Mbledhja e përbashkët e Komisionit të Ekonomisë dhe Komisioni për Nismat qytetare miratoi këtë të martë projekt-rezolutën me 7 detyra për Kontrollin e Lartë të Shtetit, që duhet të përmbushen brenda muajve të mbetur të këtij viti.
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, bëri publike disa të dhëna financiare të dala nga kontrollet audituese të institucionit, gjatë raportimit në Komisionin e përbashkët për Nismat Qytetare dhe në Komisionin e Ekonomisë.
Ai u ndal në stokun e detyrimeve të prapambetura që lidhen me çështjet gjyqësore. Sipas tij, deri në fund të vitit 2024 ky stok arrin në 7.32 miliardë lekë.
Shehu ka treguar se detyrimet faktike dhe kontingjente që burojnë nga vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut raportohen në vlerën e 18 milionë eurove, të cilat lidhen me 10 vendime që ndodhen aktualisht në proces brenda afatit tre mujor. Ai ka theksuar se këto rrezikojnë pagesa interesi për shkak të likuidimit të vonuar.
'Në aspektin dhe kontabilitetit dhe raportimit fiskal, pavarësisht detyrimit të parashikuar në nenin 63 të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, pasqyrat e konsoliduara vjetore, transaksione financiare të shtetit për 2024 nuk janë hartuar dhe nuk janë dorëzuar cka e ka bërë të pamundur shprehjen e një opinioni auditues financiar mbi to. Pavarësisht këtij kufizimi, në auditimet financiare individuale të kryera nga KLSH përvec mangësive në formë dhe afateve të përgatijes së pasqyrave financiare nga institucionet e audituara kanë konstatuar dhe klasifikime të gabuara në pozicionet e pasqyrave financiare.
Risqet fiskale mbeten të larta, duke qenë se ekspozimi ndaj ndërmarrjeve publike, veçanërisht energjia është rritur për shkak të detyrimeve të ndërsjellta të pashlyera dhe të pa rakorduara. Ndërkohë stoku i detyrimeve të prapambetura për çështjet gjyqësore kontigjente mbeten në nivele të larta. Stoku i detyrimeve deri në fund dhjetorit 2024 rezulton 7.32 miliardë lekë, nga të cilat detyrimet e qeverisjes qendrore janë 2.66 miliardë lekë, detyrimet e qeverisjes vendore janë 3. 26 miliardë lekë dhe detyrimet për rimbrusimin e tvsh janë rreth 1.4 miliardë lekë', tha Shehu.
Projekt-rezoluta e lexuar në Komision nga deputetja e PS-së Antoneta Dhima:
Një të përfundojë raportet e auditimeve të kontratave koncesionare, veçanërisht atyre që ndodhin në fazën përfundimit të afatit të zbatimit, lidhur me verifikimin e kostove të deklaruara nga operatorët.
Dy, të përfundojë integrimin e metodologjisë për vlerësimin e dëmit ekonomik në rregulloren e procedurave të auditimi, duke siguruar që ndryshimet përkatëse të reflektojnë parimet INTOSAI përmes mundësimit të dokumentimit të plotë të provave audituese, zbatimi i një metode të unifikuar për raste të ngjashme, kujdesi profesional në evidentimin vetëm të dëmeve të matshme dhe të provueshme.
Tre, të krijohet dhe të vihet në funksion një sistem formal i strukturuar dhe gjithëpërfshirës për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga auditimet që të mundësojë ndjekjen sistematike të të gjitha subjekteve të publike të audituara dhe përditësimin e rregullt të statusit të zbatimit të rekomandimeve e auditimeve të viteve të mëparshme, në mënyrë që të sigurohet një proces monitorimi efektiv, transparent dhe i harmonizuar me praktikat dhe standartet ndërkombëtare të llogaridhënies publike dhe për të lehtësuar komunikimin me nën komisioni parlamentar për auditimin në sektorin publik.
Katër, të përmirësohet cilësia e auditimeve të performancës, duke orientuar drejt standardeve të vendeve të BE-së dhe në përputhje me rekomandimet e Sigmas nëpërmjet zgjerimit të gazës tematike të këtyre auditimeve dhe krijimit të historisë së ndërveprimit të institucion. ve dhe njëkohësisht agjencive publike.
Pesë, të zgjerohen auditimet në fushën e teknologjisë së informimit, duke përfshirë kontrollin e sigurisë së sistemeve, integritetin e të dhënave, funksionalitetin e platformave elektronike publike dhe përputhshmërinë me standardet kombëtare për menaxhimin e sistemeve të IT-së.
Gjashtë, të intensifikojë dhe përshpejtojë procesin e dixhitalizimit të plotë të proceseve të punës duke përdorur teknologjinë moderne për automatizimin. menaxhimin dhe rruajtjen e të dhënave të auditimit.
Shtatë, të intensifikojë përpjekjet për plotësimin e vendeve vakante dhe të përqendrohet në optimizimin e kapaciteteve profesionale të stafit përmes ndarjes së drejtë të ngarkesës së auditimit, trajnimeve të specializuara dhe zhvillimit të njohurive inovative në fushën e auditimit.

Deputeti i PS-së Erion Braçe e kritikon projekt-rezolutën me detyrat për Kontrollin e Lartë të Shtetit pasi sipas tij nuk janë përfshirë propozimet që ai ka bërë për koncesionet në shëndetësi dhe për Bankers Petroleum.
“Propozimi i parë që bëra ishte për auditimin e kontratave koncesionare që janë në fund të afatit të tyre. Formulimi qe është në rezolutë, unë mendoj që është i paplotë, për disa arsye. Qëllimi është të ndihmojmë autoritetet vendimmarrëse, konkretisht ministritë dhe qeverinë, sa kohë kontratat koncensionare të partneritetit publik privat nuk janë bërë me ligj të kuvendit. Pra bëhen me vendime të Këshillit të Ministrave, duke pasur një opinion të kualifikuar për mënyrën sesi është operuar në harkun e 10 viteve të secilës prej atyre kontratave dhe përfitimeve që kemi marrë ne nga ky partneritet publik privat. Së dyti, një pjesë e tyre janë proces hetimi penal, ende të papërfunduar në gjykime dhe së fundmi përfshin një gamë shumë të gjerë njerëzish”, thotë deputeti i PS.
Braçe tha në Komisionin e Ekonomisë se duhet një auditim për katër kontratat në shëndetësi për shërbimet që kanë dhënë, efektivitetin dhe kostot për shërbim, pasi duhet që edhe institucionet të kenë një analizë për ato kontrata nëse vendos ti rinovojë.
“Unë besoj që qëllimi i një kontrate apo lidhjes së një kontrate apo rinovimit të një kontrate është ekzaktësisht ky, dhe financiar për buxhetin e shtetit dhe për qytetarët, verifikimin e kostove të deklaruara nga operatorët privatë, përmbushjen e standardeve të shërbimit, të ndalem pak këtu te kostot, verifikimin e kostove të deklaruara nga operatorë privat. Dhe unë mendoj që auditimi, në qoftë se bëhet, për këtë qëllim bëhet, se po auditojmë një periudhë nga dita e fillimit të kontratës deri në fund të saj për të ndihmuar autoritetet që të marrin vendim të drejtë”, thotë Braçe.
Një tjetër propozim i bërë nga Braçe që nuk është përfshirë në rezolutë ka të bëjë me një auditim sqarues për situatën me Bankers Petroleum, pasi është në ‘lojë’ një gjobë prej 120 milionë euro e vënë në vitin 2017, e pezulluar në 2019, dhe që riaktivizua këtë vit pas hetimeve të nisura për këtë kompani.
“E dyta që është po kaq e rëndësishme, ngritja e shqetësimit të një gjobë vendosur ndaj kompanisë Bankës Petroleum për veprimtarinë e saj në periudhën 2014-2017. Dhe që ka të bëjë drejtpërdrejtë me shmangien nga detyrimet fiskale në këtë periudhë dhe veçanërisht nga akciza. Është vendosur një gjobë fillimisht nga autoritetet doganore që mbulojnë akcizën në këtë sektor, prej 120 milionë eurosh. Pra nuk bëhet fjalë për një gjobë 120.000 lekësh, por bëhet fjalë për 120 milionë euro. Është pezulluar efekti i kësaj gjobe, ndërkohë që kanë kaluar të gjitha fazat e parashkrimit. Pikërisht për këtë arsye kërkoj që Kontrolli i Lartë i Shtetit të sqarojë situatën ligjore të gjobës së vendosur shoqërisë Bankers Petroleum për aktivitetin ekonomik në shkelje të ligjit për akcizat në Republikën e Shqipërisë për vitet 2014-2017, pezulluar me urdhër ministri në vitin 2019 dhe riaktivizuar në tetor të këtij viti nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Pra, është shumë e thjeshtë të analizohet situata ligjore e kësaj gjobe po e përsëris, nuk bëhet fjalë për 5 lekë. Po bëhet fjalë për 120 milionë euro, shmangie fiskale, të gjykuar nga autoritetet shqiptare”, u shpreh Braçe
Komente












