Ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili i është drejtuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, duke kërkuar që të përfshihet në diskutimet aktuale në këtë institucion një propozim që, në ligjin nr. 61/2012, "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë" të ndryshuar të bëhen ndryshimet si më poshtë:
1. Në nenin 51, pika 3 të riformulohet si më poshtë:
"3. Produktet energjike që klasifikohen në grupin E500 me kodet e NK 2711 i nënshtrohen pagesës së akcizës, sipas shtojcës nr. 1 të këtij ligji".
2. Në shtojcën Nr. 1 të ligjit, Kodi E500 dhe E501 të bashkohen duke u riformuluar si më poshtë:
"Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike … Gazet e naftës 3 lekë/litri”.
Për amendimin e parë, që bie poshtë automatikisht nga vendimi i marrë dje në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për të hequr krejtësisht akcizën mbim pijet energjike, deputeti i PS nuk ka paraqitur arsyetim përkatës. Ndërkohë, për të dytin, ai është ndalur në mënyrë specifike.
Synimi
Sipas Beqajt, në ligjin nr. 126/2016 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 62/2012 "Për akcizat" të ndryshuar u vendos akciza në masën 8 lekë/litër për gazin e lëngshëm, vetëm kur ai përdoret si lëndë djegëse për motorr automjetesh dhe në masën 0 lekë/litër për gazin e lëngshëm kur ai përdoret për qëllime të ndryshme. Kjo, me argumentimin që gazi i lëngët është objekt taksimi në të gjitha vendet si produkt energjetik. Diferencimi i këtij produkti në raport me nënproduktet e tjera të naftës bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshem minimal të taksimit që aplikohet në BE".
Nga të dhënat e 10-mujorit për vitin 2017, shton më tej në argumentimin e tij ish-ministri socialist, në doganë rezulton që është deklaruar në zërin "Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike” për përdorim si lëndë djegëse për motorr automjetesh rreth 38% e totalit të gazit të zhdoganuar. Ndërkohë, nga informacione të terthorta, rezulton se, prej janarit 2017 ka ulje të numrit të automjeteve që kanë adoptuar motorrin e makinës në motorr që punon edhe me gaz. Pra, shton Beqaj, kjo akcizë ka shkurajuar adoptimin e automjeteve në motorë që funksionojnë edhe me gaz.
Gjithashtu, sipas tij, në kuadër të detyrimit që rrjedh nga politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE, kjo akcizë nuk mund të kthehet në masën 0 lekë/litri.
“Për arsyet e sipërpërmendura, propozoj uniformizimin e akcizës për gazin e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike në masën 3 lekë/litri për të gjitha llojet e përdorimit”, përfundon ai.
Pasojat
Po cilat do të ishin pasojat e një vendimi të tillë?
Një masë në këtë drejtim do të ishte e mirëpritur nga ana e pronarëve të makinave që tashmë kanë të instaluar adaptuesin motorrik, i cili u mundëson atyre të ecin duke përdorur si lëndë djegëse gazin natyror. Pasi, çmimi – teorikisht – do të ulej me 5 lekë në litër.
Por, siç ka ndodhur në të kaluarën me tregtarët e produkteve të hidrokarbureve në Shqipëri, ka më shumë gjasa që nga një masë e tillë do të përfitonin vetëm këta të fundit dhe jo konsumatorët, pasi çmimi do të mbetej i njëjtë dhe 5-lekëshin tregtarët do të arkëtonin vetë.
Në të kundërt, një numër shumë i madh konsumatorësh do të ndjenin rritjen e çmimit të gazit në treg. Është fjala për dhjetëra mijëra familjarë, të cilët e përdorin për ngrohje në një pjesë të vitit këtë produkt dhe për gatim në gjithë vitin. Duke rritur shteti akcizën me 3 lekë për litër, menjëherë tregtarët e pakicës do të rrisnin çmimin fundor me 3 lekë.
Një familje, që konsumon mesatarisht 20 litra gaz natyror në muaj, do të kishte një rritje shpenzimesh në masën 600 lekë në muaj, ndërkohë që shumë më e rëndë do të ishte fatura për një lokal, një fabrikë buke, etj, të cilat do të ndjenin një rritje serioze tek shpenzimet e tyre.
Komisioni nuk e kaloi këtë propozim, por deputeti mund ta paraqesë në seancë plenare.
Konsumi
Një familje mesatare do të kishte një rritje shpenzimesh 600 lekë/muaj. Shumë më e rëndë do të ishte fatura për një lokal, fabrikë buke, të cilat do të ndjenin një rritje serioze tek shpenzimet e tyre.
Propozimi
“Propozoj uniformizimin e akcizës për gazin e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike në masën 3 lekë për litër për të gjitha llojet e përdorimit”, shkruhet në letrën dërguar nga deputeti kreut të Kuvendit.
Er.K/Shqiptarja.com