“E ardhmja është origjinë!” Kjo është motoja nën të cilën Ministria e Kulturës ka hapur thirrjet për projektet kulturore për vitin 2020. Thirrje kjo, që u drejtohet organizatave edhe shoqatave jofitimprurëse, duke përjashtuar aplikimin e një artisti në formë individuale. Për “ReportTV” artistët rrëfejnë jo vetëm se gjenden të papërgatitur përballë këtij ndryshimi, por e konsiderojnë të pavend, sepse është i pakonsultuar me komunitetin e artistëve.
Thirrja e Ministrise se Kultures per projektet kulturore 2020
“E vërteta e madhe është që duke qenë se ne kemi një mungesë të statusit të aktorit, nuk e kemi në shina ligjore të qenit aktor, regjisor dhe sigurisht që është shumë e vështirë për ta konfiguruar këtë në legjislacionin e tatim taksave. Që të shkojmë pranë QKR, që të shpallemi si person juridik apo fizik, e gjitha kjo vështirëson pjesëmarrjen e individit tashmë “të paregjistruar” nga shteti në një konkurrim, që patjetër do shinat e ombrellës së një shoqate apo të bashkëpunimeve të tjera”, shprehet aktori Genc Fuga, duke diktuar se për momentin artistët nuk janë në regjistrin kombëtar të pagesave, të papaguar për titullin që mbarsin, si aktor apo regjisor, prandaj MK kërkon këtë gjë.
“Jam shumë konfuz për këtë situatë, ne nuk mund të regjistrohemi sepse nuk parashikohemi nga një ligj i caktuar. Nga ana tjetër na kërkojnë që do regjistrohemi. Thonë që fondet do të jenë më të shumta, mendoj se është një politikë sociale, në një situatë, kur mendoj se individi apo kreativiteti i tij duhet që të marrë më shumë prioritet”, thotë Fuga, i cili shton se personalisht nuk do të marrë pjesë, sepse e ka të pamundur për shkak të kushteve.
“Për shumë arsye unë nuk e kam këtë regjistrim, qoftë se jam pedagog, qoftë se nuk më është kërkuar më parë. Insistoj që interpreti të gjejë skenën e tij, nuk e di, si është menduar në këtë drejtim. “Mbështesë me të dy duart, çdo lloj rritje të buxhetit të artit edhe kulturës në vend, pavarësisht se ku shkon, por do të ishte më e mençur, që në këtë situatë të atashoheshin pranë institucioneve të nivelit të dytë të ministrisë, sepse ata janë edhe zotëruesit e skenave hapësirave skenike ose të ndihmoheshin më shumë individi, që jo për faj të tij gjendet i paorientuar”.
Fuga shprehet se çdo përdredhje lart e poshtë nuk e mbështet. “Ti rend për të gjetur aspektin apo qasjen tënde artistike, tani duhet të bredhësh për të gjetur edhe formulën e saktë edhe të financimit, çka më duket e pasens”.
Edhe për kompozitorin Nestor Kraja, ndryshimi i rregullave të aplikimit për një projekt nga artistët çdo vit, është një limitim më shumë për artistët.
“Në parim mendoj se Ministria e Kulturës nuk mund që të ndryshojë rregullat e lojës çdo vit, nuk mundet, madje edhe kur ndryshon një qeveri vazhdon strategjinë aktuale të zhvillimit të vet. Dukur një ministër, në vitet 2000 bëri një simpozimun të madh, u hodhën mendime nga të gjithë muzikantët, u mblodhën në një libër që u quajt dekalogu i strategjisë kulturore të Shqipërisë edhe ky libër u botua. Mbi bazën e këtij do të ecej në të ardhmen. Sigurisht që ministrja e radhës këtë libër e hodhi në kosh,e dhe vazhdoi sipas stilit ad libitum, kjo nuk është formë e mirë, nuk është formë normale edhe nuk është formë që qeveriset shteti në këtë mënyrë. Unë nuk jam që rregullat të ndryshohen çdo vit sipas oreksit të njërit apo tjetrit. Sigurisht që në këtë situatë artisti do të interesohet se ku mund të gjejë ndonjë formë jolegale për të zgjidhur problemet”.
Ndërsa, studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, thekson se kjo Ministri Kulture nuk ka prioritet politikat kulturore, por menaxhimin. Prandaj kjo bënë vetvetiu që artisti të lihet në mjerim, pasi nuk është marrë parasysh mendimi i tyre.
“Së pari, unë skam konflikt interesi, sepse nuk kam aplikuar edhe nuk do të aplikoj asnjëherë tek një Ministri Kulture, që nuk ka parësore politikën kulturore, por ka menaxhimin. Së dyti, ky është ndryshim i pamenduar, për arsyen e thjeshtë, sepse kultura nuk është problem i shoqatave është problem i artistëve. Kultura nuk është problem i personave që janë afër bashkisë apo MK-së, që nuk do të bëjnë gjë tjetër vetëm se do t’i japin fytyrën zyrtare. Edhe kjo në fund fare do të bëjë që artisti të jetë në harresë, në mjerim edhe ta shndërrojë artistin nga një shërbëtor nga të shteti në të shoqatave”, shprehet studiuesi i letërsisë Behar Gjoka.
Ne foto Genc Fuga, Nestor Kraja dhe Behar Gjoka
Gjoka shton se MK kur merr përsipër që të bëjë ndryshime kaq radikale, duhet që të dialogojë me komunitetin, pavarësisht se çfarë ndodh, e pranon apo nuk e pranon komuniteti ndryshimin.
“Këtu jemi në një situatë absurde, që ata të vënë para faktit të kryer. Duket sikur ata mendojnë më shumë për artistin, sesa mendon artisti për veten e tyre. Kjo është fytyra e vërtetë e një fasade, e cila nuk bën gjë tjetër, vetëm se shkatërron çdo mundësi individuale. Arti është individual, arti ka të bëjë me atë që do të thosha të drejtën e njeriut për të dhënë mbi botën shpirtin e vet. Në këtë mënyrë kjo është ndërhyrje burokratike edhe pamenduar, është ndërhyrje që do të sjellë pasoja të tjera, sepse shumë artistë fizikisht janë këtu, me mendje nuk janë këtu. Do të vijë një moment që do të mbeten vetëm menaxherët, edhe ata që do të bëjnë politika, që nuk mendoj se e mbështesin artin, por vetëm sa e kontrollojnë”.
Sa i përket faktit, se kjo iniciativë do të shmangë mosmenaxhimin si duhet të një individi të vetëm,Gjoka thotë se “Djalli fshihet tek detajet, letrat shkresat, urdhërat, udhëzimet janë si për individët, si për shoqatat, unë do të thoja se jemi tek ajo situata, ku mendohet për të rregulluar një gjë, duke prishur një tjetër”.
Në këtë moment që artisti nuk përfillet, artisti shpallet inekzitent,sipas studiuesit, kjo vetëm do ta vështirësojë mundësinë e artistët për të qenë i tillë, mundësinë e studiuesit për të qenë i tillë.
“Kështu përtheksohet edhe një herë tjetër që nuk është në vëmendje kultura edhe letërsia, si politikë kulturore, por është në vëmendje marrja në kontroll e çdo hapësire lirie. Letërsia edhe arti është liria e fundit, që as një pushtet, as diktatura nuk e mori dot nën kontroll. Këto janë forma që MK e di që janë të përkohshme, sepse edhe vet MK e di që është e përkohshme”, përfundon Gjoka.
Por, sa do të jetë fondi në total i këtyre projekteve, që Ministria e Kulturës do të mbështet për vitin 2020? Kush do të jetë bordi përzgjedhës? Edhe përse është vendosur, që artistët të mos kenë më mundësi që të aplikojnë si individ?
Herida Duro, drejtoresha e konceptimit e të projekteve të kulturës shprehet se: “Fondi nuk është përcaktuar publikisht edhe as bordi përzgjedhës nuk është përcaktuar ende. Ndërsa, është vendosur që artisti të mos aplikojë më si individ i vetëm, sepse aplikohet për projekte me vlerë më të madhe financiare. Përpos, që dimensioni dhe numri i aktiviteteve duhet që të jetë i lartë, në shtrirje kohore edhe gjeografike. Pra, një individ nuk mund të ketë kapacitetin të mbulojë projektin e plotë, që është parashikuar me vlerë në 2 drejtime. I pari është nga 5 000 000 lekë deri në 8 000 000 lekë edhe i dyti është nga 2 000 000 deri në 5 000 000 lekë”.
Duro përfundon se për projektet që do të mbështeten nëpërmjet shoqatave, do të ngrihen edhe struktura monitoruese dhe edituese. Por, edhe kjo mbetet për t’u parë në vazhdim.
Shume shume mire e ka bere ministria ,po mbajme ne kurriz gjithe parazitet aktor me tasksat e popullit ,duan edhe rroge edhe projekte ,joooo ashtu ska..
Përgjigju