Projekti urban në Laprakë, Veliaj:
Do ndërtohen 35 segmente rrugore

Një bllok banimi mbi 34 hektarësh në zonën e Doganës në Laprakë ka nisur të rikualifikohet me rrugë, trotuare, infrastrukturë elektrike, kanalizime, sinjalistikë dhe siguri rrugore nga Bashkia e Tiranës.

Rikualifikimi urban i zonës, e cila përbëhet nga 35 segmente rrugore, ku kryesisht mbizotërojnë shtëpi banimi private të ndërtuara në vitet e tranzicionit, pritet t’i japë asaj pamjen e një lagjeje moderne. Paralelisht po zbatohet edhe projekti i UKT-së, për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet që kanë nisur aty prej disa ditësh, theksoi se projekti respekton të njëjtat standarde të larta si në çdo punë tjetër publike.

“Ky projekt është infrastrukturë vetëm në një pjesë të tij, sepse në pjesën tjetër është kulturë. Këtu po punohet me dy ekipe: ekipi i infrastrukturës që ndërton rrugën, kanalizimet, zhvendos muret, bën sinjalistikë etj. Por, është edhe një ekip tjetër, ai i kontraktorëve, që duhet të bindë qytetarët se tërheqja gjysmë metri mbrapa e mureve, për të pasur uniformitet, nuk ndihmon vetëm projektin, por në radhë të parë ndihmon ata vetë, u shton vlerën e shtëpisë. Aty ku ka asfalt, ndriçim, trotuare, kanalizime, të parëve që u rritet vlera e pronës janë qytetarët”, tha Veliaj.

Ai gjeti rastin të falenderojë banorët që kanë bashkëpunuar me bashkinë për të tërhequr muret e banesave të tyre dhe për të lejuar zhvillimin e projektit.

“Dua të falenderoj 90% të qytetarëve në këtë bllok të njësisë nr. 7, të cilët kanë pranuar me dashamirësi që të tërhiqen dhe të lejojnë realizimin e plotë të projektit, pa krijuar vonesa. Jam shpresë-plotë se me pak mund, edhe 10%-shi tjetër do të bindet, sepse janë ata përfituesit kryesorë të projektit, për të ruajtur distancën, që të kemi një rrugë me standarde. Jam i bindur se brenda vitit do ta kemi përfunduar këtë investim në 35 segmente, që të përfitojnë 6 mijë banorët e njësisë 7”, shtoi kryetari i bashkisë. Nisur nga fakti se në këtë zonë mbizotërojnë ndërtimet informale, kryetari i bashkisë ka theksuar se pasi të përfundojë procesi i legalizimit nga qeveria dhe procesi i urbanizimit nga bashkia, banorët e kësaj lagjeje duhet të kuptojnë se jo vetëm duhet të mbrojnë këto investime, por edhe të bëhen qytetarë të përgjegjshëm për të paguar gjitha detyrimet ndaj Bashkisë dhe qeverisë.

“I ftoj edhe këta qytetarë që të hyjnë në rrjetin e formalitetit, të kontribuojnë me taksa, pastaj me këto taksa ne do të bëjmë një lagje që ka nevojë për urbanizim. Jam shpresëplotë se do ta përfundojmë përpara Vitit të Ri, i cili do t’i gjejë banorët në një zonë totalisht të modernizuar. Mezi pres që me planin e ri vendor, që do të kalojmë gjatë kësaj vjeshte, të vendosim për investime të tjera në zonë, për ta kthyer Fushën e Aviacionit, Doganës, njësinë 7, rrugën 'Teodor Keko', kufizimin me rrugën e Durrësit, dhe hyrjen në autostradë, në një hyrje dinjitoze të Tiranës” theksoi Veliaj. Nga ana e saj, deputetja e PS, Vasilika Hysi ka vlerësuar faktin që Bashkia e Tiranës e ka rikthyer vëmendjen ndaj zonave që më parë kanë qenë tërësisht të harruara dhe për të cilat nuk ka patur asnjëherë investime.

“Kjo është një zonë që për 25 vite nuk ka pasur investime. Ka pasur probleme me kanalizimet e ujërave të bardha, ujërave të zeza. Ka pasur probleme me ndriçimin e rrugëve. Unë ndihem mirë, kemi bërë disa takime me banorët dhe ata janë shumë të kënaqur që, edhe Bashkia, edhe UKT-ja, edhe agjencitë e tjera, po punojnë së bashku. I vetmi shqetësim i tyre është që projekti të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur”
, tha deputetja Hysi.

Përveç punimeve në infrastrukturën rrugore dhe atë të nëndheshme, projekti i rehabilitimit të kësaj zone parashikon edhe ndërtimin e rrjetit të ri të ndriçimit rrugor në të gjitha sheshet ku do ketë ndërhyrje, vendosjen e sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale. Gjithashtu, në këtë objekt do të rindërtohen rreth 2660 ml mure rrethuese të banesave të cilat u prishën për të zgjeruar rrugët ose për ndërtimin e trotuareve.

veliaj
Laprakë
Laprakë
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen