-Tok. Duket sikur disa nuk u përmbajtën për t’u tallur, për ta sulmuar, madje edhe për ta kërcënuar nëse e meriton apo jo vendin e punës me atë që bëri.

Njerëzit i japin një vlerësim të ekzagjeruar mediave sociale. Disa janë të bindur se aty është jeta, realiteti, por kjo nuk është statistikisht e vërtetë. Vetëm një përqindje e vogël e njerëzve jetojnë dhe kalojnë kohën e tyre në rrjetet sociale. Nëse shihni edhe influencerin me numrin më të madh të ndjekësve në botë, mbetet gjithësesi një grimcë e vogël milionash përballë 8 miliardë banorëve që jetojnë në këtë Tokën tonë të mrekullueshme. Merrni dhe shikoni dhe njeriun me me shumë pëlqime “like” dhe ndjekës edhe në botën shqiptare. Disa mijëra nuk janë asgjë përballë qindra mijërave që kanë vendosur të mos jenë aktivë në mediat sociale. Ata që urrejnë janë më të motivuar se ata që pëlqejnë të shprehin dufin e tyre, ndaj duket sikur janë më shumë, por në të vërtetë janë pak, janë shumë pak. Janë miliarda njerëzit që nuk kanë kohë, nuk kanë dëshirë, nuk kanë interes të harxhojnë sekonda, minuta, të jetës së tyre të vyer në botën virtuale. Vlerat e kontaktit njerëzor, të kontaktit me natyrën dhe me magjiken që jeta e vërtetë ofron, është miliona fish më interesante për shumë banorë të globit tonë.

Atëherë, pak vetë sulmuan profesor Lulzim Pacin në rrjete sociale, shumë të tjerë e panë dhe nuk u shprehën as me një aprovim, as me një sulm, shumë të tjerë e pëlqyen dhe nuk thanë asgjë. Miliona e miliona të tjerë as nuk e kanë vënë re pasi e kalojnë kohën duke prodhuar bukë, duke vizituar të sëmurë, duke dhënë mësim, duke pikturuar, duke dashuruar, duke udhëtuar etj.etj.

Profesori i biologjisë dha vetëm disa impulse hareje dhe pozitive me videon e tij, duke kërcyer në shtëpi. Kush nuk e kuptoi e kush e sulmoi, thjeshtë doli vetë zbuluar duke treguar qartazi se është, janë, njerëz që kanë humbur ndjeshmërinë, që nuk dinë të dallojnë të dëmshmen për një shoqëri, nga një performancë e thjeshtë miqësore e përcjellëse e një ndjenje të mirë.

Prindërit e Kosovës duhet të jenë shumë të lumtur nëse ky mësues biologjie ua shpjegon po me aq hare e gëzim edhe biologjinë nxënësve.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë