Një mbrëmje e mbushur me emocion dhe tinguj të fuqishëm ishte ajo e djeshmja në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Një koncert i veçantë me tingujt e dy prej kompozitorëve më të mëdhenj të muzikës simfonike botërore, Prokofiev dhe Rachmaninoff erdhi për publikun nën interpretimin e pianistit Kostandin Tashko, një nga pianistët e rinj shqiptarë më premtues në skenën pianistike ndërkombëtare.
Koncerti me orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u mbajt nën drejtimin e dirigjentit Sergio Alapont.
“Është hera e parë që luaj me orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe është një kënaqësi e veçantë. Pikërisht në këtë debutim do të interpretoj koncertin nr. 2 të Prokofiev, një vepër spektakolare, jo shumë e njohur për publikun shqiptar.”, tha pianisti Tashko.
Koncerti solli në një mbrëmje dy botë të ndryshme muzikore, por me rrënjë të përbashkëta.
“Të dy kompozitorët janë rusë dhe, edhe pse kanë emigruar, muzika e tyre ruan identitetin e fortë. Janë vepra të mëdha dhe sfiduese, si për mua, ashtu edhe për orkestrën dhe dirigjentin. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe duket sikur i kemi interpretuar prej kohësh.”, tha Tashko.
Prej vitesh i angazhuar në skenat ndërkombëtare, Tashko, i cili jeton në Itali, e cilëson rrugëtimin e një pianisti si sfidues dhe që kërkon angazhim të vazhdueshëm.
“Profesioni i pianistit është ndër më të vështirët. Kërkon një përkushtim shumë të gjatë që nis që në fëmijëri dhe vazhdon gjatë gjithë jetës artistike. Mundësitë nuk janë të shumta, por me punë dhe këmbëngulje mund të arrish objektiva të mëdha.”
Pas dy vitesh mungesë në skenën shqiptare, rikthimi përpara publikut shqiptar ishte një emocion i veçantë për pianistin.
Komente











