Projektligji i BE-së: Google, Facebook dhe Twitter të fshijnë materialet me përmbajtje terroriste

Projektligji i BE-së: Google, Facebook dhe Twitter të fshijnë materialet me përmbajtje terroriste

Foto nga parlamenti evropian

Mbi 60 grupe të të drejtave të njeriut argumentojnë se ligji i Bashkimit Europian mbi përmbajtjet terroriste që pritet të votohet brenda një muaji, vë në rrezik të drejtat themelore. Projekt-ligji i BE-së i cili do të detyronte Google, Facebook dhe Twitter të fshinte brenda orës materialet me përmbajtje terroriste, shihet si një rrezik për të drejtat themelore të njeriut, mendon grupimi i 61 organizatave.

"Ne i bëjmë thirrje Parlamentit Europian (PE) që ta tërheqë këtë propozim, pasi paraqet kërcënime serioze ndaj lirisë së mendimit dhe shprehjes së lirë” – deklarohet në letrën e grupimit, drejtuar anëtarëve të PE-së.

Grupet e të drejtave të njeriut përfshijnë Human Rights Watch, Amnesty International, Civil Liberties për Europën dhe Federatën Europiane të Gazetarëve.

Si u arrit tek ky projektligj?

Pas një serie sulmesh në vitin 2018, nga ana e personave të radikalizuar që postonin përmbajtje terroriste në internet, Komisioni Europian hartoi projektligjin që pritet të votohet muajin e ardhshëm. "Përhapja e ideologjive radikale dhe e materialeve terroriste përshpejtohet përmes përdorimit të propagandës në internet, me përdorimin e mediave sociale, të cilat shpesh bëhen pjesë integrale e vetë sulmeve," tha Komisioni Europian në Agjendën e tij Kundër Terrorizmit në dhjetor të vitit të kaluar.

"Rregullorja për menaxhimin e shpërndarjes së përmbajtjes terroriste në internet do të lejojë shtetet anëtare të fshijnë shpejt përmbajtje të tilla," theksohet në këtë Agjendë. Komisioni e përkufizon përmbajtjen terroriste në internet si material nxitës të terrorizmit ose që synon rekrutimin e trajnimin e terroristëve.

Pasojat e mundshme

Megjithatë në letrën e grupimeve të të drejtave të njeriut pohohet, se fshirja e këtyre materialeve është thuajse e pamundur nëse përdoren sistemet automatike. Presioni i vendosur mbi platformat online për të hequr përmbajtjet terroriste brenda orës do të ketë pasoja të padëshiruara, në momentin kur sistemet e automatizuara të moderimit të përmbajtjes do të vihen në përdorim, siç janë filtrat e ngarkimit. Grupimet thanë se "nuk do të ishte e mundur që njerëzit të filtronin materialin kaq shpejt”, duke shtuar se përmbajtja që nuk është me natyrë terroriste do të bllokohej gjithashtu.

Megjithëse projektligji thotë, se autoritetet duhet të jenë objektive dhe jo-diskriminuese, grupet e të drejtave të njeriut besojnë se vetëm gjykatat ose autoritetet e pavarura administrative që i nënshtrohen rishikimeve gjyqësore, duhet të kenë një mandat për të lëshuar urdhra të fshirjes së përmbajtjes terroriste. 

"Ky projektligj mund të fuqizojë autoritaristët të heqin kritikat, duke kapërcyer kufijtë e tyre. Kjo do të thotë se udhëheqës si hungarezi Viktor Orban mund të kërkojnë një platformë në internet, e cila heq përmbajtjen që nuk u pëlqen" tha Eva Simon, eksperte e jurisprudencës në Civil Liberties Union.

Për shkak të rreziqeve të censurimit të informacionit që nuk përbën kërcënim, mungesës së rishikimit gjyqësor dhe potencialit për abuzim me pushtetin, letra e grupimit të 61 organizatave del kundër projektligjit të Bashkimit Europian. 

Tre muaj pas arritjes së një marrëveshjeje politike me vendet e BE-së, Parlamenti Europian pritet që të votojë këtë projektligj muajin e ardhshëm./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale