Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi prokurorët specialë kërkuan këtë të hënë dënimin me nga 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe 3 ish-krerët e tjerë të UÇK-së, kur nisën deklarata përmbyllëse në procesin gjyqësor në Hagë.
Kreu i qeverisë shqiptare shkruan se "ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave".
"Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?!
Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike",- shkroi Rama.
Prokurorja e çështjes, Kimberly West, teksa artikuloi kërkesën për dënimin, tha se akuzat nuk e kanë humbur vlerën me kalimin e kohës.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha prokurorja.
Data 9 dhe 10 shkurt i është rezervuar ekipit të akuzës për të bërë deklaratat përmbyllëse, ndërsa mbrojtja e ish krerëve të UÇK do të nisë me deklaratat e saj nga e mërkura e 11 shkurtit deri në 18 shkurt.
Akuzat për ish-krerët e UÇK-së
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
.jpg)
Foto ilustruese e shpërndarë nga Balla në Facebook
Pretenca e Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, që kërkon nga 45 vite burg për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po shihet nga shumë aktorë politikë në Tiranë si një përpjekje për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e luftës çlirimtare dhe për të barazuar viktimën me agresorin.
Në këtë linjë ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, i cili e cilësoi zhvillimin në Hagë si një alarm serioz për mënyrën se si po trajtohet historia e luftës së Kosovës.
“Pretenca e sotme në Hagë kundër komandantëve të UÇK është e turpshme dhe një batërdi e tmerrshme kundër pastërtisë së luftës çlirimtare. Qëndresa paqësore e popullit të Kosovës, beteja e drejtë për liri e UÇK dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, qenkan zeruar duke i lenë vendin trillimeve. Ajo pretencë sot është një alarm ndaj të cilit duhet të reagojmë dhe të mbrojmë legjitimitetin e luftës heroike të UÇK për çlirimin e Kosovës”, thuhet në reagimin e tij në Facebook

Postimi i Taulant Ballës në Facebook

Foto: Elisa Spiropali
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar pasi Prokuroria Speciale e Hagës kërkoi dënimin me 180 vite burg në total, 45 vite për secilin, për ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime kundër njerëzimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Spiropali shprehet se po i ndjekin zhvillimet në Hagë. Ndër të tjera ajo thekson se natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriu.
Spiropali nënvizon gjithashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile
Postimi i plotë
Po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.
Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare.
Ne besojmë se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.
Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë.
Shqipëria riafirmon se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ne theksojmë rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë. E ardhmja e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen mbi drejtësi të besueshme, që forcon paqen dhe jo perceptime padrejtësie.
Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Komente










