Tërmeti 'faturë' Buxhetin 2020, Denaj: Do ketë shkurtime të shpenzimeve, mund të pezullohen dhe disa projekte

Ministria e Financave ka ngritur grupet e punës për të rishikuar buxhetin e vitit 2019 dhe atë të vitit 2020, për të siguruar fondet për programin e rindërtimit të banesave të shembura dhe të dëmtuara nga tërmeti. Pavarësisht se ende nuk dihet fatura që do të ketë në buxhet kjo situatë vetë ministrja Anila Denaj ka pohuar se po shikohen të gjitha hapësirat për të krijuar fonde shtesë.

“Sigurisht që e kemi nisur këtë punë si për efektet në buxhet të këtij viti ashtu edhe për buxhetin e vitit 2020 pasi mendojmë dhe jemi duke konsideruar që vlerësimi i dëmeve në një pjesë të caktuar do të ketë mbështetje buxhetore, që po vlerësohet që edhe në vitin 2020 të ketë hapësirat dhe kursimet e nevojshme për të përballuar këtë situatë” deklaroi ministrja e Financave Anila Denaj.

Rishikimi i buxhetit për vitin 2020 do të përkthehet edhe me shkurtime shpenzimesh për disa zëra, si dhe pezullim projektesh.

“Ka disa projekte të cilat ne jemi duke i vlerësuar në buxhetin e vitit 2020 për të cilat jemi duke komunikuar me institucionet përkatëse për ti shtyrë me një vit kohë. Në të gjitha këto raste kjo do të krijojë një hapësirë të caktuar që ne jemi duke e diskutuar” tha Denaj.

Po ashtu po diskutohet edhe mundësia që ka Ministria e Financave për të shlyer qiranë për disa nga familjet që do të strehohen në hotele dhe jo vetëm.

“Ministritë që kanë filluar përgatitjen e listave, duke filluar nga Ministria e Arsimit, e cila edhe sot e raportoi për numrin e shkollave të cilat kanë dëmtime dhe do të kenë prioritetin kryesor. Janë në diskutime çështja e qirasë, si një kosto e cila si praktikë e Ministrisë së Financave ka mbështetur, në rastet e shpronësimit familje të caktuara me një qira për një afat të caktuar kohor, dhe po shikojmë se sa familje mund të akomodojmë me buxhetin e kursyer” pohoi ministrja.

Sakaq buxheti i vitit 2020 ka kaluar parimisht në komisionin e ekonomisë këtë të hënë.

“Kush është pro, kundër, abstenim, miratohet në parim projektbuxheti i vitit 2020”.

Ndërkohë kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe njëkohësisht kryetari i Komitetit për Rindërtim Arben Ahmetaj, ka deklaruar se ndërtimi i banesave mund të ketë ndikim edhe në buxhetin e 2021.

“Kryeministri ka propozuar, kërkuar dhe po detajon programin e rindërtimit brenda buxhetit të vitit 2020. Ideja shkon për një program të veçantë që menjëherë ti përgjigjemi nevojave të situatës për të mbështetur programin e rindërtimit brenda vitit 2020, që ndoshta nuk do të jetë vetëm brenda këtij viti por që do të kapi edhe vitin 2021”.

Por, sipas burimeve, shumë shpejt pritet të hartohet një buxhet i ri për vitin 2020, pasi drafti aktual do të ndryshojë në tërësi dhe do të orientohet drejt krijimit të  fondit të posaçëm për rindërtimin e banesave.


Lajmi kryesor:

Miratohet në parim buxheti i vitit 2020/ Denaj: Ka nevojë për rishikim! Pezullohen projektet që s’kanë nisur


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:17
Miratimi i 'fiskalizimit', reagon Tabaku: Duhet vlerësim i situatës së ndërtesave, jo 'show'


Pas miratimit të ligjit për fiskalizimin, ka ardhur edhe një reagim nga Partia Demokratike. Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku me anë të një statusi në rrjetet sociale thekson se Shqipëria duhet të alokojë fonde nga buxheti dhe kontratat e PPP për rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti.

Sipas Tabakut “As një javë nga tragjedia që zbuloi fytyrën e vërtetë të shtetit, qeveria vazhdon avazin e vjetër. Tenderon, koncesionon, kalon ligje me taksa të larta dhe në fund i vjedh ato. Pas lë vetëm videot e shëmtuara propagandistike”.

Sipas pas saj ligji për fiskalizimin është në pikëpyetje nëse duhej të miratohej pa u mbushur as 7 ditë nga rënia e tërmetit.

"Pa kaluar as java nga tragjedia e 51 jetëve të humbura, qeveria ka firmosur me votën e deputetëve të mazhorancës “fiskalizimin”. Pasi i dhuroi një kompanie kroate 16 mln euro koncesion të paracaktuar, kjo qeveri do t’i detyrojë bizneset e më pas qytetarët të paguajnë kosto shtesë për këtë program. Janë 132.400 lekë shtesë që do paguajnë bizneset që vitin e parë për këtë ligj të miratuar. Kjo kosto padyshim që do u shkojë qytetarëve në xhepa përmes çmimeve të rritura.  Sipas një përllogaritje të saktë dhe të thjeshtë për një biznes i cili ka 6 punonjës në kasë do t’i duhet minimalisht 6 firma te tjera dixhitale shtese në vit për çdo vit duke e rritur koston vjetore te këtij biznesi me 43.800 lekë (rreth 400 euro) që do të thotë një kosto që do t’i shtohet totalit të kostove të paraqitura më lartë. As një javë nga tragjedia që zbuloi fytyrën e vërtetë të shtetit, qeveria vazhdon avazin e vjetër. Tenderon, koncesionon, kalon ligje me taksa të larta dhe në fund i vjedh ato. Pas lë vetëm videot e shëmtuara propagandistike. Shqipëria ka nevojë për të alokuar fonde nga buxheti dhe kontratat e hajdutërisë PPP në ndërtimin e vendit. Ka nevojë për një vlerësim real të situatës së ndërtesave dhe jo spektakli që fsheh ligje të tilla. " shkruan Tabaku.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh