Kryetarja ende në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, njëherazi edhe Kryetare e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi, ka reaguar për deklaratën e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, se ajo ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në diskutimin për projektbuxhetin vendor në 2020.

Përmes një statusi në profilin e saj në Facebook, Ademi shprehet se nuk ka qenë e ftuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve!

Madje, ajo thotë se nuk ka pasur asnjë komunikim me Manjën, dhe deklaratat e tij i cilëson si demagogji për të dizinformuar mediat.

“E vërteta është një dhe e vetme: Voltana Ademi nuk është ftuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve! Nuk ka patur asnjë komunikim, të asnjë lloji në formën e ftesës për të marrë pjesë në mbledhje as si kryetare e Bashkisë Shkodër dhe as si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Por pavarësisht se nuk ka patur asnjë ftesë për kryetaren, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka dërguar shqetësimet dhe objeksionet e saj lidhur me projektbuxhetin.

Deklaratat e z. Manja janë thjesht gënjeshtra e rradhës, demagogji për të dizinformuar mediat dhe publikun. Nuk kanë asnjë lidhje me të vertetën.

Por, personalisht nuk çuditem aspak, sepse kjo mazhorancë edhe vetë Ulsiu e kanë të provuar tashmë se qëllimin e vetëm kanë gllabërimin e të gjitha pushteteve, institucioneve, duke përdorur edhe dizinformimin e publikut dhe mediave.”-ka reaguar Ademi.

Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin vendor në 2020, në Komisionin e Ligjeve, Manja tha se Voltana Ademi, ishte e ftuar në cilësinë e Kryetares së Shoqatës së Bashkive, por që nuk kishte pranuar ftesën.

 “I kemi bere ftese për të qenë në seancën dëgjimore edhe shoqatës se bashkive që e drejton kryetarja në detyre e bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Në komunikim me Ademin, ajo ka njoftuat se për shkak të angazhimeve nuk merr pjese në komision, por ka dërguar një material me shkrim”, pohoi Manja.