Pronat, KLSH padit 4 zyrtarë në
Lezhë, 11 mln lekë dëm shtetit

KLSH ka kallëzuar në prokurori 2 ish drejtorë dhe 2 specialistë të komisionit vendor të verifikimit të titujve të pronësisë në prefekturën e qarkut Lezhë, pasi i kanë sjellë dëm shtetit në vlerën 11 milionë lekë.
 
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e trajtimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.
 
Zyrtarët kanë ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, nuk kanë liruar dhe nuk e kanë kaluar në pronësi e posedim të shtetit tokën bujqësore nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme, kanë marrë vendime të pa mbështetura në ligj dhe në tejkalim të kompetencave ligjore.
 
Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë kallëzim penal ndaj B.Z. dhe A.P. me detyrë ish-Drejtorë të Komisionit Vendor dhe  R.N. e E.G. me detyrë ish specialistë në Komisionin Vendor.
 
Raporti i plotë
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 255/1, datë 13.3.2017, ka përfunduar auditimin në Prefekturën e Qarkut Lezhë për periudhën 01.01.2013 deri më 31.12.2016, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”.
 
Me Vendimin nr. 78, datë 30.06.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 255/11, datë 03.07.2017, me qëllim  përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Prefektit të Qarkut Lezhë, masa me karakter organizativ  në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet në vlerën 11 milion lekë.
 
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e trajtimit të vlefshmërisë dhe ligjshmërisë të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore (AMTP), ndër të cilat më kryesoret janë:
 
- Në 20 raste për sipërfaqen 186842 m2 nuk kanë kryer kallëzim penal në organet e drejtësisë, ndaj komisioneve të ndarjes tokës në fshat, të cilat ka tejkaluar kompetencat ligjore, duke ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, me pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të Shtetit;
 
- Në 8 raste për sipërfaqen 46046 m2 nuk kanë liruar dhe nuk e kanë kaluar në pronësi e posedim të Shtetit tokën bujqësore nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
 
- Në 6 raste për sipërfaqen 119825 m2 të rikonfirmimit të AMTP edhe pse përfituesit nuk kanë qenë banor në ish-kooperativën bujqësore me datë 01.08.1991, apo pa qenë punonjës në ish-NB me datë 01.10.1992, duke marrë vendime të pa mbështetur në prova dhe në ligj dhe në tejkalim të kompetencave ligjore, me pasojë dëmtimin e interesave të shtetit;
 
- Në 6 raste për sipërfaqen 22362 m2, me zë kadastral “PF”, tokë e cila nuk ka qenë objekt trajtimi nga ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, nga Komisioni Vendor nuk është vepruar me kalimin në pronësi e posedim të Shtetit të tokës nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
 
- Në 9 raste për sipërfaqen 1750 m2, me zë kadastral “Truall”, tokë e cila nuk ka qenë objekt trajtimi nga ligji për tokën, nga Komisioni Vendor nuk është vepruar me kalimin në pronësi e posedim të Shtetit të tokës nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
 
- Mos ushtrimi i kontrolleve të drejtpërdrejta, me nismën e vet, për tokat bujqësore të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore dhe zonat me përparësi zhvillimin e turizmit për Qarkun e Lezhës,
 
në kundërshtim me ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me VKM nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me VKM nr. 224, datë 19.02.2009 “Për procedurat e krijimit të Akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e  korrigjimeve të kryera nga Komisioni Vendorë i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë”, me ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative  të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
 
Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me shkresën me nr. 259/22 datë 08.07.2017 kallëzim penal ndaj B.Z. dhe A.P. me detyrë ish-Drejtorë të Komisionit Vendor dhe  R.N. e E.G. me detyrë ish specialistë në Komisionin Vendor, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.




dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen