Qeveria propozon zgjerimin e kompetencave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila parashikohet për herë të parë që të kryejë tenderë dhe të mund të lidhë marrëveshje me operatorë ekonomikë për rehabilitimin dhe rindërtimin e infrastrukturës kritike të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore. Një kompetencë të tillë më parë e kishin Ministritë e Linjës, ndërsa AKMC kishte kryesisht një rol koordinues, teknik dhe monitorues.
Agjencia parashikohet të shërbejë si organ qendror blerës për institucionet e përfshira në ligj, duke marrë kështu kompetenca për rindërtimin e infrastrukturës kritike të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore si hartimin e standardeve për mjetet, pajisjet dhe kapacitetet logjistike të strukturave operacionale.
Relacioni e argumenton këtë ndryshim me përdorimin aktual të pajisjeve që nuk kanë standarde të njëjta teknike dhe operacionale. Sipas tij, kjo ul efektivitetin e ndërhyrjeve dhe mund të rrisë dëmet dhe kostot e përballimit të fatkeqësive.
Ligji ekzistues parashikon qendra të mbrojtjes civile me seli në çdo qark. Projektligji e ndryshon këtë organizim, duke parashikuar Qendra Rajonale të Mbrojtjes Civile si degë territoriale të saj.
Po ashtu, projektligji u njeh bashkive “rol dhe përgjegjësi parësore” në zvogëlimin e riskut dhe realizimin e mbrojtjes civile në territorin e tyre.
Bashkitë do të verifikojnë gjithashtu planet e brendshme të emergjencave të subjekteve private dhe do të certifikojnë përputhshmërinë e tyre me planin vendor.
Një nga ndryshimet më të drejtpërdrejta është përcaktimi në ligj i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile si institucioni përgjegjës për funksionimin dhe administrimin e sistemit të numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112, i cili aktualisht menaxhohet nga Policia e Shtetit.
Ky sistem parashikohet të sigurojë komunikimin, paralajmërimin e hershëm, njoftimin, alarmin dhe koordinimin e ndërhyrjeve në aksidente, incidente dhe situata emergjente në të gjithë territorin.
Relacioni paraqet një përllogaritje prej 14 milionë eurosh për implementimin e sistemit. Kjo përfshin programe dhe rrjete informatike, pajisje, trajnime, përshtatje të mjediseve dhe infrastrukturë rezervë për vazhdimësinë e funksionimit.











Komente
Komento