Në çorbën e politikës gatuhen gjellë të kripura, vështirë për tu përtypur prej një stomaku të pamësuar të tresë çfarë nuk i përshtatet me shijet. Kazani ynë i jetës publike ka tridhjetë vite që zien e gurgullon pafund emra njerëzish veshur me hijet e mosnjohjes, me ambicie e dëshira naive shpesh, të fuqishëm që kërkojnë të zaptojnë territore dhe të brishtë, të cilët përpëliten në gjetjen e një strehe tu nxërë pritshmëritë.

Lajmet që vijnë nga mëhalla zhurmëmadhe janë të mbushura me andralla dhe më tepër prapaskena sesa shfaqje të përbalta me ata që përbëjnë fuqinë e vërtetë të këtij vendi: njerëzit e thjeshtë, që ngrihen çdo mëngjes me shpresën sesi të mbajnë gjallë frymën e familjes dhe vit pas viti shohin si shtrohet një rrudhë më shumë në ballë e tkurret kurrizi dalëngadalë prej punës.

Në vetëdijen time dhe eksperiencën jo të pakët në vite brenda qerthullit politik, me vullnetin e fjalës që mbart mbi supe dhe një punë studimore imponuar nga vetë profili i shkollimit tim, mora përsipër të hedh shkujdesshëm disa rreshta për atë njeri mendjehollë, që hyri vrullshëm në vëmendjen mediatike dhe i trazoi jo pak ujërat e ndenjura të politikëbërjes, por dyfish më tepër tronditi kundërshtarët, të cilët të panjohur me këtë “prerje” të re të një rebeli, që nuk ishte standard i Shqipërisë së mësuar me kuadro shabllonë që kanë për detyrë vetëm të miratojnë, por jo të mendojnë, u duhej të sajoheshin për ta sulmuar, sepse nuk ishte e lehtë t’i gjeje pikat e dobëta një artisti që i pranonte hapur dhe pa ndroje ato. 

Edi Rama është ndoshta i vetmi lider shqiptar që nuk e fitoi dashurinë e njerëzve pasi u bë pjesë e politikës. Askush nuk e ndoqi për interes në fillimet e tij, kurrkush nuk e admiroi prej një copë karrigeje dhe asnjë s’e sulmoi prej fuqisë së pushtetit shtetëror. Njerëzit e deshën qyshkurse ishte djalosh i mirëartikuluar që frymëzonte me shqipen e pastër, pastaj si publicistin e vëmendshëm me penën e hollë, i cili vinte dorën në plagë dhe ulërinte të vërtetat troç, për të krijuar profilin e ministrit që jo domosdoshmërisht duhet të jetë teknicien apo politikan karriere për të pasur sukses, por vlente të qenit i mbartur me pasione dhe vullnet pozitiv për t’iu përkushtuar punës dhe me shumë guxim për të thyer stereotipe, i aftë për të menduar ndryshe nëse ndryshimi sjell zhvillim. Edi Rama e kapërceu me sukses atë sprovë për të kaluar në një tjetër degë, që lulëzonte shpresë dhe kishte të ardhme nëse punohej me dashuri dhe nëse njerëzit do mundeshin t’i vilnin frytet e ëmbla prej vendit ku ishin lindur e rritur, të cilin e kishin parë tek jepte avash në heshtje shpirt, pa mundur dot t’ia zhvishnin shëmtinë: Sfida ishte kthimi i Tiranës nga një hale e madhe publike, në një qytet me dinjitet dhe plot jetë. Kjo mbase qe trampolina që i solli fitoret dhe fuqinë e vërtetë kryeministrit aktual.

Por, sidoqoftë kjo panoramë është fasada që njohim të gjithë, ka qenë përherë e ndriçuar dhe në vëmendjen e kujtdo të interesuari; dhe ajo dritë që bie mbi të herë shfaqet e pastër e rrezendjellëse, herë me hije, sipas këndit të shikimit dhe dashamirësisë së syve vrojtues. Çka jo të gjithë munden ta vërejnë është njeriu që zgjohet brenda Edi Ramës kur fiken kamerat; dhe diferenca mes kryeministrit e artistit, mes të parit të Shqipërisë dhe shqiptarit të zakonshëm që është një prej qytetarëve të këtij vendi, mes Edit si idealist dhe Ramës si pushtetar, është ajo që bën diferencën çdo katër vite dhe vendos fatin tonë të përbashkët.

Më ka dallgëdisur profesioni dhe pasioni për të qenë në brendësi të politikës, me shumë syresh që synojnë të kapërcejnë gardhin prej nga mund të shihet qartë panorama e atij realiteti që vjen i ngrirë e i paketuar gati për tu përtypur në shtëpinë e çdo shqiptari, por kërkon shumë mund e zhdërvjellje mendore për tu pranuar në atë territor aspak të lehtë, agresiv, por emocionues e sfidues.

Kam biseduar me shumë “politikanë” që në të vërtetë më kanë lënë me përshtypjen se janë hajvanë dhe injorantë, të paaftë të lidhin dy mendime bashkë, që rastësia dhe pasuria u ka hapur dyer, që në të vërtetë meritojnë t’ua përplasësh surratit.

Edi Ramën e thumbojnë duke i vënë në pah arrogancën që shfaq në komunikimin publik. Dhe pikërisht ata që e vënë në dukje këtë detaj, janë njerëz që në sytë e publikut shfaqen të thjeshtë, të mirëkuptueshëm e të qetë, miklues dhe komunikues, por në të vërtetë të transmetojnë ligësi dhe dashakeqësi kur i dëgjon teksa flasin në momentin që kamerat fiken. Fytyra e vërtetë e tyre është shumë ndryshe nga dukja përmes ekranit.

Maksimumi i arrogancës së Edi Ramës është fjala që shfaq publikisht, e cila sidoqoftë nuk mbart të keqen, por është pjesë e karakterit të tij rebel që ka mbetur e pandryshuar. Ama, në komunikim, Edi Rama nuk të thyen, nuk tenton të të ulë dinjitetin dhe nuk i nevojitet ta poshtërojë personin që ka përballë për të fituar debatin me të. I vendos festen sipas kokës kujtdo dhe e ja blen mendimet përpara se t’i shprehë, duke u sjellë më tej sipas profilit që ka ndërtuar për dikë në bazë të komunikimit. Të qenit i vërtetë dhe i drejtë, të mbajturit e fjalës dhe refuzimi për të mashtruar, edhe pse i ndërgjegjshëm që këto sjellje mund t’i japin kosto politike dhe mbledhje pirg të pakënaqësive, janë disa karakteristika që e dallojnë nga çdo politikan tjetër dhe e mbajnë stekën e prishmërive të qytetarëve shumë më lart se habitati ku fle e zgjohet fati politik. E kam dëgjuar personalisht (e ndoshta bëj gabimin që citoj pa u autorizuar fjalë të tij), por më ka mbetur përshtypja pozitive teksa në takimet konfidenciale nuk thur plane si t’ua hedhë shqiptarëve, por lë porosi “t’i zgjidhen hallet njerëzve”.

Në shumë syresh të politikanëve fle e keqja dhe mbledhjet mes tyre janë si strehë nepërkash. Pjesa më e madhe janë impotentë të mendimit dhe atë siklet, të ndërgjegjshëm që e kanë, përpiqen ta kamuflojnë duke e “kryqëzuar” tjetrin që kanë përballë. Tentojnë të luftojnë duke sulmuar njeriun, jo argumentin. Pikërisht ata të butët, syqeshurit që e dënojnë fort arrogancën dhe kanë një vlerësim maksimal për njeriun sapo shfaqen para kamerave. Kur e vërteta është shpirtvogëlsia e tyre dhe mungesa e dinjitetit njerëzor, gati t’i lëpijnë edhe këpucët Edi Ramës, mjaft që tu hedhë një thërrime të ngopin barkun, të cilin janë mësuar ta mbanë të fryrë.

Por, a ka gabuar Edi Rama gjatë këtyre tetë viteve qeverisje, apo është krejt i larë e i kulluar nga çdo mëkat? Sigurisht që po, dikush mund t’i gjejë një, apo dhjetë, njëqind a një mijë gabime, të gjitha sipas pritshmërive që kemi pasur ndaj tij në fillim kur mori pushtetin. Sa më i lartë vlerësimi për figurën e liderit, aq më e fortë do jetë dhe kritika për mosrealizimin e ndonjë premtimi të dhënë. Gabimin më të madh në këndvështrimin tim nuk e ka tek ato punë që kanë mbetur të papërfunduara, sepse për një projekt që ka ndenjur për shumë dekada në sirtar, nuk është krim apo tradhti kombëtare pse u zgjat me disa muaj afati i realizimit. Në këndvështrimin tim modest, duhet një riformatim i njerëzve që zgjedh tu japë besim. Si një artist që i hyri politikës me zërin rebel dhe e mbajti gjallë atë frymë dhe sot e kësaj dite, ai e kupton shumë mirë se nga të ngjashmit e vetes nuk mund t’i vijë asnjë e keqe, as atij, as partisë dhe as Shqipërisë. Madje, ato zëra duhen për të gurgulluar ujërat e ndenjura, të cilat nisin të qelben kur kalojnë ca kohë palëvizur. Detyra e tij e vështirë është të spikasë të ngjashmit e vetes, për t’i dhënë fuqi dhe energji pushtetit.

Në 30 -të vite demokraci dhe liri politike, në këtë gjurulldi emrash që kanë pushtuar ekranet dhe institucionet shtetërore duke ndikuar me vendimmarrjet e tyre në jetën tonë, disa qëndruan dhe qarkulluan për vite me radhë në zinxhirin e kohës, shpesh të rrëmujshëm, shumica humbën edhe më parë se të iknin nga skena publike.

Por në hendekun e madh mes politikës si frymë dhe politikanëve si alternativë, të rrallë ishin ata që u skalitën në shtyllat e politikëbërjes së këtij vendi. Besoj se vetëm tre prej tyre arritën të ngrinin themele politikisht të forta që mbijetuan, në përpjekjen e shtershme tre dekadëshe, për të zbatuar rrymën e tyre të drejtimit, me mesazhet e qarta politike dhe shtetformuese: Edi Rama, Sali Berisha dhe Fatos Nano.

Pjesa tjetër e qokave partiake janë thjesht “zhurmë mediatike”, të paaftë të ngrijnë një frymë për tu adhuruar, për tu kthyer në simbol, në shpresë, në besimin për një të nesërme më të mirë. Janë vetëm tre, e ndërsa z. Nano dhe z. Berisha e përmbyllën ciklin me vullnet të lirë pas vendimit popullor, z. Rama është i vetmi që ka ende një mision të pambyllur dhe besën me vendin e tij për t’i ndritur fytyrën. Kjo është një arsye se pse do doja ta shihja edhe një mandat si kryeministër të shqiptarëve.

Sepse pas tij, do duhet kohë derisa të lindë një “ideal” që të gjejë strehë tek një shpirt njerëzor.