TIRANE- Edhe pas protestës së zhvilluar ditën e miratimit të buxhetit për vitin 2014 të Bashkisë së Tiranës, banorët që jetojnë në zonën e Stacionit të Trenit ende nuk kanë gjetur një zgjidhje me Bashkinë  për çështjen e shpronësimeve të banesave të tyre. Pirro Demiri përfaqësuesi i banorëve të Stacionit të Trenit shprehet për “Shqiptarja.com”, se kryetari i Bashkisë Lulzim Basha është duke u tallur me mënyrën se si po trajton banorët dhe çështjen jetike të tyre.

“Edhe pse kemi kërkuar prej kohësh që të kemi një takim dhe një zgjidhje asnjë prej përfaqësuesve të Bashkisë nuk na ka pritur. Hera e fundit që jemi takuar me Kryetarin e Bashkisë ka qënë nëntori i vitit të kaluar.”, shprehet Demiri për “Shqiptarja.com”. Sipas banorëve zgjidhjet e ofruara nga Bashkia janë fyese dhe qesharake. “Është e pamundur që një familje me 3-4 kurora të sistemohet në 70 metra katror që ka premtuar se do të ofrojë Bashkia për ne”, shprehen banorët.

Prapaskenat
Në deklaratat e bëra nga përfaqësues të Bashkisë së Tiranës është deklaruar se: “Çështja e kompensimeve të këtyre banorëve është duke u rishikuar dhe se një zgjidhje e mundshme mendohet të jetë dhënia e apartamenteve të banimit në një zonë jo më larg se 200 metra nga banesat ekzistuese”. Por edhe për këtë zgjidhje banorët kanë pretendimet e tyre që lidhen me koston e banesave dhe prapaskenave që fshihen pas kësaj oferte të bërë për ta.

“Në fillim na kanë ofruar 26. 3 mijë lekë për metër katror, në një zonë që vlen jo më pak se 1200 euro për metër katror. Tani duan të na ofrojnë ndërtesa në një pallat periferik thjesht sepse ato banesa i marrin falas kundrejt lejeve të ndërtimit që japin falas”, shprehen banorët për Shqiptarja.com. Në ditët në vijim pritet që pronarët e banesave te Stacioni i Trenit, të zhvillojnë takime me ekspertë për të bërë një vlerësim të saktë të banesave të tyre dhe zonës në të cilën ato janë ngritur.

Kryetari Basha u ka sygjeruar banorëve të kërkojnë ndryshimin e vendimit të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që vetë ky institucion bën me dije se nuk do të bëjë publike asnjë mënyrë apo shifër kompesimi pa dakordësuar dhe marrë konfirmimin e banorëve të prekur nga ndërtimi i bulevardit të ri. Për shkak të konfliktit mes Bashkisë dhe banorëve për çështjen e shpronësimeve, punimet për bulevardin e ri janë pezulluar.

Shkrimi u publikua sot (05.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)