TIRANË- "Në Shqipëri ka ardhur momenti që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë". Kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ku u diskutua propozimi i tij për ndryshime në Kodin Rrugor. Balla tha se një ndryshim i tillë, pra që të rritet shepjtësia në autostrada, nuk është përfshirë në propozimin e paraqitur deputetëve, por pse jo të hidhet në diskutim dhe të merret në vendim, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian. Sigurisht, fjalën e fundit do e thotë Autoriteti Rrugor që do e përcaktojnë se në cilat rrugë do të aplikohet, tha Balla, nëse do marrë 'ok' Kuvendi.

"Propozim që vjen nga nevoja për të përshtatur Kodin Rrugor me atë të BE. Ndryshimet burojnë nga eksperiencat më të mira të vendeve të BE, do të veçoja atë gjerman dhe Italian. Objektivat kryesore: Parandalim më efikas të aksidenteve rrugore dhe për afrim të limiteve moshore me vendet anëtare të BE. Iniciativa për ndryshimet është pjesë e një sërë diskutimesh ka bërë qeveria dhe anëtarë të Bundestagut në negocimin dhe firmosje e lejeve të drejtimit që njihen tashmë në Gjermani. Nëse deri tani vlefshmëria e lejedrejtimit është 10, pritet të bëhet 15. Ne ndihmojmë me këtë qytetarin. Nuk e di pse në krye të 10 viteve duhet rifreskim, kur në Gjermani është 15. Ulim burokracitë, minimizim shkuarjen në sporteleve, kursim kohe dhe financash. Efektet e pritshme: 9.7 milionë dollarë kursim për qytetarët në një vit, përfitues 80 mijë shqiptarë në vit. Në këndvështrimin tim, për të patentuarit me moshë të re, i referohen Kodit Rrugor Italian. Ata kanë marrë këtë vendim për tre vitet e para dhe nga kjo lloj mase rezultoi të ishte një masë e duhur. Sot në Evropë aksidentet rrugore me të rinj nga 15 deri në 30 janë 25% e të gjitha aksidenteve rrugore. Me këto lloj kufizimesh pretendojmë të ulim aksidentet që vijnë nga të patentuari për herë të parë. Rritja e moshës për mbajtjen e patentës bëhet edhe për shkak të uljes së numrit të specialistëve për makineri të caktuara. Këta lloj specialistësh mund të vijojnë ta bëjnë deri në moshën 70 vjeç, kjo sërish referuar eksperiencave më të mira evropiane. Një numër i madh shqiptarësh vijnë në verë për të rinovuar patentën dhe për këtë propozoj që kolegët ta kalojnë para se të mbyllim sesionin parlamentar në fund të korrikut, që t’u shkojmë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë. Duhej të ishte bërë më herët, por pjesa më e madhe e ndryshimeve të propozuara lindën për shkak të bisedimeve me autoritetet gjermane. Në Shqipëri ka ardhur momenti që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë. Kjo nuk është e përfshirë në propozimet e mia por e hodha si ide që mund të diskutohet dhe pse jo të shtohet, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian", tha Balla.

Balla propozoi gjithashtu që të ulet edhe shpejtësia nga 40km/h në 30 km/h brenda qytetit, pasi sipas tij kjo shpejtësi është shumë e lartë dhe shkaktare për aksidente.

"Limiti ka qenë shumë i vjetër, ndërkohë që përcaktimin e limitit të shpejtësisë edhe nëse do bëjmë ndryshime në Kodin Rrugor, do e përcaktojë autoritet se në cilat rrugë është e mundshme, në rrugët brenda zonave të banuara limiti i shpejtësisë 40 km/h është shumë i lartë. kemi pasur në qendër të Tiranës aksidente për shkak të këtij limiti, brenda qyteteve të jetë 30 km/h, këto janë 2 çështje që i kemi hedhur si një shtysë për një diskutim mes kolegeve të këtij komisioni dhe deri në draftin përfundimtar të ndryshimeve në ligj të marrin formën e përbashkët", tha Balla.

Ndërkohë, ai shtoi që ky propozim duhet të konkludohet në një draft përfundimtar që të ketë dakordësi nga e gjitha palët.

"Do ishte mirë që të ishte një propozim i përbashkët", shtoi ai.

Një propozim i tillë e gjeti edhe dakordësinë e opozitës, ndonëse kanë shprehur edhe rezerva.

"Ndër të vetmet iniciativa ligjore që nuk ka nga pas një oligark, pasi kjo qeveri njihet për principin e bërjes së ligjeve sipas interesave dhe trupit të një oligarku, shpresojmë të mos ketë diçka pas kësaj", tha Helidon Bushati.

"E mbështes në aspektin e liberalizimit, është bërë edhe një studim e konvertuar në kohw dhe në vlerë, ka pakënaqësi ndaj kodit. Kemi kod shumë agresiv, penaliteti vendoset për ta disiplinuar qytetarin, jo për të mbushur arkën e shtetit", tha Xhelal Mziu.

Nisma për të ndërhyrë në Kodin Rrugor është e konsultuar me autoritetet gjermane dhe italiane, me synim uljen e ngjarjeve rrugore. Parashikohet që në autostradë të rinjtë në timon të mos lëvizin me më shumë se 80 km/h, ndërsa në rrugë interurbane kryesore me jo më shumë se 70 km/h. Po ashtu, është propozuar rritja e moshës për mbajtësit e patentave nga 65 në 70 vjeç, për shkak të mungesës së shoferëve në disa sektorë të caktuar.