Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes propozojnë ndryshime në ligjin për prodhimin dhe tregtimin e armëve, dhe pajisjeve ushtarake, me synimin për të nxitur zhvillimin e kësaj industrie në Shqipëri. Projektligji parashikon më shumë lehtësi fiskale, por edhe kontrolle më të forta për të verifikuar aktivitetin e tyre dhe mënyrën se si përdorin përfitimet nga shteti.
Aktualisht kompanitë që veprojnë në industrinë ushtarake janë të përjashtuara nga nga Tatimi mbi të ardhurat për 10 vitet e parë, duhet të paguajnë TVSH të reduktuar në 10 % për furnizim apo shitje të armatimit ushtarak, si dhe nuk i nënshtrohen taksave doganore për mallrat që i shërbejnë prodhimit.

LEHTËSIRAT FISKALE SIPAS LIGJIT AKTUAL
1. Subjekti i licencuar në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë përfiton lehtësira, duke përfshirë:
a) normë të tatimit mbi të ardhurat korporative 0% për 10 vjetët e parë pas fillimit të aktivitetit;
b) shkallë të reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar prej 10% për furnizimin/shitjet e armatimit ushtarak;
c) përjashtim nga taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak. Lista e mallrave të përjashtuara përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Me ndryshimet e propozuara këto lehtësira zgjerohen dhe më tej.
Nëse deri më tani norma e TVSH-së ishte 10% për importin e makinerive, pajisjeve dhe mallrave të përdorura në prodhim, tashmë propozohet përjashtimi nga kjo taksë.

Formulimi i ri pika b)
Po kështu TVSH-ja, zerohet edhe për shitjen e produkteve përfundimtare.

Formulimi i ri pika ç)
Ndërsa veprimtaritë e këtyre kompanive si dhe pasuritë e paluajtshme që përdoren drejtpërdrejt për prodhimin ushtarak, përjashtohen nga taksat vendore.

Formulimi i ri pika d)
Për të shmangur abuzimet, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes do të krijojë një regjistër të posaçëm të kompanive përfituese.

Tatimet dhe Doganat do të bashkëpunojnë me agjencinë për të shkëmbyer informacion dhe për të kryer kontrolle. Nëse një kompani përfiton lehtësi përmes mashtrimit, dokumenteve false apo fshehjes së informacionit, do të duhet të kthejë përfitimet e marra padrejtësisht, së bashku me kamatëvonesat. Për shkeljet parashikohen edhe gjoba nga 100 mijë deri në 3 milionë lekë, ndërsa në raste të caktuara masa e gjobës do të lidhet me vlerën e përfitimit të paligjshëm.
Projektligji synon të kontrollojë edhe origjinën e materialeve që përdoren për prodhimin e armëve. Kompanitë do të duhet të tregojnë se nga i sigurojnë lëndët e para dhe ku ndodhen furnitorët e tyre. Ndërkohë, do të krijohet një regjistër elektronik për gjurmimin e armatimit, në mënyrë që të ndiqet rruga e produkteve, nga prodhimi deri te përdoruesi përfundimtar. Ndryshime parashikohen edhe për Komitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili do të ketë rol më të fortë në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve që lidhen me sigurinë kombëtare.
Ndryshimet vijnë në një moment kur qeveria shqiptare ka shpallur si objektiv rijetëzimin e industrinë ushtarake. “KAYO”, kompania shtetërore e mbrojtjes ka krijuar deri më tani disa ndërmarrje të përbashkëta, të përfshira që nga prodhimi i automjeteve ushtarake, te anijet, dronët apo dhe municione.
Një audiopërgjim i publikuar disa javë më parë nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ngriti dyshime mbi një trafik të mundshëm municionesh. Në qëndër të bisedave të përgjuara, ishte izraelito-amerikani Ron Yeffet, aksioner në dy sipërmarrje ku Kayo është ortake. SPAK nisi një hetim kryesisht, për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera. Kontrolle u ushtruan në zyrat e KAYO-s si dhe te banesa e biznesmenit Yeffet, duke sekuestruar dokumenta dhe celularë.
-
Tvsh per buken por jo per plumbat
Përgjigju











Komente
Komento