Projekti i Siva Partners,  ringjall
idenë e kazinosë në Sazan

Gjatë periudhës tetë-vjeçare të qeverisjes socialiste janë dëgjuar shpesh projekte për ngritjen e kazinove në bregdetin shqiptar, të tilla, që lojtarëve të bixhozit të mos u krijoheshin shqetësime të çfarëdolloji, pra të ishin sa më të distancuara nga pjesa tjetër e vendit. Në këto propozime, vetë qeveritarët parapëlqyen projektin e kthimit të ishullit të pabanuar të Sazanit, nga një bazë e pëjetshme ushtarake, në një oaz lojrash fati.

Propozimi u la në heshtje pas kërkesës së fqinjëve për të kontrolluar prej andej trafikun e klandestinëve dhe, më pas, për arsye strategjike nga NATO-ja. Por, projekti i mega-kazinosë është përvetësuar nga investitorët shqiptaro-amerikanë aktualisht, të cilët synojnë, sipas projektit të paraqitur dje në Tiranë, të ngrenë aty një zonë turistike-argëtuese, me synim tërheqjen e pasanikëve të apasionuar pas ruletës dhe zareve, që nuk mund ta ndjekin pasionin e tyre në vendet nga vijnë, për shkak të ndalimeve ligjore.

Sërish, është Vlora epiqendra e këtyre pretendimeve. Këtu është menduar të shfrytëzohet një zonë bregdetare, e cila ka qenë më parë zonë ushtarake dhe pa pretendime nga pronarët. Ende nuk dihet në se kjo tokë është blerë nga SIVA apo ajo do të jepet me qira nga shteti. Por, ajo që dihet është se projekti përfshin objekte tepër të fryra, që kërkojnë edhe një financim shumë të madh për kushtet e Shqipërisë. Që vështirë se do të kthejë fitimin normal të investimit.
Investitorët kanë llogaritur se aktualisht qendrat tradicionale të turizmit në Lindjen e Mesme dhe pranë saj konsiderohen si më të rrezikshme, sidomos nga të pasurit dhe se Shqipëria do të ofronte afërsi gjeografike si askush tjetër. Po këtu llogaritet edhe fakti që me zbatimin e dobët të ligjit dhe korrupsionin e përhapur, shumë nga klientët e mundshëm të kazinove do të mund të pastronin lehtësisht para të pista pa u shqetësuar. Ndryshe, investimet do të ishin bërë aty ku Shqipëria ka më shumë nevojë dhe jo në fushën e lojrave të fatit.

Vlora si rajon është vënë në qendër të vëmendjes së shumë pushtetarëve dhe biznesit të lidhur ngushtë me ta kryesisht për të përfituar nga pasuritë e saj. Opinioni është njohur tashmë me episode të përsëritura të zhvatjes së pronave të patundshme në bregdet nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me Vlorën. Rruga nga Levani në qytetin bregdetar po zgjat në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pajustifikueshme, që prej 5 vjetësh, dhe kohët e fundit është folur për tërheqje të kompanisë investuese. TEC-i u ndërtua, por deri tani ka rezultuar i papërdorshëm, edhe në kohë krize energjetike. Nga parku energjetik mbeti vetëm Petrolifera. Ndërkohë, Porti i Vlorës pret prej vitesh të shmanget korrupsioni, që të disbursohen fondet nga Kooperacioni Italian.
(shkrimi u botua dje në shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve