Projektligji 'Për fondet e pensioneve private' në Parlament, Mete: Parashikohen politika lehtësuese fiskale

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, prezantoi sot në seancë plenare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë projektligjin “Për fondet e pensionit privat”.

Ministri vuri në dukje se, përmirësimet në ligj adresojnë një sërë problematikash dhe mangësi të ligjit ekzistues, të miratuar në vitin 2009 dhe të pandryshuar apo përmirësuar gjatë gjithë këtyre viteve.

Projektligji parashikon dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”, siç parashikohet edhe në direktivën IORP II të Bashkimit Europian.

“Fondi me pjesëmarrje të hapur krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim. Anëtarë të këtij fondi mund të jetë çdo individ, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e krijuar nga shoqëria administruese, përfshirë punëmarrësit dhe punëdhënësit.

Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme”, tha minisitri, teksa theksoi se, “krijimi i fondit me pjesëmarrje të mbyllur merr rëndësi të veçantë pasi në këtë mënyrë shoqëritë shqiptare nxiten që përmes mundësisë për negocim me shoqëritë administruese të krijojnë fonde pensioni për punonjësit e tyre, duke sjellë rritjen e pjesëmarrjes në këto skema.

Gjithashtu vijoi Mete, një risi tjetër e ligjit është rritja e transparencës dhe informacionit ndaj anëtarëve të fondit.

Komisioni vjetor për administrimin e fondit të pensioneve nuk mund të kalojë në asnjë rast 2.5% e vlerës së aktiveve neto të fondit të pensioneve nga 3% që parashikon ligji) tha ai.

Risi tjetër janë rregullat mbi qeverisjen e shoqërive administruese, ndërsa parashikohen politika lehtësuese fiskale.

“Projektligji parashikon gjithashtu lehtësi fiskale edhe për pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit. Sot sipas ligjit në fuqi, pagesat e marra nga anëtari i fondit tatohen me normën e të ardhurave personale 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër, ndërsa ajo që propozohet dhe parashikohet në projektligj është që pagesat e marra nga anëtari i fondit në mënyrë periodike mujore, në formë pensioni, të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet, pra që të zgjatet dhe koha e marrjes së pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale”, tha Mete.

Gjithashtu projektligji ofron alternativa për krijimin e një portofoli investimi më të diversifikuar, për të bërë të mundur rritjen e kthimit nga investimi.

Totali i aseteve neto të fondeve të pensionit privat arriti në rreth 6,2 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve rezultoi rreth 37,600, me një rritje prej afro 3% krahasuar me fundin e vitit 2022.


Lajmi kryesor:

Drafti për fondin e pensioneve private, Mete: Ndihmon në rritjen e kursimeve! Tabaku: S’merr parasysh kolapsin e skemës! Braçe: Zgjidh mungesën e besimit


S.G/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë