TIRANE- Ministria e Brendshme do të nisë një tjetër sistem monitorimi për forcat e rendit si dhe të sigurisë publike. Burimet zyrtare kanë bër të ditur se të gjithë efektivat e Policisë do të pajisen me një GPS. Qëllimi do të jetë për të matur efikasitetin në punë të uniformave blu për të qëndruar në shërbim në zonën ku caktohen dhe të mos anashkalojnë detyrën. Një veprim i tillë vjen pas nismës për pajisjen me kamera të të gjithë uniformave gjatë kryerjes së detyrës në monitorimin e qarkullimit rrugor.

Vendndodhja
Me pajisjen me një GPS në çdo moment zyra e Policisë do të ketë dijeni për vendndodhjen e secilit prej efektivave. Në këtë mënyrë në momentin e ndodhjes së një ngjarje do të jetë më e lehtë në koordinimin e masave. Nga ana tjetër do të verifikohet nëse nga uniformat blu neglizhohet detyra, duke lënë vendin e patrullimit dhe duke u ulur në ndonjë kafene apo restorant. Për këtë qëllim pritet që ministria e Brendshme të hapë një tender, për pajisjen me GPS të të gjithë uniformave blu.