TIRANE- Prokurori i Dibrës Tom Dedaj ka kundërshtuar në Gjykatën Administrative vendimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe dekretin e presidentit Bujar Nishani, që transferuan Dedaj nga prokuroria e Laçit në atë të Dibrës.

Në padinë civile, prokurori i kërkon gjykatës të rrëzojë dekretin e Presidentit dhe vendimin e Kryeprokurorit Llalla, vendim të cilin e konsideron si të papajtueshëm me nenin 24 të ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme.

Dedaj i kërkon gjykatës që nëpërmjet një vendimi të detyrojë të dyja palët ta transferojnë sërisht në vendin e mëparshëm të punës

Ndër të tjera në padinë e tij, prokurori Tom Dedaj, një ndër argumentat që ngre për paligjshmërinë e dekretit të trasferimit është dhe fakti se dektreti i Presidentit, është i pasaktë, për shkak të datave të ndryshme që përmban.

Pritet që shumë shpejt Tom Dedaj, të fillojë betejën ligjore me Kryeprokurorin Llalla dhe Presidentin Bujar Nishani, në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Paligjshmëria
Argumenti kryesor që përdor prokurori Tom Dedaj, lidhet ngushtë me nenin 24 të ligjit për funksionimin dhe organizimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas Dedaj, në pikën 1 të këtij neni, tregohet se prokurori nuk mund të transferohet nga një prokurori në një prokurori tjetër, pa marrë pëlqimin e tij. Dedaj, tregon se pikërisht në këtë rast kryeprokurori Adriatik Llalla dhe presidenti Bujar Nishani, kanë shkelur ligjin, pasi kanë vendosur të transferojnë Tom Dedaj pa marrë miratimin e tij, siç dhe e thotë ligji për Prokurorinë e Përgjithshme.

Transferimi i Tom Dedaj, u krye vitin e kaluar së bashku me 14 prokurorë të tjerë, të cilët u transferuan në prokuroritë e rretheve të ndryshme. I vetmi nga prokurorët që guxoi të dalë kundra këtij vendimi, është Tom Dedaj, që momentalisht ka kundërshtuar në Gjykatën Adminsitrative, vendimin e Adriatik Llallës dhe dekretin e presidentit Bujar Nishani.

Riorganizimi
Transferimi i prokurorit Tom Dedaj, sipas Prokurorisë së Përgjithshme është zhvilluar sipas dispozitave ligjore që janë në fuqi. Pretendimi i prokurorisë qëndron në faktin se neni 24 që flet për trasferimin dhe ngritjen në detyrë të prokurorit, ekziston dhe një hapësirë ligjore ku thuhet se:”Transferimi i prokurorit nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tij, përveç kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të prokurorisë”.

Pra, në rastin konkret, sipas prokurorisë është bërë një riorganizim në strukturën e prokurorisë, ku në Laç është ulur me dy prokurorë organika dhe është shtuar në Dibër. Për pasojë është vendosur transferimi i Tom Dedaj, në prokurorinë e rrethit Dibër, ku qëndronte një vend vend vakant.

Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)