Bizneset në Vlorë kanë dalë  ditën e sotme në një protestë paqësore para drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës. Bizneset e Lungomares i kanë paraqitur policisë së qarkut kërkesat e tyre dhe këto kërkesa duan t’ja transmetojnë institucioneve vendore si dhe qeverisë së vendit.

Bizneset e Lungomares kërkojnë hapjen e orarit zyrtar pas orës 24:00 ku tashmë e ka hapur edhe Kosova si dhe kërkojnë që të shtyhet orari i muzikës përtej orës 22:00 që sipas tyre i dëmton biznesin, ndërsa thonë se policia zbaton ligjin në mënyrë selektive.

Përfaqësuesit e bizneseve i bëjnë thirrje policisë që të ndalojë sipas tyre atë që ata e quajnë  terror duke i mbyllur lokalet pak minuta para orës 24:00 dhe duke i detyruar të largojnë klientët, çka njëherësh dëmton  biznesin. Sipas tyre ata i lënë kohë kryeministrit dhe qeverisë deri të dielën, në të kundërt do të mbyllin lokalet e tyre, jo vetëm në Lungomare, por dhe më gjerë. Në mbyllje të fjalës së tij biznesmeni Dionis Sota ka ironizuar kryeministrin duke e ftuar të menaxhojë lokalet e tyre 

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit dhe e kemi menduar gjatë këtë pjesë. Ne zoti kryeministër kemi besim se do vish të na menaxhosh lokalet dhe do të japim dyfishin e pagës që ke si Kryeministër. Me gjithë bujarinë që ka një vlonjat dhe të gjithë vlonjatët së bashku. E kemi vendosur, e kemi menduar mirë.

Do t’i kalojmë menaxherët tanë kamarier dhe lekët që do të kursejmë nga kjo manovër do t’ja japim kryeministrit.  Do japim dyfishin e pagës që merr si Kryeministër me besim të plotë që ai nuk na vjedh dhe nuk na çon drejt falimentimit”, u shpreh biznesmeni.