Edhe pse kanë kaluar 5 vite prej kur u miratua ligji për “Për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, që i hapte rrugën edhe licencimit të kompanive për të prodhuar kriptomonedha, asnjëherë nuk u bë funksional, pasi asnjë kompani nuk u licencua për shkak të kritereve të forta apo mangësive në kuadrin ligjor.
Por për t’i hapur rrugën tregut virtual të monedhave, ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hartuar projektligjin e ri “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, i cili parashikon prodhim, blerje, këmbim dhe përdorim të kriptovalutave edhe në Shqipëri, duke ju përshtatur edhe rregulloreve të Bashkimit Evropian.
“Shqipëria synon të ndërtojë një kuadër të harmonizuar që do t’i mundësojë ofruesve vendas të shërbimeve të kripto-aseteve të operojnë në tregun e përbashkët evropian në përputhje me standardet më të larta të mbikëqyrjes dhe transparencës”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Rregullat e caktuara në këtë projektligj sipas ministrisë garantojnë një mjedis konkurrues për bizneset inovative, me qëllim që ofruesit vendas të operojnë pa pengesa në tregun e përbashkët evropian, duke synuar nxitjen e konkurrueshmërisë, tërheqjen e investimeve cilësore.
“Kripto-asetet janë një prej produkteve kryesore të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Ato janë përfaqësime digjitale të një vlere ose të drejte të cilat mbartin potencialin për të sjellë përfitime të konsiderueshme për pjesëmarrësit e tregjeve financiare, përfshirë këtu investitorët jo-profesionistë të këtyre tregjeve”, shpjegohet në relacion.
Përdorimi i kripto-aseteve shikohet edhe si mundësi për të fuqizuar ndërmarrjet e mesme dhe të vogla.
“Në rastet kur ato përdoren si mjet pagese, përdorimi kripto-aseteve mund të rezultojë në pagesa më të lira, më të shpejta dhe më efiçente, veçanërisht për sa i përket pagesave ndërkufitare, si rezultat i uljes së numrit të ndërmjetësve të përfshirë në transaksion”, thuhet në relacion.
Ndërsa për përdoruesit jo profesionistë që mund të jenë qytetarë të thjeshtë, kanë të drejtën e tërheqjes nga investimi, brenda 14 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes për blerjen e kripto-asete të ndryshme.
Adoptimi i këtij kuadri ligjor ka edhe sfida të shumta, ku ndër më kryesoret ka të bëjë me stabilitetin financiar, dhe me pastrimin e parave.
“Ekziston mundësia që disa lloje të kripto aseteve që kanë për qëllim të stabilizojnë çmimin duke e fiksuar vlerën e kripto asetit, në të ardhmen të adoptohen gjerësisht nga klientët jo-profesionistë dhe një zhvillim i tillë mund të rriste sfidat për sa u përket stabilitetit financiar, operimit të sistemeve të pagesave, zbatimit të politikave monetare dhe sovranitetit monetar”, thuhet në raport.
Ndaj i gjithë procesi i licencimit të kompanive, të cilat duhet të jenë me shtetësi nga Shqipëria apo një vend i BE-së do të ndiqet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, në respektim të ligjeve për të garantuar stabilitetin financiar dhe për të parandaluar pastrimin e parave.
Projektligji me 142 nene, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 mars 2026, dhe të jetë plotësisht funksional bashkë me aktet nënligjore pranverën e 2027-ës.

Kliko këtu për të lexuar projektligjin e plotë
Komente









Pse jo? Çfare mund te shkoje keq? Administraten e kemi kompetente dhe me integritet te larte. Vetem pesticidet tek kastravecat nuk dime t’i masim ende.
PërgjigjuTani do plasi muti sheshit me keq se cka plasur.
PërgjigjuNe fakt kush ka njohuri finanziare kupton qe monedha virtuale eshte nje skeme medhore ponzi! Italia po kerkonte sa flori kané qytetaret Shqipëria merret me Lek virtual ahaha
PërgjigjuPo, po ashtu eshte, ne perputhje me BE. Filloj vala e dyte e pastrimit te parave pas ndertimit, tani me monedha digjitale te prodhuara besoj nga banka digjitale qe do licencoi banka e shqiperise e cila do u jepet klienteve te qeverise apo jo? Pse nuk ka nje gazetar qe te bej pyetjen pse pikerisht tani? Mos ka lidhje me faktin qe me perafrimin e ligjeve te BE nuk do kene liri veprimi keto banka e monedha digjitale?
Përgjigju