TIRANE- Blerja e dy bombave artizanale nga Marjon Mitro tek vrasësi me pagesë Julian Sinanaj dhe vendosja e tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, kanë bërë që një prokuror dhe një oficer i Krimeve të Rënda, të marrin në pyetje të arrestuarin Mitro, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Pyetja e Mitros është bërë në ambientet e burgut 313, ku në prani dhe të avokatit mbrojtës Mitro ka rikonfirmuar qëndrimin e tij, se nuk kishte marrë pjesë në asnjë veprimtari kriminale të rëndë dhe nuk ishte autor i vendosjes së tritolit poshtë makinës së prefektit Dervishi.

Gjatë marrjes në pyetje Mitro s’ka pranuar dhe dërgimin e e-maileve në adresën e bashkëpuntorit të drejtësë Julian Sinanaj, duke pohuar se këto e-mail nuk ishin dërguar prej tij. Mësohet se në dëshminë e tij Mitro ka ngritur një alibi se dikush mund t’ia ketë hapur adresën e e-mail dhe të ketë komunikuar me Julian Sinanaj. Sipas akuzës kjo është dëshmia e parë që Mitro ka dhënë në prokurori lidhur me ngjarjen e vendosjes së tritolit në makinën e Dervishit dhe blerjes së dy bombave artizanale.

Pyetja e Karçinit
Pritet që në ditët në vijim Prokuroria e Krimeve të Rënda të marrë në pyetje biznesenin e arrestuar Ilir Karçini. Pyetja e këtij të fundit ishte parashikuar ditën e hënë, por në fakt seanca e para është shtyrë. Nuk dihet me saktësi shkaqet e shtyrjes së intervistimit të biznesmenit të gazit Ilir Karçini, i cili zotëron kompaninë “Primagaz Albania”. Në rrëfimet e Julian Sinanaj, Karçini është treguar i gatshëm të paguante 150 mijë euro me qëllim vrasjen e biznesmenit tjetër të gazit Pirro Bare. Konfliktet me këtë të fundit kanë arritur kulmin derisa, Karçini ka filluar të mendojë të vrasë pronarin e kompanisë së gazit “Romano-Port”.

Për këtë Karçini ka marrë kontakte me Andon Mëhillaj dhe vrasësin me pagesë shtetasin Julian Sinanaj, me të cilin është takuar katër herë, ku në njërin nga takimet i ka dhënë si parapagim shumën prej 50 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër prej 100 mijë euro do t’ia jepte sapo Sinanaj të vriste Pirro Baren.

Mëhillaj në kërkim
Njëri nga kushërinjtë Mëhillaj, Genisi vijon të qëndrojë në kërkim ndërkombëtar. Pak kohë më parë në prokurorinë e Vlorës është dorëzuar kushëriri i tij Anton Mëhillajt, dy ditë pasi në banesën e tij është vendosur tritol. Mësohet se drejt rrugës së vetëdorëzimit në polici është dhe Genis Mëhillaj, familjarët e të cilit duket se mbajnë kontakte të vazhdueshme me policinë dhe prokurorinë.

Shkrimi u publikua sot (12.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)