Prokuroria dërgon për gjykim Florenc Hoxhën për “Shpërdorim detyre”

Nën akuzën për "Shpërdorimit të detyrës", Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dërgon për gjykim kërkesën ndaj 5 zyrtarëve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor, Bashkia Tiranë, përfshirë edhe Kryeinspektorin Florenc Hoxha.

Gjithashtu, për gjykim janë dërguar edhe tre shtetas, të akuzuar për "Ndërtim të paligjshëm", të cilët kanë ndërtuar pa leje, në pronë publike dhe të pashqetësuar nga inspektorët e INUV, të marrë të pandehur, të cilët nuk kanë vepruar kundër paligjshmërisë, pavarësisht detyrës së tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi ndaj Kryeinspektorit të INUV, Bashkia Tiranë, Florenc Hoxha, ka nisur në bazë të katër kallëzimeve të ndryshme, të ardhura në Janar 2013 dhe në periudhën Shtator-Tetor 2013. Këto kallëzime, pas hetimeve, janë bashkuar në një të vetëm dhe përmblidhen në këto problematika:
- Kallëzimi i parë është bërë nga një shtetas, i cili ka pretenduar për veprime të kundërligjshme nga ana e INUV, Bashkia Tiranë, kundër pronës së tij që e ka fituar sipas ligjit. Nga hetimi i këtij rasti, rezultoi se, me urdhër të të pandehurit është prishur objekti në emër të kallëzuesit, pavarësisht se kishte vendim gjykate të formës së prerë që e pengonte INUV-in të ndërhynte.

- Kallëzimi i dytë është bërë nga një shtetas, i cili ka pretenduar se, pavarësisht disa denoncimeve që ka bërë kallëzuesi pranë INUV-in për një ndërtim pa leje pranë pronës së tij, kjo strukturë nuk ka ndërhyrë. Problematika që ka prezantuar shtetasi kallëzues pranë INUV-it është konstatuar edhe nga ky i fundit. Por, nga hetimi rezultoi se, në cilësinë e Kryeinspektorit, i pandehuri Hoxha nuk ka marrë masat për prishjen e këtij objekti në momentin e konstatimit dhe që ishte në ndërtim. Aktualisht, ky ndërtim tashmë është funksional.

- Kallëzimi i tretë është dorëzuar nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, e cila ka administruar të dhëna nga ana e qytetarëve të ndryshëm, të cilët referonin raste të ndërtimeve të paligjshme. Nga hetimi rezulton se për këto raste, INUV ka bërë konstatimet e ndërtimeve pa leje, është vendosur masa administrative "gjobë" dhe është urdhëruar pezullimi. Por, pavarësisht këtyre masave administrative, nga hetimi rezulton se Kryeinspektori nuk ka marrë asnjë masë për zbatimin e këtyre vendimeve dhe, si pasojë, ndërtimet e paligjshme kanë përfunduar dhe tashmë janë funksionale.

- Kallëzimi i katërt është dorëzuar sërish nga një shtetas, i cili pretendon se i është prishur objekti i tij në kundërshtim me ligjin. Nga hetimi ka rezultuar se, objekti i ndërtuar nga kallëzuesi është prishur pa një vendim përkatës, ndërkohë që për këtë objekt ndërtuesi i saj kishte aplikuar për legalizim. Në momentin e prishjes së objektit, nuk kishte një përgjigje nga ALUIZNI nëse e pranonte ose jo kërkesën për aplikim. Për më tepër, tre ditë pas prishjes, poseduesit të ndërtimit pa leje i ka vendosur masën administrative "gjobë". Ndërkohë që dy javë pas vendosjes së gjobës, Kryeinspektori ka kërkuar ndërhyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit Urban për trajtimin e mëtejshëm ligjor të disa rasteve të ndërtimit pa leje, ndër to edhe të ndërtimit pa leje të shtetasit kallëzues. Kërkesa është bërë, duke pasur parasysh faktin se ky shtetas kishte bërë kërkesë për pajisjen me leje ndërtimi para prishjes së ndërtimit. Ndërkohë, kërkesa që Kryeinspektori i INUV i drejton Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit Urban kur objekti ishte prishur.

Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka paraqitur kërkesën për "masë arresti me burg" ndaj shtetasit Florenc Hoxha, kërkesë që është pranuar edhe nga gjykata, me vendimin nr. 1342, dt. 19.06.2014.

ATSH

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi