TIRANË - Sapo kalon qytetin e Lezhës dhe futesh në  superstradën drej qytetit të Shkodrës, në të djathtën e udhëtimit,një tabelë  të orienton për te "Mrizi i Zanave", një lokal që gjëndet  mbi fshatin Fishtë të Lezhës.
Pasi merr kthesën djathtas dhe ecën drejt fshatit Fishtë, në krahun e majtë të rrugëtimit tënd, të tërheq vëmëndjen një shtëpi e rrënuar gati në shembje që të thonë se është e poetit, filozofit dhe predikuesit shpirtëror At Gjergj Fishtës.
Kur e shikon në atë gjëndje nuk mund ta besosh se kjo është vërtetë banesa ku Ai krijoi kryeveprat e letërsisë shqiptare. Vet emri madhështor i  Fishtës, nuk të lejon ta besosh. Kjo është e vërteta. Strukturat shtetërore deri më sot, nuk janë kujdesur për të, që ta kthejnë në një institucion pelegrinazhi për poetët, shkrimtarët, dashamirësit e letërsisë, si dhe të turistëve të huaj për të prezantuar gjigantin e letrave shqipe. Atë që nuk e bëri dot shteti, kanë marrë përsipër ta bëjnë disa biznesmenë  nga Kosova. Sabri Maxhuni, një biznesmen kosovar është vetofruar për financimin e plotë të ndërhyrjes që duhet kryer për ta bërë të vizitueshme shtëpinë e At Gjergj Fishtës.
"Kam bërë projektin se si duhet resturuar shtëpia e At Gjergj Fishtës, gjithmonë duke ruajtur origjinalitetin ashtu siç ka qenë. Kemi mundësinë për të bërë financimin për restaurimin e saj, prandaj unë besoj se nuk duhet të kemi ndonjë pengesë për këtë", shprehet biznesmeni nga Kosova në një prezantim mediatik.
Ai ka paraqitur kërkesën edhe projektin që sipas tij, ruan identitetin e kësaj shtëpie, ndonëse ende nuk ka marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës.
"Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë. Më vjen keq ta them por mua më duket se rinia dhe fëmijët tanë dinë për të madhin At Fishta", thotë  ai.
Kërkesa ndonëse i është dërguar edhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, sërish nuk ka patur asnjë reagim konkret. Shpresojmë që së shpejti të njoftojmë për fillimin e punimeve në restaurimin e kësaj vepre monumentale të historisë sonë kombëtare./ATSH/