Propozimi, ja sa do të rriten
rrogat dhe pensionet


Pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria parashikon që vitin e ardhshëm të rritë pagat dhe pensionet, ekspertët e ministrisë së Financave kanë nisur llogaritjet për të hartuar varjantin e parë, që do të diskutohet kryesisht me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këta të fundit janë jo vetëm konsulentë, por edhe bllokojnë këstet e kredisë së rënë dakord me qeverinë shqiptare, në rast se shihet që planifikohen shpenzime të pajustifikuara.

Edhe këtë radhë, FMN natyrisht do të kërkojë një arsyetim të shëndoshë të rritjes së planifikuar të pagave të buxhetorëve apo pensioneve, kështu që Financat duhet të paraqiten me më shumë se një varjant.
 
Shifrat
Sipas disa zërave anonimë nga dikasteri i Ahmetajt, varjanti i parë i parashikuar nga kjo ministri parashikon një rritje në masën mesatarisht 10 për qind për pagat e punonjësve buxhetorë dhe vetëm 3 për qind mesatarisht për pensionistët.

Ku do të gjenden këto fonde?
Tre vitet e para të mandatit qeverisës, Ekzekutivi Rama ka prekur rroga vetëm në sektorë të caktuar, si Policia, që ka përjetuar rritje. Ndërkohë, administrata tjetër nuk është prekur nga ndryshimet. Ndërsa pensionet thjesht janë indeksuar me inflacionin, i cili ka qendruar në nivele shumë të ulta, duke e bërë edhe rritjen e tyre të papërfillshme.
Këto tre vjet janë paguar borxhet e prapambetura nga qeveria Berisha ndaj privatëve, që llogariteshin në shifra 600-700 milionë dollarë, ndërkohë që shpenzimet buxhetore janë kufizuar në një minimum, që është tentuar nga qeveria të ulet sa më shumë. Kjo rrudhje ka prekur edhe investimet, të cilat nuk kanë realizuar asnjëherë planifikimin, por kjo ka të bëjë edhe me strategjinë e qeverisë për të futur në lojë paratë e privatit, në formën e partneritetit me shtetin.

Nga ana tjetër, të ardhurat kanë shënuar vazhdimisht rritje, sidomos një hop cilësor atyre u ka dhënë, veç reformës fiskale, edhe aksioni anti-informalitet.
Kështu, në fund të 8-mujorit rezulton një suficit prej 100 milionë eurosh, pikërisht aq sa do të duhej për të mbuluar rritjen e pagave dhe pensioneve pa rritur borxhin publik. Kjo, pasi me rritjen e pagave do të duhej një fond shtesë 75 milionë euro, plus 25 milionë të tjera për pensionet.

Por kjo do të nënkuptonte që shteti të kishte deri në fund të vitit të ardhshëm këto fonde të paprekura, madje t’i shtonte ato.
 
Ndryshimi
Në rast se qeveria parashikon që të rritë pagat e buxhetorëve me një ritëm shumë më të lartë se pensionet, kjo duhet parë me realizëm. Pagat taksohen, ndërkohë që pensionet jo. Paga më të larta rritin sërish të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi fitimin personal, ndërkohë që rritja e pensioneve është thjesht një kontribut për rritjen e konsumit të individëve, por është gjithsesi një shpenzim buxhetor që nuk kthehet.

Në rast se një pensionist arrin të marrë 20 mijë lek në muaj, rritja do të llogaritej në masën 600 lekë, që shumëkujt do t’i dukej gjithsesi e papërfillshme. Meëgjithatë mbetet të shihet se si do të shpërndahet rritja në kategori të ndryshme të pensioneve, duke supozuar se pensionet më të ulta do të marrin rritje më të madhe.

Sa u përket pagave, rritja 10% do të thoshte 8.000 lekë në muaj shtesë për një pagë 80 mijë lekëshe, por edhe këtu mbetet për t’u parë në se do të ketë shkallëzim apo jo.
Dhe, ajo që mbetet për t’u parë si vendimtare do të jetë edhe fjala e fundit e FMN-së…    

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave