Të huajt po shfaqin interes për Shëngjinin jo vetëm për pushimore verore, por edhe për pasuri të paluajtshme. Krahas shqiptareve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pronat e kësaj zone turistike po blihen në masë edhe nga evropianet, e kryesisht nga Polaket, Gjermanet, Austriakët dhe Çeket.

“Kemi kërkesa të shumta nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Vitet e fundit ka një rritje të lartë të kërkesave nga shtetas të huaj. Çmimet e tregut në Shëngjin janë shumë të përshtatshme për ekonominë e tyre”, tha Emirjan Lazri, agjent imobiliar.

Pavarësisht rritjes së çmimit të apartamenteve me 25%, ku një metër katror shkon nga 800 deri në 2 mijë euro, kërkesat për blerje janë të shumta thotë agjenti imobiliar Emirjan Lazri,  ndërsa zonat më të preferuara janë Rana e Hedhur dhe Kunia.

“Metri katror ka pësuar rritje me 25%. Ka ardhur si pasoje e rritjes së kostos së ndërtimit. Zona më e pëlqyer është zona e Ranës së Hedhun dhe Kunia. Janë zona të qeta dhe pastërtia është maksimale. Ju pëlqen dhe nga Rana e imët”, tha Lazri.

Numri i apartamenteve të ndërtuara vitet e fundit në zonën turistike të Shëngjinit është i konsiderueshëm, por sërish nuk po plotësohen nevojat e tregut.