Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin për krijimin e Shoqërisë Shtetërore të Pyjeve (SHSHP), një ndërmarrje me kapital 100% shtetëror që pritet të marrë në dorë administrimin dhe zhvillimin e pasurisë pyjore në vend.

Sipas ministrit të Bujqësisë, Sofjan Jaupajt, nisma synon të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si menaxhohen pyjet, duke kaluar nga një sistem i fragmentuar dhe me mbivendosje kompetencash, në një strukturë të centralizuar dhe profesionale, në linjë me standardet e Bashkimit Europian.

Me krijimin e kësaj shoqërie synohet forcimi i kontrollit mbi burimet pyjore dhe lufta ndaj shfrytëzimit të paligjshëm, një problem që prej vitesh ka qenë shqetësim në sektor.

Modeli i ri parashikon një qasje të integruar: nga pyllëzimi dhe ripyllëzimi, te mbrojtja e biodiversitetit dhe parandalimi i zjarreve. Po ashtu, SHSHP do të zhvillojë edhe aktivitete ekonomike të lidhura me pyjet, si produktet drusore, bimët medicinale dhe kreditë e karbonit.

Qëllimi final, sipas ministrit, është i dyfishtë: mbrojtja e mjedisit dhe krijimi i më shumë vlere për ekonominë dhe komunitetet lokale.

Projektligji tashmë është i hapur për konsultim, ndërsa pritet të mblidhen sugjerime përpara se të kalojë në fazat e tjera të miratimit.

Postimi i plotë i Ministrit Jaupaj

"Është publikuar për konsultim projektligji për krijimin e Shoqërisë Shtetërore të Pyjeve SHSHP, si një ndërmarrje me kapital 100% shtetëror që do të marrë përgjegjësinë për administrimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurisë sonë pyjore

Me këtë hap, kalojmë nga një sistem i fragmentuar, me mbivendosje kompetencash dhe kapacitete të kufizuara , drejt një modeli të mirëorganizuar dhe profesional , në përputhje me standardet më të mira europiane Përmes kësaj shoqërie synojmë të forcojmë kontrollin mbi burimet pyjore, të luftojmë shfrytëzimin e paligjshëm dhe të ndërtojmë një qasje të re, ku mbrojtja e mjedisit ecën paralelisht me zhvillimin ekonomik

SHSHP do të garantojë menaxhim të integruar të pyjeve shtetërore, duke përfshirë pyllëzimin dhe ripyllëzimin , mbrojtjen e biodiversitetit , parandalimin e zjarreve , si dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike të lidhura me pyjet nga produktet drusore, te bimët medicinale dhe kreditet e karbonit , duke krijuar më shumë vlerë për ekonominë dhe komunitetet"