Projektligji, zgjatet 15 vjet
koncesioni i minierës së bakrit

Koncesioni i dytë më i madh minerar në vend pritet të marrë një zgjatje të afateve me 15 vjet të tjerë. Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, i cili është përcjellë për diskutime në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë.

Drafti amendon marrëveshjen ekzistuese, për t’i akorduar kompanisë private “Nesco Metal” të drejtën të shfrytëzojë tri minierat më të mëdha të bakrit në vend: Munellës, Lak Roshit dhe Karmës deri në vitin 2046. Veç minierave, kompania ka me koncesion edhe fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrës dhe atë në Mjedë. 

Industria e bakrit u dha me koncesion në vitin 2001 nga qeveria e atëhershme tek një kompani turke e quajtur “Ber-Oner”, që më vonë e ndryshoi emrin në “Nesco Metal”. Afati fillestar i koncesionit ishte 30 vjet dhe, sipas marrëveshjes, kompania duhet të investonte 19 milionë dollarë për të rigjallëruar industrinë shqiptare të bakrit. 

Sipas qeverisë, kompania private e ka tejkaluar tri here planin e investimeve, duke investuar rreth 55 milionë dollarë deri tani dhe duke arritur një kapacitet prodhimi dy herë e gjysmë më të lartë sesa ai që e detyronte marrëveshja koncesionare. 

Në këto kushte, Ministria e Energjisë e justifikon shtyrjen e afatit si një masë për të nxitur më tej investimet në këtë sektor. Sipas saj, për shkak edhe të konjukturës së pafavorshme në tregjet ndërkombëtare është vlerësuar se në industrinë e bakrit duhet të investohen edhe 8 milionë dollarë të tjera në 9 vitet e ardhshme. 

Këto investime, sipas qeverisë, do të zgjasin jetëgjatësinë e minierave të bakrit, duke sjellë efekte pozitive për ekonominë dhe punësimin. 
Zgjatja e afatit për koncesionin e bakrit vjen pak muaj pasi qeveria zgjati me 10 vjet afatin edhe për koncesionin e minierës së kromit në Bulqizë.
 
Koncesionet
Sipas Agjencisë Kombëtare të Trajtimit të Koncesioneve, deri në fund të vitit të kaluar Shqipëria ka dhënë mbi 166 kontrata koncesionare.

Pjesa dërrmuese janë në fushën e energjisë, kryesisht për ndërtimin e hidrocentraleve, por mes tyre edhe kontrata që kanë transferuar tek privatët shërbime parësore publike si në shëndetësi, në fushën e fiskut apo dhe atë të transportit. Por përtej shpërndarjes sipas sektorëve, panorama më interesante e biznesit të koncesioneve është shpërndarja sipas viteve. Sipas saj, rezulton se Shqipëria koncesionohet kryesisht në vite “elektorale”.

Sipas agjencisë së trajtimit të koncesioneve, edhe pse dhënia e kontratave koncesionare ka nisur që në vitin 2000, pjesa dërrmuese e tyre ose rreth 60 për qind e totalit janë miratuar vetëm në dy vite, 2009 dhe 2013, të dy vite në të cilat janë mbajtur zgjedhje të përgjithshme parlamentare.

Kjo është një traditë që duket se do të vazhdojë edhe në 2017-ën. Në fillim të vitit, qeveria lajmëroi publikisht se do të nisë një program masiv investimesh në masën 1 miliardë euro. Programi parashikon ndërtimin e 125 veprave publike, në infrastrukturë, turizëm dhe arsim, por që do të financohen me paratë e privatëve.

Sipas qeverisë, investimet do të realizohen përmes kontratave koncesionare ose partneritetit publik privat, ku privatët do të financojnë ndërtimin e veprave dhe më pas do të paguhen me këste disavjeçare nga buxheti.

Ka qenë kryeministri Edi Rama që shpalli projektin për dhënien e koncesioneve masive në tre vitet në vijim, sipas formës me Partneritet Publik Privat me një vlerë investimi 1 miliard euro. Skema e investimit është e tillë: Projektet do të jenë në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe bankat në vend, duke shtuar kapital nëpërmjet investimeve private.

Rëndësia e këtij projekti lidhet me faktin se nuk do të shtojë borxhin, ka nënvizuar Rama. Në bazë të prioriteteve të qeverisë, sipërmarrjet do të hartojnë projektet. Dy vitet e para, sipërmarrjet do të financojnë vetë projektin dhe pas vitit të tretë, qeveria do të fillojë të shlyejë detyrimet.



dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Bie numri i lindjeve në rrethe, drejtoresha e maternitetit në Fier: Shkak godina e rrënuar, s’ka tualete! Mjeku gjinekolog në Elbasan: Ndikon dhe emigracioni

Bie numri i lindjeve në rrethe, drejtoresha e maternitetit në Fier: Shkak godina e rrënuar, s’ka tualete! Mjeku gjinekolog në Elbasan: Ndikon dhe emigracioni