Prokurorët janë mbledhur sot në Polin e Drejtësisë për të zgjedhur tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët do të zëvendësojnë anëtarët që përfundojnë mandatin gjatë këtij viti.
Procesi zgjedhor do të përcaktojë përfaqësuesit e rinj të prokurorisë në KLP, duke zëvendësuar Sokol Stojanin, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme, Ledina Rizën, përfaqësuese e prokurorive të apelit dhe Zeqir Hodën, përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë.
Në hapje të aktivitetit, kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e cilësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm për ripërtëritjen e Këshillit dhe vijimësinë e përfaqësimit të prokurorëve. Sipas saj, anëtarët e rinj do të kenë përgjegjësi në vendimmarrje për çështje që lidhen me karrierën, vlerësimin dhe statusin e prokurorëve, si edhe me përzgjedhjen e drejtuesve të strukturave të sistemit të prokurorisë.
“Vota që do t’u jepni sot kolegëve nuk është një borxh që pret të shlyhet nesër me një promovim apo shfajësim. Është besim që kërkon përgjegjësi e cila rëndon deri në fund”, u shpreh Bogdani.
Sipas KLP-së, zgjedhja e tre anëtarëve të rinj synon të garantojë vijimësinë e funksionimit të Këshillit dhe përfaqësimin e prokurorëve në organin kushtetues.
.








Komente
Komento