Pronat, qeveria nuk njeh
asnjë faturë kompensimi

Pronat, qeveria nuk njeh<br />asnjë faturë kompensimi
TIRANE-Me një dokument të kaluar në mbledhjen e qeverisë më datë 27 qershor të këtij viti, por të mbajtur në hije deri tani, Këshilli i Ministrave ka miratuar një strategji ndërsektoriale, sipas së cilës përcaktohen hapat që do të ndiqen për të zgjidhur bllokimin e çështjeve që kanë lidhje me pronësinë. Strategjia duhet të zbatohët në një afat kohor prej tetë vitesh, duke filluar nga viti në vazhdim deri më 2020-ën. Në këtë dokument, thuhet se shpenzimet për zgjidhjen e bllokimit duhet të jenë rreth 245 milionë euro, pra sa një e 80-ta e asaj që kanë kërkuar ish-pronarët. Sipas këtyre të fundit, fatura e kompensimit të pronave llogaritet në një minimum prej 20 miliardë eurosh.

Dokumenti pranon se një nga problemet penguese lind nga fakti që Shqipëria, aktualisht ka mbi 8 institucione që veprojnë mbi të drejtat e pronësisë, në varësi të ministrive të ndryshme përgjegjëse, veprimtaria e të cilave rregullohet nga pjesë të ndryshme të legjislacionit. Ato trajtojnë në mënyrë të fragmentarizuar çështje të fitimit të pronësisë dhe të regjistrimit të titujve të pronësisë. Numri i lartë i agjencive shtetërore dhe legjislacioni rregullator i shumtë krijojnë mbivendosje të proceseve që lidhen me të drejtat e pronësisë.
“Agjencitë shtetërore dhe gjykatat, në çështjet që prekin të drejtat e pronësisë perceptohen se janë të prekura nga korrupsioni. Transparency International në vitin 2011 ka vënë në dukje se ka probleme institucionale, që komprometojnë zbatimin e ligjeve, të cilat prekin aftësinë e gjyqësorit, ligjvënësit dhe të administratës publike për të funksionuar me efektivitet dhe efiçencë”, thuhet në të. Gjatë 2000-2012 janë dhënë vendime nga Gjykata e Strasburgut për 20 raste ankesash nga qytetarë shqiptarë kundër shtetit të tyre. Nga këto, në 16 raste janë konstatuar shkelje të të drejtave, me sanksion në vlerën 6.571.876 euro dhe 1.650 metra katrorë sipërfaqe trualli. Shqipëria ka ekzekutuar tërësisht 11 vendime, ka në proces ekzekutimi 2 vendime dhe në proces negocimi për masën e dëmshpërblimit 3 vendime të tjera.
Qeveria pranon se, pavarësisht nga dy dekada ankesash nga ish-pronarët dhe Evropa, aktualisht, nuk ka një faturë të përcaktuar financiare të detyrimit që rëndon mbi shtetin për realizimin e kompensimit të të gjitha subjekteve të shpronësuara, për shkak se kostoja, sipas qeverisë, ka një vlerë të papërcaktuar. Llogaritja realiste e faturës financiare paraqet rëndësi thelbësore, sepse ndikon drejtpërdrejt në caktimin e afatit që do të realizohet procesi i kompensimit. Por një gjë e tillë po shtyhet pafundësisht në kohë, nisur edhe nga vështirësitë aktuale të Financave publike.
(Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Drejtësisë certifikon 97 studentë të Klinikave të Ligjit, Manja: Qëllim rritja e aksesit në drejtësi dhe përgatitja e një brezi profesionistësh

Ministria e Drejtësisë certifikon 97 studentë të Klinikave të Ligjit, Manja: Qëllim rritja e aksesit në drejtësi dhe përgatitja e një brezi profesionistësh