I mërzitur si një fëmijë, i ngopur me lojërat që vetë ndihmoi të prisheshin.. Ushtarët “armiq” nuk po iu binden urdhrave të tij dhe Donald Trump – sipas mënyrës si e përshkruan revista The Atlantic, duket se dëshiron të kalojë në një lojë tjetër.
Ritmi i iranianëve është tepër i ngadaltë për karakterin e tij impulsiv. Përgjigjja e regjimit iranian ndaj ofertës amerikane për t’i dhënë fund luftës po vjen me pikatore, si rrjedhjet e naftës rreth ishullit Kharg në Ngushticën e Hormuzit, qendra kryesore e shpërndarjes së naftës për Teheranin. Dhe, sa më shumë kalon koha, aq më i rrezikshëm dhe më i vështirë bëhet kontrolli i situatës.
“Trump është i frustraruar nga moslëkundja e Iranit”, i tha një burim gazetës amerikane. Sipas të njëjtës rindërtim të ngjarjeve, presidenti amerikan dëshiron të shmangë që kjo krizë të dëmtojë vizitën e tij në Kinë, e planifikuar për ditët në vijim.
Presidenti “nuk dëshiron rifillimin e luftimeve dhe kërkon të shmangë viktima të tjera”, deklaroi një tjetër këshilltar anonim.
Ndërkohë, synimet reale të drejtuesve iranianë mbeten po aq të paqarta sa edhe gjendja shëndetësore e Mojtaba Khamenei, i mbijetuar sulmit që vrau të atin dhe që tashmë konsiderohet pasardhësi i tij.
Sipas inteligjencës izraelite, ai kishte mbetur i shpërfytyruar dhe në koma, ndërsa mediat e kontrolluara nga regjimi iranian pretendojnë se ka pësuar vetëm dëmtime në shpinë dhe në gju. Që nga dita e bombardimit, në orët e para të ofensivës së nisur nga SHBA dhe Izraeli, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur më në publik.
Megjithatë, zyrtarë të lartë si presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklarojnë se e kanë takuar, se ai mund të flasë dhe se është vetë ai që po dikton mënyrën se si po zhvillohen negociatat. Rrethi i pushtetit në Teheran ka nevojë të tregojë se kontrolli mbi vendin mbetet i fortë
Por kush vendos realisht është e vështirë të kuptohet. Pikërisht për këtë arsye, Trump mund të lejojë veten të deklarojë se “ndryshimi i regjimit” tashmë ka ndodhur dhe se negociatorët e tij po bisedojnë me “njerëz të rinj”.
Megjithatë, këta “njerëz të rinj” vazhdojnë të përdorin strategjitë e vjetra. Ish-presidentit amerikan Barack Obama iu deshën vite të tëra për të arritur marrëveshjen bërthamore me ajatollahët dhe – siç kujton analisti izraelit Danny Citrinoëicz – marrëveshja finale e vitit 2015 përbëhej nga një dokument prej 180 faqesh.
Ndërsa negociatorëve të Trump u mungojnë ende 179 faqe krahasuar me dokumentin me vetëm një faqe që u është dorëzuar iranianëve përmes Pakistanit. Dokumenti parashikon ndalimin e pasurimit të uraniumit për të paktën 15 vite dhe transferimin jashtë vendit të 450 kilogramëve material të gatshëm për prodhimin e bombës atomike, me shumë gjasa drejt Shteteve të Bashkuara.
Në këmbim, Shtëpia e Bardhë ofron heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj regjimit iranian. Trump vazhdon të deklarojë se “pret përgjigjen në orët e ardhshme”.
Të gjitha këto pika do të diskutoheshin gjatë një periudhe 30-ditore, ndërkohë që Ngushtica e Hormuzit po rihapet gradualisht për trafikun ndërkombëtar.
Ditën e djeshme, Qatar nisi dërgesën e parë të gazit natyror që nga fillimi i konfliktit. Rikthimi i lundrimit normal në Hormuz konsiderohet një interes global, madje më shumë sesa vetëm amerikan.
Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një shkatërrues detar në zonë, aktualisht vetëm si “pozicionim paraprak” në funksion të një misioni të mundshëm të ardhshëm, nëse armëpushimi bëhet i përhershëm.
“Objektivi ynë i përbashkët me Uashingtonin mbetet garantimi që Irani të mos prodhojë bombën atomike”, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz./Corriere Della Sera
Komente











