Kalimi nga çeku në maternitet tek një pagesë mujore për çdo fëmijë deri në moshën 5-vjeçare vlerësohet pozitivisht nga ekspertët.
“Në fakt ky është një lajm pozitiv sepse ne shohim që kemi çifte të reja të cilat nuk duan të lindin fëmijë dhe për shkak të kostos së rritjes së një fëmije. Patjetër që nëse flasim për vlerën mujore nuk është ndonjë vlerë shumë e madhe, por megjithatë në momentin që jepet çdo muaj dhe duhet parë si një element pozitiv. Në fakt edhe vendet e tjera e kanë bërë edhe në vlera katërfish, pesë fish më të mëdha. Megjithatë unë mendoj gjithmonë që është më mirë që diçka po ndryshon edhe në këtë pjesë sepse shohim që kemi një ulje të lartë të lindshmërisë”, tha Romina Radonshiqi.
“Pjesa e bonusit që do jepet për fëmijët sigurisht është diçka shumë e mirë, por duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk është e mjaftueshme. Kush ka fëmijë dhe na dëgjon e ka shumë të qartë që në Shqipëri sjellja në jetë e një fëmije është bërë tashmë shumë e kushtueshme, shumë e kushtueshme jo vetëm për procesin deri në momentin e lindjes, por dhe për rritjen e fëmijës. Mjafton të shikosh se sa janë rritur çmimet e apartamenteve, se sa e vështirë është të ndryshosh një shtëpi , të shtosh një dhomë më tepër për fëmijët”, tha Klodian Muço.
Por sipas tyre kjo mbështetje nuk mund të funksionojë plotësisht për të nxitur lindshmërinë, nëse paralelisht nuk financohet edhe strehimi, apo nëse nuk garantohet shëndetësi dhe arsimim cilësor.
“Vetëm kjo skemë e shkëputur pa pasur themi rezultate pozitive për sa i përket themi luftës kundër korrupsionit që është një nga faktorët që krijon largime pa pasur përmirësime përsa i përket arsimit, të mirave publike, shëndetësisë apo infrastrukturës, situata do të vijojë të mbetet problematike”, tha Igli Tola.
Lajmi kryesor:
Projektbuxheti 2027, ku do të shkojnë paratë? Nga skema e re për mbështetjen e familjeve të reja, deri tek 35 mld lekë për pensionet, ekspertët: Është social por duhet të ishte më strategjik








