SarandëProkuroria e Sarandës sekuestroi hotelin “Central Park Premium Hotel” në Ksamil, një godinë me pesë kate që dyshohet se është ndërtuar pa leje, si dhe një tjetër objekt pranë tij një ku u konstatua një kat pa leje me sipërfaqe 52.2 metra katrorë.

Në kuadër të hetimeve, gjykata caktoi edhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për një person me inicialet K.P.

Hetimet nisën që në vitin 2025 për veprat penale ndërtim i paligjshëm dhe shpërdorim detyre. Dyshohet se ndërtimi i këtij hoteli në lagjen nr. 2, rruga “Derolli” është kryer në kundërshtim me ligji, ndërsa po verifikohet edhe përgjegjësia e zyrtarëve që mund ta kenë lejuar apo favorizuar.

Prokuroria e Sarandës po vijon hetimet për të identifikuar edhe për persona të tjerë të përfshirë me përgjegjësi penale.

Ndërkohë policia e Sarandës përmes një njoftimi tha se 'gjatë procedurave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, u konstatua se hoteli ishte në funksion dhe ishin akomoduar pushues. Për këtë arsye, u morën masa paraprake dhe më datë 06.10.2026, do të kryhen të gjitha veprimet për ekzekutimin e plotë të vendimit të Gjykatës'.

"Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, u sekuestrua hoteli ‘Central Park Premium Hotel’ me pesë kate pa leje në Ksamil si dhe një objekt pranë tij, me një kat pa leje me 52.2 m2 po në Ksamil.

Ndërkohë u caktua masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasin K.P.

Këto masa u kërkuan nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.522/2025 për veprën penale të “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a-4 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijon me kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe individualizimin e përgjegjësisë për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje", njoftoi Prokuroria.

lajm ne perditesim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë