Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Elisa Spiropali dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi Enkel Rexhepi biseduan në Tiranë këtë të enjte problematikat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Problematikat tashmë duket se janë ngritur në nivel ndërkombëtar, pasi Kongresmeni demokrat Keith Self prezantoi disa ditë më parë një projektligj të quajtur “Akti për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”

Ministria e Jashtme pas takimit të sotëm, zotohet sipas njoftimit zyrtar - të vijojë angazhimin në ndjekë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të mbetet e angazhuar në ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe në bashkëpunimin me partnerët tanë për adresimin e këtyre çështjeve", thuhet në deklaratë. 

Shqipëria sipas njoftimit zyrtar, shpreh mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerëson nismën e Kongresit si një sinjal të fortë në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe si kontribut të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Kongresmeni demokrat Keith Self depozitoi në fund të vitit të kaluar dhe prezantoi disa ditë më parë Aktin për të vlerësuar Diskriminimin në Luginën e Preshevës.

Qëllimi kryesor i këtij ligji është t’i kërkojë Sekretarit të Shtetit Marko Rubio të hartojë dhe t’i paraqesë Kongresit një raport zyrtar mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës, për të vlerësuar nëse ekzistojnë praktika diskriminuese sistematike nga autoritetet serbe.

Në raport kërkohet të përfshihet në raport si çështja kryesore, një analizë dhe dokumente të detajuara nëse Serbia pasivizon adresat e banimit të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës dhe nëse kjo praktikë u mohon atyre dokumente identiteti dhe të drejta themelore, përfshirë të drejtën e votës.

Deklaratë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përshëndet paraqitjen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, i cili kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
 
Ky akt përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale të problematikave serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, veçanërisht të çështjes së pasivizimit.

Në të njejtën kohë, shënon një hap domethënës në trajtimin serioz të këtyre problematikave në nivel ndërkombëtar.
 
Ministria shpreh mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerëson këtë nismë të Kongresit si një sinjal të fortë në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe si kontribut të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të mbetet e angazhuar në ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe në bashkëpunimin me partnerët tanë për adresimin e këtyre çështjeve.