Banorët e fshatit Fushë-Prezë dhe Bërxullë në zonën e Vorës, protestuan kundër punimeve që po bëhen për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar-Rrogozhinë.
Ata thonë se kompania Gener2 që ka fituar projektin me koncesion për 35 vite, në kundërshtim me ligjin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimore. Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet.
“Ky lot është i fituar nga firma Gener2. Nga dita që është bërë vendimi i qeverisë për ndërtimin e këtij aksi rrugor ne nuk na është dhënë asnjë dokumentacion. Nuk është bërë bashkëbisedim me komunitetin për të vendosur çmimin e shpronësimit të tokës dhe banesave. Në të njëjtën kohë, firma e Gener 2 ka filluar aktivitetin pa pasur leje ndërtimore, dhe pa pasur vendim shpronësimi për pronat tona. Në një buletin që kemi arritur të gjejmë në faqet e tyre, është një vlerë e cila është 4480 lekë të vjetra për metër2. Kaq e ka vlerën një shishe vaj në treg.
Nuk janë kundër projektit, por ajo që kërkojnë, është shpronësim me vlerën e tregut.
“Ne nuk kemi pretendime për projektin, por ankesa është mbi vlerën e tokës dhe banesës. Unë prekem mbi 2 mijë metra katrorë toke. E kemi me letra pronësie. E kemi të formës së prerë. Në fshatin Bërxullë preken 20 banesa. Brenda këtij segmenti janë dhe linja e tensionit të lartë. Nuk ka vendim qeveri si do bëhet zhvendosja e tyre. Shtyllat do prekin mbi 60 banesa tjera nëse zhvendosen nga zhvendosja e aksit. Jemi zero. Jemi interesuar tek bashkia e Vorës dhe në 2019 u anulua njëherë. Unë personalisht kam kërkuar projektin e zhvillimit dhe të gjithë më thonë nuk kemi dijeni. Sot si rrufeja në qiell të hapur fillojnë punimet. As njëlloj njoftimi. Vetëm kur ka ardhur firma Gener 2 e kemi kuptuar. Është rrugë e kategorisë A dhe me një zonë mbrojtje 30 metra. Është me koncesion mbi 30 vjet. Ai shfrytëzo rrugën, tokën dhe ne nuk marrim asgjëje”, shprehet një banor,
Banorët thonë se projekti është devijuar, duke u prekur banesat e tokat bujqësore me të cilat sigurojnë jetesën.
“Pjesa më e madhe e banorëve jetojnë me ato toka. Merren me buqësi, blegtori. Të gjitha tokat dalin jashtë funksioni. Rruga është e mbyllur. Nuk do të kenë ku të qarkullojnë banorët. Nuk ka rruge lidhëse. Po fëmijët ku do ushqehen, ku do të flejë. Nuk e kuptoj si vjen firma të zhvillojë. Unë nuk i kam lejuar që të fillojnë punimet. Kanë tentuar 2-3 herë. Ne kërkojmë nga shteti dhe të bëje vlerësim të drejtë të pronave tona. Një metër tokë është shitur 85 euro këtu. Në 2006, segmenti Kashar Rinas, ka qenë mbi 9 euro m2. Kemi problemin e vlerës së tokët”, thotë një tjetër banor.
Banorët thonë se i posedojnë certifikatat e pronësisë, ndaj kanë edhe një paralajmërim.
“Firma Gener2 nuk do të arrijë të ushtrojë aktivitetin e saj derisa palët të bien në marrëveshje me ne”.