/ATSH/-  Projektimi Urban i Aksit Ekonomik Tiranë-Durrës / Lot 1 nga PIOVENEFABI, Stefano Graziani dhe YellowOffice do të prezantohet në Bienalen e Arkitekturës që do të mbahet në Çikago (Chiacago), gjatë datave 03 Tetor 2015 - 03 Janar 2016.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit sqaron se një ndër projektet që do të prezantohet në Bienale do të jetë projekti fitues i konkursit ndërkombëtar 'Durana'.
PIOVENEFABI është një studio në Milano, e drejtuar nga Ambra Fabi dhe Giovanni Piovene, e specializuar në arkitekturë, studim urban dhe strategji territoriale. YelloëOffice është një studio arkitekture në Milano, e fokusuar në projektim peisazhistik dhe urbanistik, e drejtuar nga Franceska Benedetto. Stefano Graziani është një fotograf i cili ka bashkëpunuar me shumë profesionist e arkitekt si Office KGDVS, 51N4E etj..
Plani Tiranë-Durrës është pjesë integrale e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Tirana dhe Durrësi janë qytete që kanë patur një zgjerim në shtrirjen e tyre dhe tendenca është që këto qytete të takohen. Zona ndërmjet është një nga zonat që ka patur një zhvillim të vrullshëm formal dhe kryesisht informal. Zhvillimet kaotike dhe pa vizion kanë dëmtuar rëndë peisazhin natyror, prandaj lind nevoja për një plan të integruar dhe me një vizion të qartë.
Rajoni "Durana" është porta hyrëse e Korridorit 8, pikëprerja e aksit Veri- Jug dhe porta hyrëse e rrugës së Arbrit dhe si e tillë ajo duhet të menaxhojë flukset kombëtare dhe ndërkombëtare, tokësore, detare dhe ajrore.
Plani Tiranë-Durrës do të orientojë përdorimin dhe shfrytëzimin e kësaj zone si dhe do të krijojë infrastrukturën e përshtatshme për një zhvillim të qëndrueshëm. Qëllimet që synon të përmbushë Plani Tiranë-Durrës janë: të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore, të vlerësojë potencialin aktual e perspektiv për zhvillim të territorit, në bazë të balancimit të burimeve natyrore, të nevojave ekonomike e njerëzore dhe interesave publike e private, të nxisë veprimet e duhura për mbrojtjen, restaurimin dhe rritjen e cilësisë së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike dhe të peizazhit, të mundësojë të drejtën e përdorimit e të zhvillimit të pronës, në përputhje me interesat e shoqërisë, instrumentet planifikuese dhe legjislacionin si dhe të krijojë kushte të përshtatshme e të drejta dhe shanse të barabarta për banim, veprimtari ekonomike e sociale për të gjitha kategoritë sociale, kohezion ekonomik e social dhe gëzim të të drejtave të pronësisë.