Profili i protagonistëve të përgjimeve nga Astrit Avdyli tek Ilir Ndraxhi

Profili i protagonistëve të përgjimeve nga Astrit Avdyli tek Ilir Ndraxhi

Astrit Avdylaj, Elton Arbana dhe Vangjush Dako

Publikimi i audio-përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, përpos befasisë për shkak se, bisedat zyrtarisht duhet të ishin vetëm në duart e Prokurorisë për Krimet e Rënda, ka trazuar edhe një herë arenën politike shqiptare, duke rikthyer polemikat, akuzat dhe mjegullnajën rreth dosjes 339/1. Po kush janë protagonistët e përgjimeve të publikuara nga “Bild” dhe çfarë përfaqësojnë ata? Protagonisti kryesor i audio-përgjimeve të publikuara është Astrit Avdyli, një personazh i famshëm tashmë, jo vetëm për shkak të së kaluarës kriminale, por për të lakimit të emrit të tij nga aktorët kryesorë të politikës shqiptare. Ai nuk përfaqëson asnjë post politik apo shtetëror, por në përgjime ai shfaqet si një autoritet imponues, që planifikon, organizon, vepron, dikton dhe lëviz fijet e prapaskenës së fushatës elektorale.

Në plan të dytë shfaqet kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos, jo për shkak të rolit të tij në zhvillimin e ngjarjeve, por për të nivelit dhe figurës politike që përfaqëson në kampin e shumicës në pushtet. Një rol jo më pak të rëndësishëm ka edhe deputeti i Partisë Socialiste Ilir Ndraxhi, i cili nuk është protagonist në asnjë nga bisedat e përgjuara, por që bashkëbiseduesit e tjerë flasin më shumë se për këdo tjetër. Ndërkaq, mister mbetet historia e gjobës. Astrit Avdyli i telefonon Elton Arabanës (aktualisht kandidat i PS për Bashkinë e Shijakut), me një ton irritues dhe imponues, ndërsa i ankohet për një gjobë që i kishte vendosur INUV një gjobë 5 milionë lekë në vendin e quajtur Fermë të Sukthit. Astrit Avdyli e merr në telefon Elton Arbanën, pasi ai është kreu i PS në Shijak. Nga verifikimet që ka kryer Shqiptarja.com një gjobë e tillë nuk ekziston.

Astrit Avdyli
Astrit Avdyli është protagonisti kryesor i audio-përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, përgjimeve që i përkasin dosjes 339/1. Avdyli njihet si koka e grupit të Shijakut, i arrestuar që prej 21 tetorit të vitit 2018, në kuadër të operacionit ‘Volvo 4’, ku akuzohet për trafik heroinë në Shqipëri dhe në Gjermani. Prokuroria pati ndërtuar lidhje mes organizatës kriminale të Avdylajve në Shijak, Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë. Astrit Avdyli, 45 vjeç, rezulton i dënuar me 16 vjet burg për një vrasje. Në vitin 1996 u vra më armë zjarri, Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut”. Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.

Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin. Ndërkohë që Jasmin Avdyli është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian. Ai kishte disa vite që ishte liruar nga burgu dhe jetonte në Shijak. Po si doli Astrit Avdyli nga burgu? Ndonëse i dënuar me 16 vite burg, Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Por vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat. Ai vijon të jetë në burg që prej 21 tetorit 2018.

Vangjush Dako
Kryetari i bashkisë së dytë më të rëndësishme në Shqipëri (Durrësit) dhe një ndër figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste. Vangjush Dako drejtor prej 12 vitesh bashkitë e dytë më të rëndësishme pas Tiranës, ndërsa vitet e fundit ka qenë në shënjestrën e sulmeve të Partisë Demokratike, më shumë për shkak të peshës politike se sa për veprimtarinë e tij. Shkollën e lartë e mbaroi në vitin 1991 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Për një periudhë afro 10-vjeçare, iu kushtua tërësisht nismës private, duke themeluar e zhvilluar veprimtarinë e sipërmarrjes së lirë. Ndërsa pas angazhimit në politikë ka mbajtur postin e Kryeinspektorit të Inspektoriatit Ndërtimor të Qarkut Durrës dhe atë të Drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për Qarkun Durrës. Vangjush Dako është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Sa i takon pasurisë, Dako është pronar i një pallati 11-katësh me sip. totale 3 640 m2 në vlerën 72 000 000 lekë, i një toke truall me sip. 1 800 m2 në vlerën 50 000 dollar, i një magazine me sip. 187 m2 dhe i një trualli me sip. 539 m2 në vlerën 550 000 lekë, i një magazine me sip. 300 m2 në vlerën 500 000 lekë, i një apartamenti me sip. 130 m2 në vlerën 40 000 dollar etj.

Ilir Ndraxhi
Ilir Ndraxhi është deputet i Partisë Socialiste. Ndraxhi nuk ka rol bashkëbiseduesi në përgjime, por ai përmendet në përgjimet e Astrit Avdylajt me personat e tjerë. Ndraxhi është një deputet me profil të ulët në media, por ai është emër i njohur në Shijak për shkak të bizneseve të tij. Ai posedon 10 pasuri të paluajtshme të deklaruara. Konkretisht, deputeti Ndraxhi deklaron sipërfaqe toke 2000 m2 në Durrës, një tjetër sipërfaqe 2000 m2 në Durrës, 4500 m2 tokë në Xhafzotaj, tokë-truall me sip. 1005 m2, sip. ndërtimore 120 m2 në Durrës, apartament 114 m2 në Durrës, vlera 1 500 000 lekë. Ndraxhi posedon gjithashtu truall-ndërtesë me sipërfaqe 234.3 m2, nga e cila 77 m2 ndërtesa në Kavajë, me vlerë 2 050 000 lekë, bashkëpronar me bashkëshorten i një trualli me sip. 206.42 m2 nga kjo 174.42 m2 ndërtesë në Durrës, vlera 7 300 000 lekë, pronar i një sip. 5969 m2 truall + 1197 m2 ndërtesë me vlerë 11 644 025 lekë.

Ai është gjithashtu pronar i një trualli me sip. 430 m2, sip. ndërtimi 229 m2 në Durrës, vlera 2 042 500 lekë si dhe i një trualli tjetër në Xhafzotaj të Durrësit me sipërfaqe 6399 m2 në të cilin ndodhet një ndërtesë me sip. 3453 m2. Ilir Ndraxhi është në shoqërinë "Prodhime Metalike" sh.a, me aksione me vlerë 4 500 000 lekë; 4 500 000 lekë; 4 500 000 lekë; 3 100 000 lekë; 4 000 000 lekë dhe 3 900 000 lekë. Është ortaku i vetëm i shoqërisë 'IAM' sh.p.k pas blerjes së 50 % të kuotave në vlerën 12 550 000 lekë, shoqëria lënë nga babai. Vlera e kapitalit të shoqërisë 25 100 000 lekë. Është Ortak me 72 % i shoqërisë 'IAM' shp.k pas bashkimit me përthithje me shoqërinë 'Glan' sh.p.k. Vlera e aksioneve pas bashkimit, 120 100 000 lekë. Sa i takon arsimimit, Ndraxhi ka arsimin e lartë si inxhinier pyjesh. Si eksperiencë pune, ai ka nisur si shofer në Parkun e Mallrave Durrës dhe në Drejtorinë e Hekurudhave në vitin 1988-1992. Deri në 1998 ka punuar si menaxher në firmën “Ndraxhi”. Në vitin 1999 deri më 2006, bashkëpronar me Muhamed Ndraxhin në firmën IAM. Nga vitit 2006 dhe deri para se të behej deputet, ai ka qenë administrator i shoqërisë IAM.

Arjan Ndraxhi
Arjan Ndraxhi është vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Ilir Ndraxhi. Ashtu si i vëllai, ai është emër i njohur në Shijak për shkak të bizneseve të tij. Ilir Ndraxhi ka tre komenti të mëdha që nga viti 1999, dy me qendër Xhafzotaj dhe një në Maminas. Kompanitë e tij aktivizohen në fushat: Import-eksport mallrave bujqësore, blegtorale, plehrave kimike. Materiale ndërtimi. Artikuj ushqimore e industrialë të paketuar, hidrosanitare e elektroshtëpiake. Tregtimi i tyre me shumicë dhe pakicë si dhe transportimi me mjetet e veta dhe të marra me qera nga të tretët.

Elton Arbana
Pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane Bild, rezultoi që Elton Arabana ishte një prej personave, i cili bisedoi në celular me Astrit Avdylajn. Arabana është aktualisht kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shijakut. Arbana ka lindur 25.12.1984 në Shijak, i martuar dhe baba i 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djalë. Ai ka nisur angazhimin e tij në politikë, fillimisht si anëtar i FRESSH dhe më pas në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste. Që prej vitit 2016 është Kryetar i PS për degën lokale, Shijak. Nga 2013-2017 ka punuar si Përgjegjës Sektori i IKMT, Qarku Durrës.

Ivi Doçi
Një përgjim tjetër i publikuar nga ‘Bild’ është ai mes Ivi Doçit dhe Avdylajt. Astrit Avdylaj i kërkon Ivi Doçi listën me njerëzit që mund të votojnë PD. Doçi tregohet i gatshëm, madje i thotë se e ka ndarë listën. Ivi Doçi është drejtor i Ujësjellësit në Bashkinë e Shijakut. Krahas postit si drejtor i Ujësjellësit në Bashkinë e Shijakut, ai është angazhuar në politikë si pjesë e strukturave të Partisë Socialiste.

Ardian Kokomani
Ardian Kokomani është përgjuar duke folur me Astrit Avdylajn, anëtarin e bandës së Shijakut. Ai është kryetar i Bashkisë së Shijakut, i propozuar nga Partia Socialiste, por që nuk ësht rikandiduar nga kjo parti pasi u preferuar Elton Arbana. Më parë, Kokomani ka qenë kryetar i komunës Gjepalaj, Durrës si dhe anëtar i këshillit të Qarkut Durrës. Sa i takon pasurive, Ardian Kokomani është pronar i një trualli me sipërfaqe 500 m2 dhe ndërtesë me sip. 247 m2 në Hardhishtë, Durrës, me vlerë 10 255 200 lekë si dhe i një toke arë me sip. 476.5 m2 në Hardhishtë, Durrës. Sa i takon të ardhurave, ai deklaron vetë 958 442 lekë nga paga si Kryetar i Bashkisë Shijak si dhe 151 300 lekë nga paga si Këshilltar pranë Këshillit të Qarkut Durrës.

Vath Alla
Del në përgjimet mes anëtarit të bandës së Shijakut dhe personave të tjerë. Ai del në pah si një qytetar nga Ishmi që pretendon një tokë në bregdetin e Kepit të Rodonit dhe mik i afërt me Avdylajt. Vath Alla është pranë Astrit Avdylajt, kur ky i fundit i telefonon Vangjush Dakos, ndërsa lënë edhe një takim. ‘Bild’ shkruan se Vath Alla është një person i ish-dënuar për vrasje. Ndërkaq, Vath Alla, në zonën e tij njihet si biznesmen. Aktualisht rezulton se ka një biznes të hapur në 2014 për aktivitetin: Bar restorant. Punime përmirësuese në pyje e kullota dhe vjelja e prodhimeve të dyta pyjore, në Ishëm të Durrësit. Këtë aktivitet e ka pezulluar në vitin 2015, ndërsa e ka bërë sërish aktiv në 2017. Ka pasur edhe një bar-kafe në 2011 në Gjirin e Lalzit, por e ka pezulluar pas një viti 2012.

Ani Dyrmishi
Del gjithashtu në përgjimet mes anëtarit të bandës së Shijakut dhe personave të tjerë. Gjatë kohës kur janë bërë bisedat e përgjuara, Ani Dyrmishi ishte mbante postin e drejtorit të Hipotekës së Durrësit, ndërsa aktualisht është drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare. Ani Dyrmishi rezulton pjesë e ‘listës së zezë’ së publikuar nga kryeministri Edi Rama, publikuar në korrik të 2017, me 100 zyrtarë të shtetit shqiptar të denoncuar nga qytetarët për abuzime me detyrën. Megjithatë, më vonë Ani Dyrmishi u emërua drejtor Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare. Persona të paidentifikueshëm: Papariti, Juli, Ridi, Dor Gallai, Çimi dhe Jari.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë