PRISHTINË,  2 Tetor /ATSH-B.Jashari/.-U nënshkrua sot Udhëzimi Administrativ në mes të Prokurorit të Shtetit dhe EULEX-it, lidhur me përshkrimin, ndarjen e detyrave dhe mënyrën e bashkëpunimit në mes të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (Kryeprokurori i PSRK-së, është Prokuror i Shtetit i emëruar nga radhët e Prokurorëve që kanë mandat të përhershëm, dhe në pajtim me ligjin dhe procedurat në fuqi) dhe Zëvendës-Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në administrimin dhe menaxhimin e PSRK-së (Zëvendës-Kryeprokurori i PSRK-së, do të jetë një Prokuror i EULEX-it, i caktuar dhe emëruar nga radhët e Prokurorëve Specialë në pajtim me procedurat të përcaktuara sipas ligjit dhe procedurave në fuqi).
Ky udhëzim administrativ u nënshkrua nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, dhe Kryeprokurores së EULEX-it, Jaroslava Novotna.
Udhëzimi Administrativ përcakton parimet lidhur me përshkrimin dhe ndarjen e detyrave dhe mënyrën e bashkëpunimit në mes të Kryeprokurorit të PSRK-së dhe Zëvendës-Kryeprokurorit të PSRK-së në administrimin dhe menaxhimin e PSRK-së dhe bartjen e kompetencave nga Prokuroria e EULEX-it në Prokurorin e Shtetit, në këtë rast në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
PSRK-ja do të udhëhiqet nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë kohëzgjatjes së mandatit të EULEX në Kosovë, Zëvendës-Kryeprokurori i PSRK-së do të jetë një Prokuror i EULEX-it i caktuar nga EULEX-i./a.g/