Raundi i tretë i negociatave indirekte midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për çështjen bërthamore iraniane, i ndërmjetësuar nga Omani, nisi në Gjenevë mëngjesin e kësaj të enjteje. Delegacioni iranian drejtohej nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa ai amerikan nga i dërguari i posaçëm presidencial Steve Witkoff.
Irani është i interesuar për shmangien e luftës dhe nëpërmjet shtetit të Omanit, që ndërmjetëson dialogun indirekt me Shteteve të Bashkuara i dorëzoi sot palës amerikane propozimin më të fundit iranian, sipas asaj që raportoi agjencia iraniane e lajmeve.
Përmbajtja e detajuar mbetet e panjohur por ajo sipas mediave ndërkombëtare i referohet vetëm programit bërthamor të Iranit dhe lexohet si tentativë për shmangien e një përplasje ushtarake të dytë ushtarake me SHBA në më pak se 12 muaj.
Presidenti iranian Massoud Pezeshkian deklaroi se vendi nuk synon të sigurojë armë bërthamore.
"Udhëheqësi ynë Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se nuk do të kemi aspak armë bërthamore", tha presidenti.
Megjithatë ai tha se rrëzimi i regjimit edhe në rast lufte nuk do të ndodhte.
"Nëse Shtetet e Bashkuara na sulmojnë, njëqind të tjerë si ne do të ngrihen dhe do ta udhëheqin vendin", tha Massoud Pezeshkian.
Presidenti i SHBA, Donald Trump ka dislokuar një forcë të konsiderueshme ushtarake në zonën e Gjirit. Lëvizje të tjera u raportuan edhe këtë të enjte. Aeroplanmbajtësja Gerald Ford, më e madhja në botë u largua nga baza detare në Kretë dhe iu drejtua lindjes sipas pamjeve të shpërndara online nga mediat izraelite.
Komente







