Profil për balerinin Dedin Suli
80 vjet kërcim dhe fjalë për të

TIRANE- Koha ikën, rrjedh heshturazi, gëlltit ngjarje, kujtime, emra, histori, procese e dukuri, shumë syresh i kthen në harresë. Por ka gjësende të tjera që shosha e kohës i mban përsipër për t’ua dhënë brezave të tjerë si referenca, përvoja të riciklueshme apo dituri. Dedin Suli, balerini, koreografi dhe studiuesi i këtij arti me disa libra të botuar dhe shumë shkrime në shtypin e kohës, po mbush 80 vjeç.

Ai jeton sa në Padova ku ka fëmijët e tij, aq dhe në Tiranë, ku ka miqtë, kujtimet, strehën, lagjen, qytetin, respektin. Është një farë shtegtari Itali-Shqipëri. Veç mendjen e ka përherë këtu, paçka se trupi mbetet andej një pjesë të vitit. S’është i vetmi, koha e tillë erdhi: andej-këndej. Dhe mall shumë. Me atë hirin, sqimën dhe sjelljen e tij prej aristokrati, ky artist, studiues e njeri i dashur e fiton jo me përdhunë a shtirje, por vetvetiu dhe sinqerisht respektin dhe vlerësimin tënd.

Unë kam pasur rastin t’ia lexoj librat, madje edhe të shkruaj për to në gazeta a të flas në promovimet e tyre. Kam pikasur në radhët e fletët e shumta të tyre një dashuri të thellë që derdhet e derdhet pabëzaj për artin e koreografisë, për balerinët dhe historinë e këtij arti në Shqipëri, për fillesat e vështira mbushur përplot pasion dhe ëndrra; kam pikasur po ashtu atë përkushtim gati religjioz të tij për t’i bërë të njohura arritjet, ndihmesat e njerëzve të shquar të baletit shqiptar, lavditë e tij të gjalla, reminishencat, dritën dhe vlerat që koha sa shkon i bën edhe më vezulluese.

Me vëllimin prej 324 faqesh, në një format të madh libror, me më shumë se 200 foto bardh e zi por tejet të qarta dhe të punuara, si dhe me një faqosje elegante dhe të shpërndarë mirë në hapësirën shkrimore, “Historiografia e Artit Koreografik Shqiptar” e Dedin Sulit, padyshim që është për mua një kontribut bazik në historiografinë e baletit shqiptar. Është dashur vërtet shumë punë. Dhe sërish e sërish punë.

Nuk bëhen kollaj. Faktologjia apo « database » është aq e gjerë sa kërkonte kohë pa fund për t’u mbledhur, sistemuar, kategorizuar, listuar. Librat e tjerë të tij si ai i Enciklopedisë së koreografisë shqiptare, monografitë për koreografin e shquar Agron Aliaj dhe vallëtarin e talentuar të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Rexhep Çeliku, janë përhirime dhe dashuri e blatuar për bardët e shpirtit të popullit, artistët e baletit, të cilët ngritën muranën e tyre antropologjike të njërës prej shenjave më identitare të popullit tonë siç është arti i kërcimit, vallja popullore dhe baleti klasik.

Skrupuloz siç ai është, ndonëse vështrimi i është dobësuar fort nga leximet dhe mosha, në gjithëçka që ka shkruar e botuar nëpër vite ka bërë ravijëzime të qarta të proceseve historike të koreografisë, zhvillimet dhe dukuritë e saj në vendin tonë, personalitetet më në zë, sikurse vlerësime e shqyrtime të produktit të begatë që është shndërruar tashmë në trashëgimi artistike e kulturore..

Dedin Suli në këtë moshë ka se përse të krenohet, ka se ç’ti thotë brezave. Kupën e jetës e ka plot. Koha e tij ka qenë e mbushur me punë, ndërsa pasioni i ka prirë si ylli polar shtegtarëve e lundërtarëve. Po, ai ka shtegtuar dhe lundruar nëpër filologjinë e artit. E them këtë se, duke qenë edhe unë pjesë e sektit apo zejes së studiuesve dhe kritikëve të letërsisë dhe artit, e di se sa ngulm e mund, se sa netë pa gjumë, se sa rrëmime nëpër arkivat e pluhurosur dhe librat e vjetër a të rinj duhet, që prej andej të thuash edhe ti një fjalë tënden, një fjalë ndryshe.

Teksa i sjell ndër mend librat e Dedinit, si shumëkush që i përkulet dhe e dashuron artin dhe artistët, edhe ai ka sjellë aty plot hir estetik, me nostalgji dhe me admirim transhendencën mes artit-artistit-jetës-dhe qenies, të fshehtat, mrekullinë, magjinë dhe fuqinë transformuese të artit, semantikën e ndërlikuar të veprave dhe produktit artistik.

Ai ka mundësuar që në konceptin e tij analitik të dallojë e shpjegojë qartë urën lidhëse midis vallëzimit popullor të derdhur në tipologjitë befasuese të saj, përfshi gjithë trevat folklorike të vendit, nga njëra anë dhe formave të përpunuara e moderne, ndryshe thënë baletin a koreografinë si art i kultivuar, nga ana tjetër.

            Në penën dhe vëmendjen e studiuesit Suli datojnë gjithë ngjarjet dhe proceset e lindjes dhe zhvillimit të artit të baletit në Shqipëri, qysh nga fillesat e viteve të monarkisë e më pas me ngritjen e «Grupit të Baletit » në fillimin e viteve ‘50, kur Shqipëria ende mbyllte plagët e hapura dhe përballonte urinë, varfërinë. Dimensionit të Panajot Kanaçit si fillimtar e artist i madh iu qas më pas një djalosh i imët, Agron Aliaj, që më vonë u bë ndër emrat që vunë shenjë e gurë kilometrikë në udhën tashmë të hapur të vallëzimit shqiptar.

Ndërsa e risheh vëllimin e madh të shkrimeve, shqyrtimeve, analizave, portreteve dhe deduksioneve që Dedin Suli ka derdhur nëpër librat dhe shkrimet e tij të shumtë, vjen në idenë e një pune këmbëngulëse e të pandërprerë, me blloqe shënimesh në dorë, me hulumtime në shtyp e arkiva, duke e ndjekur artin e baletit hap pas hapi e duke marrë rolin e një kronikani.

Ai kishte fatin të ishte vetë pjesë e trupës së baletit; e pa nga përbrenda atë, e ndoqi vetë se si ky art lindi, se si hodhi hapat e parë, se si u zhvillua dhe u përsos, se si ndiqte dhe aplikonte gjithnjë e më mirë kodet e një arti modern, gjithmonë në ecje e ngjitje.

Pra kurrë ai nuk e ka parë koreografinë me syrin e ftohtë, por më së shumti e ka parë me syrin e «ngrohtë», pasi ishte pjesë e tij, brenda tij, pjesëtar i tij, bard i tij. Dhe kjo është diçka e veçantë që nuk e kanë gjithë kritikët apo studiuesit. Ai kishte jo vetëm vullnetin dhe argumentin shkencor për të kuptuar e dalluar vlerat e njëmendta të artit të baletit dhe të valleve popullore shqiptare shënuar nëpër vite, por edhe sidomos instinktin dhe intuitën si balerin e koreograf që ishte. E kjo i jepte skeptrin për të mos gabuar në vlerësime.

Në mendimin e D. Sulit rrinë pranë e pranë kontributet e  emrave që i kanë dhënë frymë e fytyrë koreografisë sonë, të cilët qenë po kaq kolegë, miq të tij si Kanaçi, Aliaj, Selimi, Kaceli, Tërshana, Bogdani, Papa, Kerni, Zekthi, Vorpsi, Cingu, Agolli, Çeliku, Sukniqi, Shtino, Jazexhiu, Prevazi, Janku, Bakiu, Koka, Arbana, Ibërshimi etj.

Ai ka shkruar po ashtu për institucionet që promovuan dhe e zhvilluan artin e baletit, filluar nga Teatri i Operas dhe Baletit, Ansambi i Këngëve dhe Valleve Popullore, Akademia e Arteve, Shkolla e Koreografisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Ushtrisë dhe gjer tek shoqatat, festivalet dhe organizmat që kanë dhënë ndihmesë të vyer në zhvillimin dhe konsolidimin e këtij arti.

Ai ka sjellë në vëmendjen e lexuesit të gjerë vlerësime të drejta e të mençura për thuajse gjithë korpusin muzikor e koreografik të baletit, filluar nga “Shatërvani i Bahçisarajit” më 19 prill 1951, “Esmeralda” më 11 janar 1953, “Kujdesi i kotë” në 1956, “Romeo dhe Zhuljeta” më 1957, për të vijuar me sukseset e baleteve “Lola”, “Zarema e humbur”, “Zhurale”, “Fadeta”, “Laurencia”, “Sheherazade”, “Petja dhe ujku”, duke mbërritur më pas në veprat origjinale kombëtare si “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Bijtë e peshkatarit”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada”, “Cuca e maleve”, “Tokë e pamposhtur” etj.

Veprat vijnë një nga një në syrin analitik të autorit, derdhur nëpër librat e tij, ku duhen veçuar mepatjetër analizat e baleteve “Zhizel”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Liqeni i mjellmave”, “Katedralja e Parisit”, “Zorba”; ose vlerësime e qasje analitike për pjesët koreografike brenda operave që janë vënë në skenë.

Në fund të çdo shkrimi, sidomos në raste përvjetorësh, sajohet një urim a diçka e përafërt. Një kafe miqsh e një gotë verë do desha ta ngrija me këtë njeri fisnik këtu në Tiranë. E di se ai është i mirëpritur nga shumë e shumë miq të tjerë. Ndoshta më lejohet në këto rradhë të bëhem zëri i tyre dhe t’i them Dedinit: Edhe 100 mik i dashur, libra e shkrime të tjerë! Gëzuar!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ U ekstradua të mërkurën nga Turqia, Dritan Rexhepi në GJKKO për komunikimin e masës së sigurisë

Tiranë/ U ekstradua të mërkurën nga Turqia, Dritan Rexhepi në GJKKO për komunikimin e masës së sigurisë