Projekti i Musolinit
për Shqipërinë etnike

Projekti i Musolinit <br />për Shqipërinë etnike
Shtëpia Botuese OMSCA këto ditë vuri në qarkullim librin "Mustafa Kruja në historinë shqiptare", me autor Eugjen Merlikën. Vëllimi hapet prej një shkrimi hyrës të autorit, që titullohet "Epoka dhe pasqyrimi i saj nëpërmjet dokumentave", në të cilin bëhet një paraqitje e lëndës së librit, që është një renditje dokumentash, të cilat i përkasin tre periudhave të ndryshme të historisë sonë të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.

"Vargu i dokumentave 1908 - 1914", "Shqipnia përpara Konferencës së Paqes" dhe "Përshpagimet shqiptare" janë tre grupe dokumentash të hartuara në vitet 1908 - 1914, 1919 dhe 1941. Vëllimi mbyllet me një tjetër shkrim të autorit që mban titullin "Nacionalizmi, Shqipëria etnike dhe lëvizja N.- Çl. Është një paraqitje e periudhës së luftës së dytë botërore e ndryshme nga shablloni i historiografisë zyrtare të regjimit. Si e tillë mund të zgjojë diskutime, por mendojmë së ata i shërbejnë nxjerrjes të së vërtetës, për pasojë mendojmë se do të jenë të dobishme.

Gazeta jonë do të botojë "Përshpagimet shqiptare" dhe "Nacionalizmi, Shqipëria etnike dhe lëvizja N. - Çl.". Po shkëpusim nga "Epoka dhe pasqyrimi i saj nëpërmjet dokumentave", pjesën që i përket këtij argumenti.

"Pjesa e tretë e dokumentave të këtij vëllimi titullohet "Përshpagimet shqiptare". I jepen për herë të parë në dorë lexuesit në këtë jubile shekullor të formimit të Shtetit. Janë nxjerrë nga dosja e Mustafa Krujës në Arkivin Qëndror të Shtetit e mbajnë datën 3 maj 1941.
Shqipëria gjindet nën pushtimin italian në një t'ashtuquajtur "bashkim vullnetar" me Mbretërinë italiane. Qeveria shqiptare drejtohet nga pronari më i madh i tokave e politikani i vjetër Shefqet Vërlaci. Për herë të parë që nga Shpallja e Pavarësisë, Shqipëria është zgjeruar në kufijtë e saj verilindorë e lindorë, duke përfshirë në administrimin e saj Kosovën, Dibrën dhe zonën e Liqenjve. Fuqia ushtarake e Boshtit duket në majën e saj. Për të përballuar furinë gjermane ka mbetur vetëm Anglia e mbyllur në ishullin e saj të papushtueshëm. Rusia dhe Amerika janë vëzhguese të mprehta të realitetit evropian por, deri atëherë, nuk kanë asnjë dëshirë të bëhen pjesëmarrës të tij.

Në Shqipëri pushtimi sikur është "gëlltitur" në një farë mënyre dhe shqiptarët gëzojnë të mirat materiale që pushtuesi, me një strategji të paramenduar, i shpërndan me një farë lehtësie. Nuk ka gjurmë lufte në pjesën më të madhe të Vendit, ato ndihen në jug, si pasojë e një fushate të organizuar keq për të pushtuar Greqinë, një luftë në të cilën zbulohet bllofi i fuqisë së "tetë milionë bajonetave", i trumbetuar me bujë nga hierarkia e lartë e shtetit fashist italian. Jakomoni, Mëkëmbësi i Mbretit, kërkon nga Qeveria shqiptare një paraqitje të hollësishme të problemit të kufijve shqiptarë e të territoreve që, për arsye të ndryshme, duhej të ishin pjesë e Shtetit shqiptar në kuadrin e Perandorisë së Romës. Qeveria formon një Komision, në nivel të lartë politik e studjuesish, për të pregatitur këtë material, që do t'i përcillet Ministrisë së Jashtëme e do të përbëjë bazën politike të kërkesave shqiptare. Materiali është ruajtur në Arkivin Qëndror në gjuhën italishte, varianti i botuar është përkthyer nga i nënëshkruari. Komisioni hartues i këtyre dokumentave përbëhet nga Fejzi Alizoti, Dhimitër Berati, Xhemil Dino e Tahir Shtylla e kryesohet nga Mustafa Kruja, atëherë senator i Mbretërisë e Kryetar i Institutit të Studimeve shqiptare. Ja një profil i shkurtër i anëtarëve të atij komisioni:

Fejzi Alizoti
Lindi në Gjirokastër më 1876 e ka studjuar në Stamboll. Fillon karrierën politike në administratën turke, duke shërbyer në Prizren si mytesarif dhe në Al-Klaus të Libisë Perëndimore. Mbas pushtimit të Libisë nga italianët arrestohet prej tyre dhe internohet në Itali. Nga Janari deri në mars 1914, mbas dorëheqjes së Ismail Qemalit shërben si administrator i punëve të mbrendëshme nën Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit. Në qeverinë e Princ Ëiedit emërohet guvernator në Shkodër e më pas drejtor financash me austriakët. Më 1925 bashkohet me Zogun që shfrytëzon lidhjet e tij me Italinë. Shkurt-tetor 1927 është Ministër i Financave e më mbrapa zëvendëson Iljaz Vrionin në Ministrinë e Jashtëme. Ka një largim nga politika mbas vendosjes së Mbretërisë. Rikthehet si Ministër Shteti në qeverinë e Vërlacit e më pas Komisar i jashtzakonshëm për Kosovën dhe Dibrën. Në fund të 1944 arrestohet nga komunistët e dënohet me vdekje në gjyqet e para, ekzekutohet më 14 prill 1945.

Dhimitër Berati
Lindi në Korçë më 15 tetor 1888. Studion në Rumani ku diplomohet në Drejtësi dhe Shkenca politike. Merr pjesë në Kongresin e Elbasanit më 1909 e në veprimtari kulturore në koloninë shqiptare të Bukureshtit, nga vjen si delegat në Kongresin e Vlorës, ku firmos Aktin e Pavarësisë. Në korrik 1914 rikthehet në Rumani, për të qenë përsëri delegat i shqiptarëve t'atij Vendi në Konferencën e Paqes në Paris. Nga viti 1926 deri më 1934 është sekretar në Ministrinë e Jashtëme. Më 1935, në qeverinë liberale të Mehdi Frashërit ze postin e Ministrit të Ekonomisë kombëtare. Më 1936 është Ministër i Shqipërisë në Romë. Mbas pushtimit është antar i Institutit të Studimeve Shqiptare e më 3 dhjetor 1941emërohet Ministër i Kulturës Popullore në Qeverinë e M. Krujës. U largua nga Shqipëria më 1944 e shkoi në Itali. Vdiq më 1970 në Romë. Ka botuar dy vëllime me kujtime historike "Shqipëria më 1937".

Tahir Shtylla
Lindi më 1890 në Gjirokastër. Ka studjuar në Itali ku është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Romës. Ka hyrë herët në shërbimin diplomatik duke kryer detyrën e konsullit në Beograd, Sofje, Athinë, Bari e Romë. Një nga kuadrot më të pregatitura n'atë fushë, emërohet Ministër i Tokave të Lirueme në Qeverinë e Mustafa Krujës. Për arsye shëndetësore jep dorëheqjen e zëvendësohet nga Eqerem bej Vlora. Vdes para kohe më 1942.

Xhemil Dino
Lindi në Prevezë më 21 dhjetor 1894. Studjoi në Stamboll ku diplomohet Bâchelieu en lettres et es-sciences në Liceun Perandorak Ottoman të Gallata-Sarait në dhjetor 1913. Vazhdon studimet e larta në Universitetin e Romës, ku diplomohet si doktor në Drejtësi në vitin 1921. Fillon punë si sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtëme në të njëjtin vit. Vitin tjetër është sekretar i parë i Legatës shqiptare në Paris, më 1925 sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së jashtme e deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar. Caktohet pastaj Ministër fuqiplotë në Bukuresht e më vonë në Romë. Pushtimi italian e gjen Ministër të Punëve të Jashtëme e, kur ajo ministri shkrihet, emërohet Komisar i lartë për Çamërinë. Misioni i këtyre njerëzve që për çastin nuk kishin funksione shtetërore, ishte të hartonin një parashtrim të zgjeruar të çështjes kombëtare shqiptare. Por misioni nuk rëndonte vetëm përmbi ta. Nga dokumentat e Arkivit rezulton se në shërbim të këtij projekti ishin mobilizuar atdhetarë të aftë e të vetëdijshëm për detyrën që merrnin përsipër në dobi të çështjes. Kështu hasim në proçes - verbalet emrat e Ernest Koliqit, Qazim Koculit, Jashar Erebarës, Rexhep Mitrovicës, Hasan Dostit, Ekrem Vlorës, Ismet Kryeziut, Fuat Dibrës, Tafil Buletinit, Avni Gjilanit, Ramiz Dibrës, Ahmet Gashit, Qerim Begollit, Vasil Andonit, Hamit Kokalarit etj. I përkisnin të gjitha rrymave të mendimit politik të asaj periudhe, por i bashkonte madhështia dhe rëndësia e problemit kombëtar.Ishte një çast historik i favorshëm, që duhej shfrytëzuar plotësisht. Shqipëria bënte pjesë në "Perandorinë" e Romës, një krijesë më shumë fiktive, prodhim i delirit për madhështi të Musolinit se sa një realitet shtetëror me një bazë të fuqishme. Por për Shqipërinë me interes ishte zgjidhja imediate e problemit të bashkimit të trojeve shqiptare se sa perspektiva e "perandorisë" që ishte e lidhur me fatin e përfundimit të luftës. Në këtë kontekst, çdo kërkesë territoriale shqiptare shihej, jo vetëm si një veprim që duhej të vinte në vend padrejtësitë që i ishin bërë këtij populli, por edhe një dobi për interesat italiane në Ballkan.Kjo parashtresë duhej t'ishte bindëse dhe e argumentuar në të gjitha pikëpamjet, e bazuar mbi një realitet të gjallë etniko - historik, e aftë për të përballuar çdo lloj kundërshtimi të mundshëm në nivel shkencor e diplomatik në një rrahje mendimesh me fqinjët nga pozita të barabarta argumentash. Autorët e dinin se, për t'i qëndruar kohës e ndryshimeve që pësonte bota, parashtresa nuk duhej të përshkohej nga fryma shoviniste që mund të shfaqej si kundërveprim i të këqijave të pësuara nga shqiptarët në tridhjetë vitet e shkuara, por të mbështetej mbi kërkesa të ligjëshme nga këndvështrimi historik e të drejta nga ai juridik. Lënda ishte tepër e brishtë. Nuk mjaftonte vetëm përcaktimi i kufijve me Malin e Zi, Jugosllavinë e Greqinë, që nuk do të kishte vështirësi të pakapërcyeshme si proces, pasi parametrat etniko-historikë ishin të prekshme e të vërtetueshme pasi kishin kaluar më pak se tridhjetë vjet nga shpërbërja e Shqipërisë otomane të katër vilajeteve. Drejtësia donte që shqiptarët të kishin edhe dëmshpërblimet për të gjitha dëmet e pësuara në këta vite jete të përdhunshme, nën mbarështimin armiqësor të qeverive fqinje.Kjo llogari ishte më e vështirë dhe e ngatërruar të bëhej. Duheshin shifra të sakta të shkatërrimeve, dëmtimeve, humbjeve, grabitjeve në nivel shtetëror e vetjak që kishin pësuar banorët shqiptarë, sidomos myslimanë, nga dhuna shtetërore serbe e greke. Duheshin sasiuar dëmet jo vetëm lëndore, por edhe morale, jetët e shkurtuara e të gjymtuara si pasojë e padrejtësive nga më të ndryshmet, nga trysnitë për të braktisur vendet e tyre, nga mërgimet e detyruara, etj, etj. Tabloja që del nga puna, pothuajse e përsosur, e hartuesve të përkujtesës e shtesave të saj plotësuese, dëshmon jo vetëm nivelin intelektual e përgatitjen kulturore, por edhe përkushtimin, në shkallën më të lartë, ndaj idealit kombëtar që shprehej në synimin e bashkimit të trojeve shqiptare e në mbrojtjen e tyre deri në sakrificën sublime.Mustafa Kruja e Dhimitër Berati kishin firmosur Aktin e Pavarësisë në Vlorë, kishin qenë djelmosha entuziastë n'atë ditë madhore, që shënonte lindjen e Shtetit shqiptar, kishin shërbyer të dy si sekretarë të Plakut të Vlorës, krutani në Këshillin e Ministrave e korçari në vizitat nëpër Evropë të Dërgatës së Qeverisë, për të siguruar mbështetjen e përkrahjen e domosdoshme, në rrugën e vështirë e plot pengesa të Shtetit të ri shqiptar. Fejzi Alizoti kishte qenë një nga administratorët e atij shteti, kur ai drejtohej nga KNK, kurse Tahir Shtylla e Xhemil Dino ishin ballafaquar shpesh me problemet e popullsive shqiptare, të lëna jashtë kufijve të shtetit-mëmë, gjatë viteve të shërbimit në karrierat diplomatike në kryeqytetet e Ballkanit e të Evropës.

Atyre u kërkohej një instrument që duhet të ishte çudibërës, që të bindte arkitektët e "rendit të ri" të Evropës mbas Versajës, se çështja shqiptare nuk mund të quhej e mbyllur me vendimet e konferencave të Londrës apo protokollit të Firences, se ajo Evropë që kishte gjymtuar Shqipërinë me vendimet e saj para tridhjetë vjetëve, sot duhet të njihte të drejtat e saj. Të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, këta ishin synimet madhore që duhet të kishte çdo banor i këtij Vendi, e drejta për të patur një shtet të bashkuar "qysh prej Tivarit deri n'Prevezë", për të patur një komb si gjithë të tjerët, një bashkësi njerëzish që i shquante gjuha e historia e përbashkët. Ky synim madhor bënte të binin në plan të dytë e të tretë të gjitha të tjerat, mënyrën si duhej të arrihej, ideologjitë, aleancat, gjendjen juridike e politike të Vendit.

Përkujtesa, që në fillim, bën një paraqitje të përmbledhur të historisë së shqiptarëve, të marrëdhënieve të tyre me popujt e tjerë të siujdhesës së përbashkët, për të arritur shpejt në historinë e shkurtër të shtetit të tyre. Ishte një histori tragjike në thelbin e saj, një histori padrejtësish, që rridhnin nga mos respektimi i parimeve, nga zotërimi i forcës e jo i arsyes, nga parapëlqimet e Fuqive të mëdha, nga loja e interesave të tyre. Përfundimi ishte një shtet i cunguar, që nga të gjitha anët e kufijve të tij tokësorë haste njerëz që flisnin të njëjtën gjuhë, që kishin të njëjtat tradita, të njëjtën mendësi.
Kujtohet përvoja e Konferencës së Paqes, një përvojë dramatike, afër një gjendjeje dëshpërimi, në të cilën kërcënimi për të humbur edhe atë shtet të cunguar të 1913-ës, ishte një ankth që vazhdoi tre vjet. Prè e atij ankthi, përfaqësuesit e Shqipërisë kishin pakësuar mëtimet e të drejtave të tyre, kishin lënë jashtë sferës së kërkesave të tyre, treva të tëra të banuara nga bashkatdhetarët. "Shqipëria nuk mëton më shumë se ç'i takon, kërkon të drejtën e saj të natyrshme të bashkimit kombëtar dhe ata kufinj etnikë e gjeografikë që i sigurojnë bijve të saj mundësinë e një jete të qetë e puntore ne gjirin e Perandorisë..."

Kjo ishte përkujtesa, thelbi i saj, shpalosja e kërkesave. Drejtësinë dhe vërtetësinë e këtyre kërkesave e shohim të argumentuar në shtojcat për të gjithë sektorët, nëpërmjet vlerësimeve historike, etnike, ekonomike, gjeofizike e strategjike, parashtresës së bashkangjitur shtojcës 3. Në të gjithë këta ftillime spikasin shifrat e sakta dhe trajtimi kompetent i historisë shqiptare në tërësi dhe i secilës trevë në veçanti. Kur bëhet fjalë për Çamërinë e zonën e Pindit ka një mospërputhje ndërmjet pohimeve të Përshpagimeve dhe atyre të autorëve italianë, të interesuar për këtë problematikë. Kështu psh. shtojca n.4, sektori jugor, përfundon me këto fjalë: "Mbasi të jetë çliruar vendi nga këta individë, vegla të shtypjes, që për popullin përfaqësojnë faktorët e një të kaluare që duhet harruar, masa e madhe e popullsisë epirote, më së fundi e lirë dhe e sigurtë, do të kuptojë vlerën e ndryshimit të kryer e mund të gjejë më lehtë rrugën e mirëqënies së saj në Shqipërinë e re."Puna e madhe e nacionalistëve për bashkimin e trevave të jugut nuk solli përfundimin e dëshiruar. Arsyen do t'a gjejmë të shtjelluar në studimin e fundit, e rridhte nga opinione të dhëna nga autoritetet ushtarake italiane të atyre vendeve. Por ky është edhe një tregues i thjeshtë i faktit se jo gjithçka shkonte në vaj në atë periudhë e se bashkimi i trojeve shqiptare ishte më shumë ngulmim i nacionalistëve shqiptarë se sa dëshirë e hierarkëve italianë.

Pjesa e dytë e Përshpagimeve shqiptare i kushtohet dëmshpërblimeve që mëtonte Qeveria shqiptare në dobi të qytetarëve shqiptarë në Greqi e Jugosllavi që nga viti 1913 e këndej. Llogaritë janë të përafërta, por shifrat arrijnë dhjetra milionë dinarë për Jugosllavinë dhe rreth 200 milion franga ar për Greqinë. Të gjitha këto llogari mbetën në këta dokumenta që i u paraqitën Ministrisë së jashtme italiane. Koha i zhvleftësoi nga pikëpamja praktike, sepse përfundimet e luftës si brenda Shqipërisë, ashtu edhe në fushën evropiane, nuk premtonin asnjë shpresë për shqyrtimin e tyre.Botimi i këtyre lloj dokumentave i jep mundësi banorëve të sotëm të Shqipërisë të njohin të vërtetën e shkuar të tyre, të shpërndajnë mjegullnajën e zezë që është nderë mbi nacionalizmin shqiptar e figurat e tij, të kuptojnë se cili ishte përkushtimi i asaj klase politike ndaj interesave të vërteta të Atdheut.

Shkrimi u botua në suplementin RILINDASI në të përditshmen SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë