Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton se aktualisht ka përfunduar shqyrtimin e 23 aplikimeve, me objekt kompensimin financiar dhe kompensimin fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së, për pronën e njohur me vendimet e ish KKKP-ve. Shqyrtimi dhe vlerësimi i këtyre aplikimeve është bërë sipas të gjitha kritereve të përcaktuar në ligjin nr. 133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe VKM-në nr. 223 datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar).
Nga aplikimet e shqyrtuara deri më tani, rezulton se:
18 aplikime, vendimet e të cilëve përfitojnë kompensim financiar dhe fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së, sipas kritereve të përcaktuara në VKM nr. 223 datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar).
Për 5 aplikime, është vendosur përfundimi i procedimit administrativ.
Vlera e fondit financiar të shpërndarë është 28.127.825,10 lekë. Sipërfaqja e kompensuar fizikisht nga fondi i tokës është 525.548 m2, (52.6 ha) dhe 1.569 m2 të kompensuara fizikisht në ish-pronën e subjektit të shpronësuar.
Gjithashtu njoftohet se të gjithë subjektet, të cilët kanë aplikuar apo do të aplikojnë për ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht, do të trajtohen me kompensim vetëm pasi të ketë përfunduar shqyrtimi administrativ i kërkesës dhe gjithë dokumentacionit të depozituar nga ana e tyre.
Procesi i aplikimit dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht për vitet 1993-2013 është një proces i vazhdueshëm dhe i hapur për të gjithë subjektet.
ATP fton të gjithë subjektet e vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht, që të paraqiten pranë zyrave të saj, për të aplikuar duke plotësuar dhe depozituar dokumentacionin përkatës, sipas kritereve të përcaktuara në VKM-në nr. 223 datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar).