Pronat, Evropa nuk pranon
shtyrjen e afatit të kompensimit

Pronat, Evropa nuk pranon<br />shtyrjen e afatit të kompensimit
TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro, bashkë me anëtarin e kryesisë Myrshit Vorpsi, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Këshillit të Evropës në Shqipëri. Ata kanë marrë garancinë se nuk është vendosur për shtyrje të afatit për vendimet e Gjykatës së Strasburgut për pronarët. Njëherësh ai thotë se pronarët janë dakord që çështja të zgjidhet brenda shtetit shqiptar dhe janë gati ta diskutojnë me qeverinë shqiptare zgjidhjen e këtij problemi. Pasi ka afate dhe ata po ikin, ndërkohë fatura është shumë e rëndë për shtetin shqiptar.
 
Ju takuat përfaqësuesin e KiE në Tiranë. Çfarë mësuat nga takimi?
Nuk ka marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe Gjykatës së Strasburgut për të shtyrë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për katër vjet. Që do të thotë, që nuk mundet që të ketë një ndikim pranë gjykatës për vendimet e marra. Gjykata detyrat ia ka dhënë qartazi qeverisë e shtetit shqiptar me vendimin pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”. Në këtë vendim gjyqësor është marrë vetëm një pjesë e vendimit, që çështjet e paraqitura në Gjykatën e Strasburgut nga pronarët shqiptarë pas datës 17 dhjetor 2012 nuk do të gjykohen deri më 17 qershor 2014.
 
Që do të thotë se nuk mund të ketë më shtyrje...?
Gjatë kësaj periudhe qeveria shqiptare është e detyruar të gjejë zgjidhje konkrete, të prekshme dhe të besueshme nga palët, në mënyrë që zgjidhjet të jenë miqësore të brendshme dhe pronarët të kërkojnë të mos vazhdojë gjykimi në Gjykatën e Strasburgut. Në të kundërt Gjykata do vazhdojë të gjykojë, jo vetëm 413 çështjet e regjistruara para vendimit pilot, por dhe të gjitha çështjet që do paraqiten nga pronarët për gjykim pranë Strasburgut. Ky vendim i Gjykatës së Strasburgut me detyra konkrete për qeverinë shqiptare, nuk mund ta ndryshojë qoftë dhe ndonjë vendim tjetër gjykate, e jo më me marrëveshje. Pra kjo marrëveshje s’ekziston.
 
Me kë ka të bëjë marrëveshja e gjykatës së Strasburgut...?
Marrëveshja ka të bëjë me individë, për 81 raste të pranuara nga Gjykata e Strasburgut dhe është njoftuar qeveria shqiptare, që janë gjykuar dhe pranuar nga gjykata si të drejta, qeverisë shqiptare i janë vendosur afate konkrete përfundimtare, që deri më datë 7 mars 2014, qeveria duhet të gjejë zgjidhjet për të 81 rastet dhe këto duhet t’ia raportojë Gjykatës së Strasburgut deri më 2 maj, si afat përfundimtar. Pas kësaj, Gjykata e Strasburgut do të njoftojë individët që janë gjykuar, për të pyetur nëse janë dakord me propozimet e qeverisë apo jo. Në të kundërt do shprehet me vendim përfundimtar të formës së prerë dhe që është detyrues.
 
Si mund të zgjidhet një situatë e tillë...?
Qeveria duhet të na thërrasë, pasi s’na kanë thirrur asnjëherë. Duhet një plan veprimi konkret, nëse kemi ndonjë shtesë, lëvizje apo pakësim. Nëse zgjidhjet që mendon qeveria shqiptare janë të realizueshme, atëherë do ta marrim parasysh. Duhen ndryshime në ligjshmëri. Ne nuk kemi ndonjë draft për këtë zgjidhje. Ne kemi qenë gjithnjë që e drejta të zgjidhet brenda Shqipërisë, nëse nuk bëhet, atëherë e çojmë si individë në Strasburg për zgjidhje. Këtë sinjal alarmi e kemi dhënë që në vitin 2004 kur janë dhënë vendimet e para të Gjykatës së Strasburgut për këto probleme.

Në këtë kuadër kur thuhet të kemi një zgjidhje të brendshme, do të thotë se ne e kemi kërkuar gjithnjë këtë, por praktikisht nuk konstatojmë mundësitë e zgjidhjes së këtushme. Ne kemi kërkuar një ligj të ri që respektimi i të drejtës së pronësisë të jetë sipas Kushtetutës. Por është e papranueshme për ne që në kushtet kur kostot e vendimmarrjeve të Strasburgut janë të rënda për shtetin shqiptar, toka të vijojë të shpërndahet me 7501, që tokat e pronarëve të jepen apo shiten, e të tjera vendime që bien ndesh me të drejtën e pronarëve. S’është shoqata që merr iniciativat por qeveria që detyrohet nga Strasburgu të zbatojë vendimet që duhet të gjejnë zgjidhje. Shoqata ka qenë e gatshme të ndihmojë me ekspertët e saj për zgjidhjet më të mira, por i takon Parlamentit dhe adminiatratës shtetërore, të na kërkojë. Ne nuk na vjen asnjë ftesë nga administrata shtetërore. Jemi në pritje.

Shkrimi u publikua sot (20.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Skandali me flamurin shqiptar, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Procedim disiplinor për policin, ka detyrim të respektojë simbolet e çdo bashkësie etnike

Skandali me flamurin shqiptar, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Procedim disiplinor për policin, ka detyrim të respektojë simbolet e çdo bashkësie etnike